in

Kosova nis festimet për Pavarësinë

Shteti më i ri i Evropës mbush të hënën 6 vjet. Manifestime të përditshme po zhvillohen anembanë vendit nga sot deri më 17 shkurt

Logoja zyrtare e festës së Pavarësisë në këtë vit
Prishtinë, 14 shkurt 2014 – Në Prishtinë filloi festa e Pavarësisë së Kosovës. Simboli Newborn dje pasdite rrethohej me “skela” për t’u “veshur” për festën me ngjyra në këtë vit të 15 vjetorit të Lirisë e 6 vjetorit të Pavarësisë. Një vit më parë, për 5-vjetor, Newborn u mbulua edhe me flamujt e shteteve që kanë njohur Pavarësinë.

Për festën e 6 vjetorit, të 17 Shkurtit historik të vitit 2008 të shpalljes së Pavarësisë Newborn do veshë edhe ngjyrat e çlirimtarëve, atë të uniformave ushtarake të NATO-s dhe të UÇK-së.

“Më 17 shkurt do ta festojmë përvjetorin e gjashtë të Deklaratës së Pavarësisë. Kemi arritur shumë në këto 6 vite, kemi rrumbullaksuar dhe konsoliduar Pavarësinë dhe sovranitetin. Kjo është logoja zyrtare e kremtimit të Ditës së Pavaresisë”, ka shkruar kreu i Qeverisë së Kosovës në Facebook. Kosova drejt ditës së 6 vjetorit të Pavarësisë sot ka 6 njohje më shumë se 100, e të tjera njohje paralajmërohen” është shprehur kryeministri Thaçi.

Në prag të festës së Pavarësisë, në 10 shkurt në Nju Jork, Kosova në seancën e Këshillit të Sigurimit kërkoi njohjet edhe nga ato shtete anëtare të Këshillit e të OKB-së që ende nuk e kanë njohur, që të jetë anëtare e barabartë dhe me të drejta të plota e bashkësisë ndërkombëtare.

Kalendari i festimeve

Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës me organizim të qeverisë së Republikës së Kosovës, në Prishtinë dhe qytetet e tjera, si dhe në të gjitha ambasadat e Kosovës në botë, do të organizohen aktivitete të shumta, nga 14 deri në 17 shkurt 2014.

Më 14 Shkurt
– Ora e parë e mësimit në të gjitha shkollat i kushtohet Pavarësisë së Republikës së Kosovës
– Në orën 19:00, në Galerinë Kombëtare të Kosovës hapet ekspozitë e Koleksionit të “Marubit”

Më 15 shkurt
– Në orën 17:00, në Muzeun e Kosovës bëhet hapja e ekspozitës “Shkatërrimi i Trashëgimisë Kulturore në Kosovë 1998-1999” 
– Në të gjitha ambasadat e Republikës së Kosovës në botë, organizohen pritje për korin diplomatik, zyrtarë shtetesh, si dhe personalitete të rëndësishme të shteteve përkatëse
– Në ora 18:00, në Hotelin Swiss Diamond, mbahet koncert i tenorit Agim Hushi

Më 16 shkurt
– Në orën 18:00, në Teatrin Kombëtar, mbahet Koncerti Festiv i Ansamblit Kombëtar SHOTA,
– Në orën 19:30, në Hotelin Emerald, nga Presidentja e Republikës së Kosovës, organizohet pritje solemne për mysafirë të ftuar

Më 17 shkurt
– Në orën 9:00, bëhen homazhe para varrit të presidentit Rugova
– Në orën 10:00, bëhen homazhe para varrezave të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari në Prekaz
– Në orën 11:00, mbahet mbledhja solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës
– Në orën 12:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë  organizohet Manifestim Qendror, me pjesëmarrje të njësiteve të FSK-së, Policisë së Kosovës, Shërbimit Korrektues dhe bëhet parakalimi i efektivave të tyre
– Në orën 12:45, në organizim të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi organizohet pritje solemne në Hotelin Grand
– Në orën 14:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë organizohet koncert për fëmijë
– Në orën 20:00 Në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë organizohet koncert me këngëtarët më eminentë të vendit
– Në orën 22:30, pas përfundimit të koncertit bëhet ndezja e fishekzjarrëve

17 Shkurt
në Komunat e Republikës së Kosovës
– Në orën 9 bëhen homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe tek shtatoret e heronjve të Kosovës
– Organizohen seanca solemne në Kuvendet e Komunave
– Në mbrëmje organizohen koncerte në sheshet e qyteteve, dhe në përfundim bëhet ndezja e fishekzjarreve.

Logoja zyrtare e festës së Pavarësisë në këtë vit

Letta jep dorëheqjen, Renzi drejt kryesimit të një qeverie të re

Marrëveshja e integrimit. Nga 10 marsi nisin verifikimet e para për lejeqëndrimin me pikë