in

Kompania kineze që po negocion blerjen e aeroportit të Rinasit

Mund të jetë China Everbright Limited, kompani e shërbimeve financiare në menaxhimin e aseteve, investimeve direkte, ndërmjetësimit dhe bankingut investues, pjesë e China Everbright Group, me pronësi shtetërore, kompania që do të blejë Aeroportin e Rinasit

Tiranë, 14 prill 2016 – China Everbright është kompania që po negocion për të blerë Tirana International Airport (TIA), që menaxhon me koncesion Aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit. Emri i kompanisë është konfirmuar për Monitor nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i TIA-s, Rolf Castro-Vasquez.

Ai pohon se në shitje është vetëm biznesi në Shqipëri: “Ishte një moment i mirë për të shitur dhe kishte kërkesa, ndaj kompania mëmë vendosi të hyjë në negociata për shitje”.

China Everbright Limited është një kompani e shërbimeve financiare në menaxhimin e aseteve, investimeve direkte, ndërmjetësimit dhe bankingut investues në rajonin e Kinës, përfshirë dhe Hong Kongun. Ajo është pjesë e China Everbright Group, me pronësi shtetërore.

Aktualisht pronarët e Tirana International Airport janë: DEG-Deutsche Investitions-und Entwicklungsgesellschaft mbH (31,7%), Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve “AAEF” (21,3%) dhe AviAlliance GmbH (47%).

Konsorciumi Tirana International Airport (dikur Tirana Airport Partners), në vitin 2004 nënshkroi një marrëveshje koncesionare 20 vjeçare me qeverinë shqiptare për projektimin, financimin, ndërtimin, kryerjen, funksionimin, menaxhimin dhe zhvillimin e Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Tiranë.

Pak javë më parë, qeveria shqiptare arriti marrëveshje me Tirana International Airport për heqjen e ekskluzivitetit të kësaj të fundit. Sipas marrëveshjes së përbashkët, në këmbim të hapjes së mundshme të Aeroportit të Kukësit për fluturimet ndërkombëtare, kompanisë Tirana International Airport i është dhënë menjëherë një zgjatje e afatit të koncesionit me dy vjet. Kjo do të thotë se afati i koncesionit do të shtyhet deri më datë 2027. Më tej, në rast të vënies në përdorim të një aeroporti tjetër apo aeroporteve të tjera, si Vlora ose Saranda, afati i koncesionit do të shtyhet me gjashtë muaj për çdo vit operimi të këtyre aeroporteve jugore, siç thuhet në ndryshimin e marrëveshjes së koncesionit.

Arrestohet skafisti i 9 janarit 2004 i dënuar me 25 vjet nga gjykata e Vlorës

Rama në CNN: “Zgjedhja e Trumpit president do të dëmtonte Amerikën” (Video)