in

Klajdi Sahatçiu, nga La Scala në Zyrih me një violionë Stradivarius

Klajdi Sahatçi, Violinë e parë e “La Scalas” dhe tashmë pjesë e Operës Simfonike Tonhalle të Zyrihut, tregon për rrugëtimin e vështirë si një artist emigrant, deri në suksesin e merituar.

Në një sallë të mbushur plot, katër instrumentistët e njohur shqiptarë, Tedi Papavrami, Klajdi Sahatçi, Vlorent Xhafaj dhe Dorian Xhoxhi kanë treguar se muzika e bërë mirë depërton në çdo publik. Ata interpretuan për herë të parë së bashku në Teatrin e Operës, shoqëruar nga dy pianistë të njohur ndërkombëtarisht, francezi François Frederic Guy, italiani Andrea Rebaudengo dhe viola spanjolle Joaquin Riquelme Garcia. Pas shumë vitesh u rikthyen në kuadër të festivalit “Different Trains”, i iniciuar nga vetë ata, të mbështetur edhe nga “DigitAlb” e “Top Channel”. Koncerti i tretë dhe i fundit u mbajt më 10 dhjetor në Akademinë e Arteve. Klajdi Sahatçi, violinisti shqiptar, Violinë e parë e “La Scalas” dhe tashmë pjesë e Operës Simfonike Tonhalle të Zyrihut, tregon për rrugëtimin e vështirë si një artist emigrant, deri në suksesin e merituar.

Mbrëmjen e së premtes, u ngjitët në skenën shqiptare pas një mungese 20-vjeçare. A ka ndryshuar përjetimi që provuat?

Përjetova një moment jashtëzakonisht të ndryshëm nga ato që kam provuar gjithë këto vite. Sapo hyra në skenë e ndjeva që ishte një ëndërr që kishte fjetur tek unë dhe isha i vetëdijshëm që në sallë ishte një publik shqiptar e jo ndërkombëtar. Një emocion i jashtëzakonshëm që do ta kujtoj gjatë.

Për secilin prej jush mbërrijnë lajmet e sukseseve në skenat ndërkombëtare, por jo performancat tuaja. Çfarë reagimi ndjetë pas koncertit?

Njerëzit e rrethit të ngushtë të muzikës, të cilët i ndjekin karrierat tona, kishin ardhur me kureshtjen për të na dëgjuar nga afër dhe për të marrë emocionet direkte, ashtu siç është komunikimi normal përmes muzikës. Shumë kolegë të Akademisë së Arteve apo edhe miq të fëmijërisë ishin të lumtur që mundën të më dëgjonin dhe konstatonin nga afër.

Ju jeni larguar nga Shqipëria në vitin 1992. A ishit i vetëdijshëm për atë që kërkonit apo ishte vendim i marrë nga situata e një Shqipërie të atëhershme?

Më kujtohet që në ‘92-shin, kur u ndryshua sistemi, e gjeta veten paksa bosh, sepse isha në vitin e dytë të Institutit të Lartë të Arteve dhe shihja që mësuesit fillonin një e nga një të largoheshin nga vendi. I ngjante një situate apokaliptike. Në atë kohë, isha i ri, gati 20 vjeç dhe e gjithë kjo situatë më trishtonte, sepse më dukej sikur të gjitha sforcot që kisha bërë unë dhe familja ime do iknin bosh. Përjetoja një ankth të vazhdueshëm. E shihja qartë që në atë situatë ku ishim, shteti kishte interesa politike dhe një situatë më emergjente se muzika.

Mora vendim të largohesha si Klajd pa asnjë influencë. Mendova se gjëja më e mirë ishte të ndiqja studimet në mënyrë të rregullt e pse jo, të zgjeroja njohuritë, sepse ne e kishim pritur këtë mundësi. Shkolla jonë ishte e mirë, por kishte mungesa që vinin që nga pikëpamja propagandistike, ana materiale por edhe mundësive për të njohur më shumë nga zanati ynë.

Ishit një nga të shumtët që morët anijen?

Jo, nuk ika me anije. Instituti i Lartë i Arteve më dërgoi në Algjeri në një festival Mesdheu. Kam qenë i nderuar sepse shkova përkrah pianistes së famshme Margarita Kristidhi, ndërkohë që isha ende shumë i ri. Kur mbarova festivalin, i thashë zyshë Margaritës se doja të qëndroja në Itali dhe të provoja shansin tim për të ardhmen. Shkova në Milano ku kisha disa të njohur, por me naivitetin më të madh u thosha se isha pa dokumente gjë që i bënte të ngurronin që të mos ngatërroheshin me këto punë. Më kujtohet që shkova me 100 dollarë, edhe sot emocionohem kur e kujtoj, të cilat prindërit e mi, megjithëse ishin intelektualë i mblodhën duke shitur disa gjëra. Kisha edhe një violinë gjermane fabrike, e cila atë kohë kushtonte sa një rrogë. Kohët e para në Itali kanë qenë jashtëzakonisht të vështira. Kam pranuar të luaj edhe violë, pasi një orkestër në periferi të Milanos nuk kishin vend për violinë.

Sa e vështirë është për një të huaj të bëhet pjesë e orkestrs së La Scala-s?

Unë e nisa nga poshtë. Bëra provimin e hyrjes dhe më pranuan në Konservatorin e Milanos, ku më pas u diplomova me rezultatet më të larta dhe m’u dha një certifikatë nderi, gjë që ndodh rrallë. Doja të studioja më tej dhe për pak shkova në Kremona, por vështirësitë ekonomike që kisha më bënë që të futesha i ri në orkestër. Vendimi i parë ishte për t’u bërë pjesë e Orkestrës Simfonike të Lionit në Francë ku isha asistent koncert mjeshtër. Pas aty fillova duke zhvilluar programin simfonik. Pas 6 viteve në Francë u zhvendosa në Zvicrën italiane, pastaj bëra konkursin për në “La Scala”, një konkurs i vështirë ku kishte rreth 200 kandidatë fillimisht. Pas 4 provave, në finale isha unë dhe dy pianistë italianë. Isha jashtëzakonisht i kënaqur që fitova konkursin, sepse nuk ka pasur ndonjë violinist të huaj në rolin e Violinës së parë në “La Scala”. Kjo për mua ishte një krenari e madhe, pasi shqiptarët janë parë gjithnjë si emigrantë të shtresës së ulët dhe jo si intelektualë.

Aktualisht jeni në Orkestrën Simfonike Tonhalle të Zyrihut. Ishte zgjedhje profesionale?

Unë jam i prirur më shumë drejt repertorit simfonik se sa për repertorin e operës, prandaj kur m’u dha mundësia konkurrova në Zvicër dhe fitova.

Ju luani me një violinë Stradivarius. Si duhet ta meritojë një instrumentist?

Ishte e afishuar që në konkurs që fituesi mund të kishte mundësinë t’i jepej për t’i rënë një violinë Stradivarius që mban emrin e një violinisti të shquar polak të së kaluarës Antonio Wieniawsky. Është një violinë e vitit 1719, periudha e artë e Stradivarius dhe unë kam fatin ta luaj këtë violinë për aq kohë sa të jem në orkestër. Kur isha në Liceun Artistik dhe kam pasur violinën gjermane, nuk e mendoja kurrë se do të kisha fatin të luaja ndonjëherë një violinë të tillë.

E kujtoni kohën e Liceut Artistik?

Patjetër, është baza e jetës sime. Unë kam punuar me Mamica Abazin që nuk është kaq e njohur mbase si Robert Papavrami, Zhani Ciko apo Roland Xhoxhi, por atëherë ishte një vajzë e re me shumë grintë dhe punonte me pasion veçanërisht me fëmijët. Megjithatë kur kishte paqartësi, shkonte të konsultohej me profesor Robert Papavramin, i cili kishte më shumë përvojë. Ka qenë një epokë e vështirë në të cilën është formuar brezi ynë, por me shumë motivacion.

Përveç veprimtarisë koncertore, a keni edhe angazhime didaktike?

Po, këtë vit jam i emëruar profesor në Universitetin e Muzikës së Zvicrës italiane në Lugano, kështu që kam 12 studentë. Ndonjëherë më duket pak çudi dhe mendoj nëse mund të jem apo jo profesor, por në fakt jam 40 vjeç dhe kam gjithë përvojën e duhur.

Do të donit të ishit më shumë i pranishëm në skenën shqiptare?

Sigurisht dhe ky ishte edhe urimi im me rastin e këtij koncerti. Vendi ynë ka nevojë për artistët e larguar, por edhe ata kanë nevojë për vendin e tyre. Ne përfaqësohemi në skenat ndërkombëtare si shqiptarë, ne u themi njerëzve që jemi krenarë që vijmë nga ky vend, por ndjehemi të sikletosur kur mendojmë që nuk kemi luajtur asnjëherë. Shpresoj të krijohet mundësia për të bërë sa më shumë koncerte në të ardhmen.

Oliverta Lila, Gazeta Shqip

Bartl tregon Shqipërinë osmane të parë nga Italia

Shqipëria në darën e të ftohtit polar