Një operacion i gjerë i Policisë së Shtetit italian ka zbuluar një rrjet të strukturuar mashtrimi, ku kontrata pune të rreme dhe dokumente qëndrimi të falsifikuara janë përdorur për të rregulluar në mënyrë të paligjshme qëndrimin e migrantëve në Itali.
Gjatë operacionit, që është koordinuar nga Shërbimi Qendror Operativ (SCO) dhe është zhvilluar në 23 provinca italiane, janë kontrolluar 1.317 shtetas të huaj dhe 167 kompani, ndërsa nëntë persona janë arrestuar.
Hetimet treguan se për çdo kërkesë për rregullim, migrantëve u kërkoheshin nga 1.000 deri në 5.000 euro. Shpesh, këto pagesa fshiheshin nën pamjen e “shërbimeve profesionale”, por në realitet përbënin një treg të zi të legalizimit.
Hetimet janë ende në zhvillim, për të identifikuar të tjerë persona të përfshirë dhe për të zbuluar nëse kompanitë që lëshonin kontratat e rreme kanë qenë të vetëdijshme apo bashkëpunuese në veprimtarinë kriminale.


