in

Kuriozitete zgjedhore: Veliaj fiton në lagjen e Bashës, Lazarati voton në masë për PD-në

Teksa po shkohet drejt përfundimit të numërimit të votave për andidatët për kryetarët e 61 bashkive të vendit, është e lehtë të thuhet që Partia Socialiste e koalicioni i majtë po fitojnë thellë mbi Partinë demokratike e aleatët e saj.

Veliaj fiton edhe në lagjen e Bashës

Në kryeqytet, kur janë numëruar kutitë e rreth 800 nga 864 qendrave të votimit, tashmë është e sigurt që Erion Veliaj do të jetë kryebashkiaku i ri, pasi ai kryeson me rreth 40 mijë vota më shumë se kandidati i të djathtës, Halim Kosova.
Veliaj fiton me mëse 300 vota mbi Kosovën edhe në Njësinë Nr. 8 në kryeqytet, zonë ku është edhe lagjja e kryebashkiakut aktual të Tiranës, Lulzim Basha. Njësia njihej si bastion i së djathtës, por në këto zgjedhje votat kanë shkuar majtas: pas numërimit të 49 qendrave të votimit, kandidati i majtë merr 7.637 vota, kundrejt 7.330 votave të Kosovës.

PBDNj humbet gjithandej

PBDNj është partia që ka pësuar humbjen më të madhe në këto zgjedhje lokale. Në dëm të saj është rritur një tjetër forcë politike e minoritetit grek, MEGA, që ka arritur të fitojë Finiqin, ku edhe PBDNj kishte kandidat.
Në Konispol, PBDNj renditet forcë e tretë me 20% të preferencave.
Në Dropull fiton kandidati i djathtë – për herë të parë në historinë e pluralizmit kjo zonë minoritare voton për të djathtën shqiptare – ndërsa forca e Vangjel Dules renditet e treta me 16,1%.
Në Himarë fiton kandidati i majtë me mbi 58% ndërsa i kandiduari nga Dule ndalet në diçka më shumë se 23% e preferencave.

Lazarati “hakmerret” ndaj të majtës

Aksioni kundër drogës, i ndërmarrë para një viti në Lazarat  nga qeveria Rama, duket se nuk është kapërdirë nga banorët e tij. Ata kanë shkuar në masë “për t’u hakmarrë” dhe kanë votuar thuajse të gjithë Koalicionin e djathtë me në krye PD-në. Me numërimin e pesë kutive të Lazaratit,  PD-ja merr 1919 vota, ndërsa e majta merr vetëm 133 vota. 

LSI humbet terren

LSI nuk po merr rezultatin e pritur. Në fakt, koalicioni i majtë ka humbur deri tani gjashtë bashki ku kandidonte njeriun e LSI-së. Në Vorë  fiton sërish kandidati i djathtë, Fiqiri Ismaili. Në Pogradec, një bastion të së majtës, kandidatja e LSI-së, Diana Mile, ka humbur përballë Eduard Kaprit të PD-së. Humbje tjetër është Mallakastra, ku ku Kapllani i të majtës është mundur nga Kapllanaj i APPD-së. Në Kukës, Hasan Halili – demokrati i konvertuar në ndjekës i Metës – ka humbur përballë Bashkim Shehut të mbështetur nga APPD. Në Lezhë, ku Viktor Tushaj i LSI-së kandidonte për mandatin e tretë është mundur nga kandidati it ë djathtës. Një tjetër bashki e humbur është ajo e Selenicës.

 

 

OSBE/ODIHR: “Ndikimi i partive të mëdha kufizoi lirinë e shtypit”

Veliaj, kryebashkiaku i ri i Tiranës: “Fitorja mbresëlënëse”