Do të jetë i pranishëm sot më 22 qershor në Romë në kuadrin e aktivitetit San Lorenzo Estate – Live Music City, në piazzale del Verano, grupi La Fame di Camilla, tanimë i konsideruar si një nga më premtuesit në panoramën muzikore italiane. Ashtu siç e kishin parashikuar kritikët dhe specialistët e muzikës, brenda një kohe të shkurtër grupi rok pop doli nga hija amatoriale dhe mbërriti në kanalet më të rëndësishme të muzikës. Lideri i grupit është i riu shqiptar Ermal Meta, me origjine nga Fieri, prej 15 vjetësh me banim në Itali.
Në diskun e parë të grupit, Ermali nuk ka harruar të fusë diçka nga Shqipëria. Vepra e tyre e parë, e prodhuar nga Universal Music, mbyllet me këngën “Në dorën tënde” të kënduar në shqip. Tingujt emocionues të kitarës krijojnë një atmosferë të ëmbël, me tone nostalgjie. Jo më kot një kritik e ka cilësuar muzikën e grupit La Fame di Camilla si një përkëdhelje plot nostalgji.
Koncerti i Romës është falas dhe fillon në orën 22.30 (San Lorenzo Estate Live Music City – piazzale del Verano).
Më poshtë lista e datave të turneut veror të grupit:
Lexo edhe: Grupi i Ermal Metës zbarkon në Sanremo