in

Komisioni parlamentar kërkon ndjekje penale për Kreshnik Spahiun

Komisioni Parlamentar Hetimor ndaj ish-nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka nxjerrë sot raportin përfundimtar në të cilin rendit një sërë shkeljesh ligjore të kryera prej tij. Nga largimi nga puna pa leje deri te prishja e procesit të Censusit dhe rrezikimi i cenimit të marrëdhënieve me Greqinë

Tiranë, 27 shkurt 2012 – Komisioni Parlamentar Hetimor i ngritur për hetimin e veprimtarisë së zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, publikoi sot raportin përfundimtar për shkarkimin e tij.

Në raport janë publikuar përfundimet e hetimit të komisionit, i cili është bojkotuar nga opozita. Në 11 faqet e raportit thuhet se Spahiu ka devijuar nga institucioni kushtetues, duke u shfaqur në rolin e organizatorit të veprimtarive të Aleancës Kuq e Zi, ka trajtuar politikisht ligjin e Censusit dhe çështjen e ndryshimit të kombësisë, duke tentuar të cenojë marrëdhëniet me shtetet fqinje. Sipas raportit, Spahiu ka abuzuar me detyrën në vendimmarrjet në KLD dhe ka zvarritur çështje të rëndësishme mbi organizimin e sistemit gjyqësor.

Në raport thuhet gjithashtu se Spahiu ka kryer 15 udhëtime jashtë shtetit me shpenzimet e institucionit pa njoftuar organet eprore, për interesa politike personale. Nisur nga kjo kryetari i komisionit hetimor, deputeti Enekelejd Alibeaj, kërkoi që raporti t’i dërgohet KLSH-së që t’i kërkojë Spahiut të kthejë shumat financiare që i ka përfituar pa të drejtë.

Raporti do t’i dërgohet Kuvendit, prokurorisë dhe KLSH-së. Komisioni do t’i propozojë seancës plenare të Kuvendit më 1 mars, shkarkimin e Kreshnik Spahiut, ndonëse ky i fundit ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme.

Aksident rrugor. Vdes 39-vjeçarja, plagoset rëndë e bija

Rindërtohet “Skampa”, tempulli i artit të Elbasanit