in

Korniza natyrale e fytyrës, flokët. Si i mbanim në vitet ’80

Flokët që ndikojnë në pamjen e jashtme, në bukurinë, por dhe në gjendjen shpirtërore, asokohe për ne shqiptarët mbeteshin  një kornizë veçse natyrale, në kuptimin e plotë të fjalës: pa shumë larmi modelesh, ngjyrash, formash, shndërrimesh ose trajtimesh të veçanta.

Nga Adela  Kolea

Fofografia: Ferdinando Scianna, Magnum Agency

Në vend të Parukerive, Qendrave të Estetikës apo Instituteve të Bukurisë të sotme, që ofrojnë një sërë shërbimesh, trajtimesh e kurash për flokun dhe paraqitjen estetike në tërësi, kishim “Floktoret “ më kohën që shqyrtojmë, apo më mirë, që në këtë kontekst kujtojmë: vitet ’80 në Shqipëri!

E shpjeguar nga vetë fjala që besoj duhet të gjejë hapësirë përkthimi në fjalorin përmbajtës të fjalëve me rrënjë termin “flokë”: i shërbehet kryesisht vetëm flokut, pa hyrë në “mëdyshje“ apo iluzione me opsionet për depilime, makiazhe, kura estetike të fytyrës, trupit në përgjithësi, thonjve etj.

Të pakta në qytet, veprimtari këto, të autorizuara e mundësuara kryesisht përmes një kriteri kufizues në numër e përzgjedhës në cilësi nga ana e së vetmes firmë në fuqi, të asaj “Shtet”, me personel të përgatitur profesionalisht në shtet e jo vetëm, edhe të urdhëruar e detyruar nga shteti për të ndjekur vetëm “aplikimin e asaj më të domosdoshmes”, që përfshinte pak a shumë shërbimet që vijojnë e jo vetëm, ato që unë shpresoj të kujtoj drejt:
– Vetëm prerje floku, mundësisht për të gjitha gratë e vajzat e qytetit me model të njëjtë, u përshtatej apo jo, tipareve individuale apo simetrisë relative të fytyrës, ky detaj anashkalohej.

Disa improvizonin prerje floku në kushte shtëpiake

Shpesh, ato që shndërroheshin në parukiere ishin pikërisht mamatë, tezet, hallat, e për meshkujt po ashtu, zakonisht pjesëtarë të gjinisë mashkullore nga farefisi, fqinjët apo shoqëria e ndonjëherë edhe ne vetë, si shoqe shkolle e pallati, merrnim guximin t’i prisnim flokët njëra – tjetrës, ndonëse pa frekuentuar kurse profesionale. “Guxim” ky, që merrej me sportivitet nga mosha e re, dhe rezultati pranohej sido që të ishte.
Për çdo rast korrigjimi gjithsesi, ishin përherë në gadishmëri parukieret e lagjes me stilin e tyre klasik apo “antik”, të gatshme për të na prerë flokët njëlloj, në mënyrë pothuajse uniformë të gjithave ne.

Si të thuash, “ajo kornizë natyrale e fytyrës”, siç janë flokët, që teorikisht dhe praktikisht ndikojnë në pamjen e jashtme, bukurinë dhe gjendjen tonë shpirtërore njëkohësisht, për ne mbetej një kornizë veçse natyrale, në kuptimin e plotë të fjalës: pa shumë larmi modelesh, ngjyrash, formash, shndërrimesh ose trajtimesh të veçanta.

Bojërat e flokëve

Ato hynë më vonë në qarkullim.
Vetëm kush nga vajzat e kishte mundësinë, duke pasur lidhje me ata të paktë persona që bojërat e flokëve i sillnin nga jashtë shtetit, mund të lyente flokët e kjo, kuptohet, që edhe ato nuk mund të aplikonin bojëra që binin shumë në sy, që tërhiqnin vëmendjen apo që ishin shumë larg nuancave natyrale.

Filluam nga pak në Tiranë, fillimisht në hyrje të viteve ’90 në periudhën e gjimnazit, t’u jepnim flokëve kryesisht ngjyrë të kuqe, me kënà që vinte nga vendet fqinjë. Duke qenë bimë natyrale ndër të tjera, kjo nuk ishte as e dëmshme, përkundrazi, ushqyese për flokun, aq më mirë për ato vajza që lyenin flokët për herë të parë. Kthehej disi në këtë mënyrë, edhe në një paraprirëse pozitive të produkteve të mëpasshme kimike.

Modelet e prerjes së flokëve
Ishin sidomos ato të ashtuquajtura “jugosllave”, apo të njohura si “bisht pëllumbi”, edhe këto do të vinin më pas.

Bukle, kaçurrela, onde dhe permanent

Përveç faktit se flokët me onde natyrale ishin masive, permanenti në vetvete përmbante një solucion tipik për fiksimin e formës së flokut, i cili  mbushte gjithë lokalin me ‘aromën’ karakteristike.
Në atë kohë, në të kundërtën e së tanishmes, ku përgjithësisht tentohet të drejtohet floku, edhe nga vetë ato që kishin flokët e drejta natyrale, preferoheshin ondet e kaçurrelat, madje në shtëpi, gratë i mbanin flokët ose të lidhura me lecka që të merrnin formë, ose kush ishte disi më “e përparuar”, përdorte disa bigodina me llastik.

Kur do tëpërgatiteshin nuset

Torturëtëgjorat, sepse me flokët fillonin disa ditëpërpara përgatitjet nëkushte “disiplinore”. Nga njëra anë, kishte shumë punë për t’u kryer në këtë drejtim.
Në fakt femrës, si rrjedhim, i dallohej ndryshimi në paraqitje nga vajzëria, në ditën e dasmës, sepse vajzat, për ndodhinë e shumëpritur të ditës së dasmës, fillonin për herë të parë makiazhin, depilimin e vetullave, trajtimin më të dukshëm të flokut, etj.
Fryrë nga sytë prej depilimit të vetullave – kjo, edhe në mënyrë të konsiderueshme për disa, sepse ndikohej prej tipareve, kush më shumë e kush më pak të theksuara, më pas tërheqje e syve me llastik, duke lidhur nga një tufëz flokësh anash veshëve, që sytë të figuronin si “me bisht” –të gjorave nuse, u duhej rreth një muaj t’u largohej dhimbja, –e më pas, çasti dramatik: për të fiksuar formën e flokëve, në vend të llakut, shkumës apo fiksuesve të ndryshëm të tanishëm, vinte në ndihmë një produkt i veçantë kozmetik, edhe ky krejt natyral: birra.
Birrë me sasi nëpër flokë, që lëshonte parfumin e saj të pashmangshëm! Në fakt edhe sot, ndër të apasionuarit ndaj mënyrave kryesisht natyrale të fiksimit të krehjes e modelimit të flokëve, birra është e njohur akoma. Ama, nuk mund t’i anashkalohet aroma karakteristike. Gjithnjë ndër mënyrat dhe elementët natyralë – për kë i parapëlqen ato në vend të atyre kimikë – në fund të fundit, më i këndshëm si fiksues i flokëve mund të cilësohej lëngu i limonit apo portokallit.
Të paktën frutat, mund të pohojmë të sigurtë se figurojnë disi më ndryshe të implikuara në këtë mision.

Makiazhi

Për nuset,shpesh shumëngjyrësh, i ngarkuar, i theksuar. Qepallat e syve rëndoheshin me nuanca e tonalitete “ylber”, nga më të habitshmet.
Në fakt, disa vajza sidomos nga ato që merreshin me art, kryesisht balerina, të cilat ishin në kontakt falë përvojës së tyre profesionale me kurimin e paraqitjes estetike e trukimin në përgjithësi, ktheheshin në stiliste, estetiste të improvizuara për nuset e shpesh qëllonte që, nuset e përgatitura prej tyre, të dilnin më të bukura sesa ato të cilat u drejtoheshin për këtë ditë të shënuar të jetës së tyre, parukiereve shtetërore, tradicionale.

Gjithsesi, aftësitë e tyre në profesion ishin të larta në mënyrë të padiskutueshme. Ato meritonin respekt për punën, profesionalitetin dhe përkushtimin e tyre. Edhe sepse, si vartëse të Firmës së vetme e të plotfuqishme Shtet, duhet ta ushtronin profesionin apo talentin e tyre, nën një farë diktati, nën disa kufizime të rrepta etike, fundja si çdo gjë tjetër që na rrethonte.

Higjiena e flokëve

Fillimisht, në qarkullim vetëm sapun. Pas sapunit, filluan të dalin shampoot e para, fakt ky që u shndërrua në një ngjarje të një rëndësie të veçantë. E imagjinueshme!

Udine. Lulzim Hadaj dënohet me 30 vjet burg për vrasjen e të shoqes

Shakira. Con 100 milioni di fan, è la regina di Facebook