in

Lamtumirë Besa Imami, Donika Kastrioti e kinematografisë shqiptare

Një nga personazhet më të njohura të kinematografisë dhe teatrit shqiptar, Besa Imami, mbylli sytë përgjithmonë dje, në moshën 86-vjeçare. U bë e njohur për publikun e gjerë me rolin e Donika Kastriotit në filmin “Skëndërbeu” të realizuar në vitin 1953. Roli i fundit, në filmin “Eduart” të vitit 2006

Aktorja e njohur e skenës shqiptare, Besa Imami, ndërroi jetë mbrëmjen e të dielës, pas njw sëmundjeje të rëndë.

Ajo kishte lindur në 8 gusht të vitit 1928 në qytetin e Gjakovës. Në vitin 1937, familja e saj u shpërngul për t’u vendosur në Tiranë.

Që nga shtatori i vitit 1946 e deri në 1 Shtator të vitit 1988, Artistja e Merituar Besa Imami i ka dhënë publikut mbi 90-të role, mes të cilave përmendim rolin e Mbretëreshës Teuta tek “Artani” e Selman Vaqarrit , rolin e Nënë Zyrasë tek “Bashkë me Agimin” e Bashkim Kozelit, rolin e Prendës tek “Cuca e Maleve” e Kolë Jakovës, rolin e Klara Gaberit tek “Procesi i Lajpcigut-Gjergj Dimitrovi”, rolin e Rushës tek “Halili dhe Hajria” e Kolë Jakovës, rolin e Lajes tek “Lulet e Shegës”, rolin e Nënës tek “Monserati”, rolin e Gjinervës tek “Rrënjët e thella” etj.

Pas një shkëputjeje, Imami u rikthye përsëri në skenë në vitin 2004 për të interpretuar në dramën “Streha e të harruarve” të Ruzhdi Pulahës në rolin e malësores.

Në kinematografi ajo do u bë e njohur për publikun e gjerë me rolin e Donika Kastriotit në filmin “Skëndërbeu” të realizuar në vitin 1953. Ishte vetëm 25 vjeç kur iu besua ky rol, në të parin film artistik bashkëpunim shqiptaro-sovjetik. Më pas do të vijonin role të tjera si roli i Martës në filmin “Brazdat” në vitin 1973, roli i Nënë Tanës në filmin “Në fillim të verës” në vitin 1975, roli i Nënës së Gurgenit në filmin “Balada e Kurbinit” në vitin 1989 etj.

Roli i saj më i fundit është ai i gruas myslimane në filmin “Eduart” në vitin 2006. Ajo gjithashtu ka interpretuar edhe në operën “Kavaleria Rustikane” të Pietro Maskanjit të vënë në skenë nga Teatri i Operës dhe i Baletit.

Në vitin 1961, kur ishte vetëm 33 vjeç, Besa Imami për vlerat e saj artistike do të vlerësohej me titullin “Artiste e Merituar”. Vetëm një javë para se të ndërronte jetë, nga një propozim i Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”, ajo është nderuar nga Gjakova, vëndlindja e saj edhe me titullin “Nderi i skenës shqiptare”.

Sot personalitete të larta të vendit shprehën sot vlerësime për kontributin që aktorja Besa Imami ka dhënë për teatrin dhe kinematografinë shqiptare.

Rama: Besa Imami, një nga hijet e larta të kohës së vjetër

Kryeministri Edi Rama, në një postim në rrjetin social Twitter shkruan ” Besa Imami ishte edhe një nga hijet e larta të kohës së vjetër kur me Arturin [gazetari Artur Zheji është djali i vetëm i aktores – shën.red.] i shijonim byrekun e i dëgjonim kritikat!I lehtë i qoftë dheu”.

Nishani: Besa Imami i ka dhënë nder dhe krenari teatrit, kinematografisë 

Ndërsa Presidenti Bujar Nishani në një mesazh ngushëllimi drejtuar familjarëve të aktores Besa Imami, thekson se “Besa do mbahet mend gjithmonë, se e vuri qenien e jetës së saj në shërbim të teatrit dhe kinematografisë shqiptare, duke u bërë një nga figurat më të shquara në këto dy gjini artistike”.
“Kam ndier një trishtim të thellë dje, kur mora vesh për ndarjen nga jeta të njeriut tuaj më të dashur, aktores së madhe Besa Imami. Ky lajm më ka prekur jashtëzakonisht thellë dhe është një humbje e madhe për kulturën shqiptare në përgjithësi, teatrin në veçanti dhe gjithë shoqërinë shqiptare”, shprehet Nishani. Kreu i Shtetit thekson se “Besa Imami i ka dhënë nder dhe krenari teatrit, kinematografisë me rolet e shumta që ka luajtur në skenë dhe kinematografi. Por jo vetëm kaq. Së bashku me Violeta Manushin, Drita Pelinkun, Tinka Kurtin, Margarita Xhepën dhe shumë gra të tjera shqiptare i kanë hapur rrugë me kurajë një emancipimi të vrullshëm shoqëror që përjetoi gruaja shqiptare”.

 

Si kontrollohen periudhat kontributive e si aplikohet për pension në Shqipëri

Fermo. Kortezh në kujtim të kosovarëve të vrarë nga punëdhënësi