Bujar Nishani: “Përmbyllja e mbikëqyrjes, kurorëzim i përpjekjeve dhe veprës sublime të brezave të luftëtarëve, dëshmorëve, njerëzve të dijes, politikanëve dhe aleatëve tanë të lirisë”
Presidenti Bujar Nishani e konsideron 10 shtatorin ditë të mbushur me entuzizëm, por dhe përgjegjësi për qytetarët dhe përfaqësuesit e institucioneve. “Qytetarët dhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës do të kenë përgjegjësinë e plotë për të punuar për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, për prosperitetin ekonomik dhe të ardhmen euro-atlantike të shtetit më të ri në moshë, por që ka fituar tashmë pjekurinë falë përkushtimit dhe urtësisë së të gjithë aktorëve politikë, institucionalë dhe shoqërisë civile”, shkruan Presidenti Nishani.
Presidenti Bujar Nishani përshëndeti përmbylljen e mbikëqyrjes së Pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar atë “kurorëzim i përpjekjeve dhe veprës sublime të brezave të luftëtarëve, dëshmorëve, njerëzve të dijes, politikanëve dhe aleatëve tanë të lirisë”.
“Ju drejtohem në një moment solemniteti dhe reflektimi, kur e ardhmja dhe e shkuara e Kosovës ndahen dhe bashkohen njëherësh. Ndahen e shkuara e hidhur nga e ardhmja e sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës, të çfarëdo etnie dhe përkatësie fetare. Bashkohen përpjekjet dhe përkushtimi për liri, demokraci dhe prosperitet. Përmbyllja e mbikëqyrjes së Pavarësisë së Kosovës është kurorëzimi i përpjekjeve dhe veprës sublime të brezave të luftëtarëve, dëshmorëve, njerëzve të dijes, politikanëve dhe aleatëve tanë të lirisë. Përulemi me mirënjohje para veprës së tyre!”, shkruan Presidenti në mesazhin e tij.
“Republika e Kosovës sapo ka nisur udhëtimin e saj të gjatë si një shtet plotësisht i pavarur dhe sovran që ka tërësisht në duart e saj të ardhmen e qytetarëve dhe të brezave që do të vijnë. Më lejoni t’ju uroj në këtë ditë ogurbardhë, gëzimi i të cilës bëhet pjesë e festimit tonë të 100-vjetorit të shtetit shqiptar”, vijon më tej Nishani.