in

Katër vjet burg të resë që me premtimin e martesës i vjedh paratë të moshuarit

“Martohemi por më parë blejmë shtëpi”. E pastaj zhduket me 90 mijë euro. Kështu një 30 vjeçare shqiptare ka mashtruar 63 vjeçarin nga Parma dhjetë vjet më parë

Romë, 12 korrik 2012 – “Martohemi por më parë blejmë shtëpi”. Me këtë premtim D.S., shqiptare 30 vjeçe, ka arritur t’i marrë rreth 90 mijë euro një 63-vjeçari nga Parma, e të zhduket bashkë me paratë. Ngjarja ka ndodhur para dhjetë vjetëve por vetëm sot është arritur të përfundojë gjyqi i shkallës së parë, gjë që do të thotë se është shumë e mundur që vepra penale të parashkruhet para se të arrihet në një sentencë përfundimtare.

30-vjeçarja është akuzuar për mashtrim, zhvatje parash dhe sekuestrim personi, ky i fundit i reduktuar në dhunë private. Duket se gruaja ka nisur një marrëdhënie dashurore me të moshuarin (ky ishte i bindur se do të martoheshin), por në vend që të linte datën e dasmës, ka nisur t’i kërkojë para pa fund që sipas saj i nevojiteshin për të sistemuar shtëpinë ku do të jetonte çifti. Mashtrimi është vënë në jetë me ndihmën e një miku që i tregonte 63vjeçarit punimet që do të bëheshin në shtëpi. I kanë marrë dy çeqe për një shumë prej 80 mijë eurosh, por më pas gruaja ka arritur t’i mbushë mendjen “të fejuarit” të moshuar (edhe duke e mbyllur në shtëpi, kur ky bënte rezistencë) t’i japë edhe 10 mijë të tjera.

Martesa natyrisht nuk u bë asnjëherë. Nusja ia mbathi me paratë në Toskanë e dhëndrit nuk i mbeti tjetër veçse ta denoncojë.  Vetëm sot, pas dhjetë vjetëve, është mbyllur procesi gjyqësor i shkallës së parë: D.S. është dënuar me katër vjet burg e 5 mijë euro gjobë. Për dëmshpërblimin do të vendoset në gjykatën civile, por duket se gruaja rrezikon vërtet shumë pak: nëse edhe apeli do të ketë ritmet e shkallës së parë, gruaja nuk ka për të bërë asnjë ditë burg pasi ndërkohë vepra penale shkon në parashkrim (kalon shumë kohë nga çasti i kryerjes së fakteve për të cilat akuzohet).

Lexo edhe:
Hiqet e dashuruar me të dhe i zhvat të moshuarit 200 mijë euro
Dashuria e shtrenjtë e torinezit për shqiptaren. 255 mijë euro për tre vjet

Në konsullatën e Milanos tani takimet merren edhe on line, falas

Shtatë italianë në dhjetë janë dakord me dhënien e shtetësisë të lindurve në Itali