in

Letërnjoftimet, asnjë urgjencë për emigrantët

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme thotë për Botën Shqiptare  se  “pajisja me letërnjoftimin elektronik e emigrantëve nuk përbën urgjencë”

Të shqetësuar për sanksionet e paralajmëruara nga qeveria shqiptare për të gjithë ata që nuk aplikojnë për letërnjoftimet e reja elektronike brenda afatit, shumë shqiptarë kanë telefonuar në redaksi për të pyetur ç’do të ndodhë me ta nëse nuk arrijnë as të shkojnë në Shqipëri brenda afatit. Asgjë. Zoti Fatmir Konja, zëdhënës i ministrisë së Brendshme i përgjigjet redaksisë së Botës shqiptare dhe e thotë qartë që “pajisja me letërnjoftim e emigrantëve nuk përbën urgjencë”.

Pas entuziazmit të parë, kur mendonte të pajiste deri më 28 qershor të gjithë shtetasit shqiptarë në moshë madhore me këtë dokument, qeveria u detyrua të ridimensionojë sanksionet, të heqë afatet apo të parashikojë ulje të kostos së dokumentit për kategori të caktuara. E detyruar qoftë nga arsye të lidhura me mbarëvajtjen e lëshimit të letërnjoftimeve si mungesat e herëpashershme të kuponëve të pagesës, mosnisja ende e procedurës në qytete të ndryshme të vendit, pamundësia e pagesës së 1.200 lekëve nga shtresa të dobëta të popullsisë, qoftë nga fakti që 30% e popullsisë jetojnë jashtë kufijve, dhe është e pamundur të detyrohen të vijnë në atdhe për të aplikuar për letërnjoftimin e ri që, me thënë të vërtetën, u hyn pak në punë, për të mos thënë aspak.

Është vendosur që në lëshimin e letërnjoftimeve të shkohet përpara me dy faza. Duke pasur parasysh se dokument i vlefshëm për votim do të jetë edhe pasaporta aktuale, gjatë fazës së parë, prioriteti për aplikimin për letërnjoftime elektronike do t’u jepet shtetasve që nuk zotërojnë pasaportë. Në këtë mënyrë do t’u garantohet mundësia për të votuar të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Pas përmbylljes së fazës së parë do të nisë aplikimi i të gjithë shtetasve të tjerë “për të cilët koha në dispozicion do të jetë shumë më e gjatë” siguron zëdhënësi i ministrisë Konja. Sa për emigrantët, tani për tani ata përjashtohen nga të gjitha sanksionet por sipas zëdhënësit “përcaktimi i detyrimeve për emigrantët do të bëhet më i qartë pas përmbylljes së fazës së parë”. Sidoqoftë ai siguron të gjithë shqiptarët jashtë atdheut: “Besoj fuqimisht se zgjidhja që do të jepet do të jetë e favorshme, e realizueshme, e mundur dhe e pranueshme për emigrantët, pa dëmtuar mbarëvajtjen e lëvizjes së tyre, të ardhjes pranë familjes në Shqipëri dhe rikthimin në vendet e punës kudo që janë. Tregon më tej se është menduar që emigrantët do të kenë prioritet gjatë periudhave të pushimeve gjatë të cilave do të shtohen kapacitete njerëzore dhe teknike.

Ndërsa për pasaportat e reja biometrie, afati i vetëm mbetet 1 janari 2011. “Ndërkohë, ka edhe një lehtësi në këtë drejtim – shpjegon zëdhënësi – sepse aplikimi për letërnjoftimin elektronik është i vlefshëm edhe për pasaportën biometrike, pasi gjithçka ruhet në sistem dhe kur të jetë nevoja për pajisjen me pasaportë, të interesuarit thjesht do të bëjnë kërkesën dhe pagesën”.

Nga ana tjetër më lejoni të kërkoj edhe bashkëpunimin tuaj në ndërgjegjësimin e emigrantëve mbi rëndësinë e pajisjes me dokumentet e reja të identitetit. – shton zëdhënësi i ministrisë, zoti Konja – Si letërnjoftimi elektronik dhe pasaporta biometrike që do të kenë në duar shqiptarët janë absolutisht nga produktet më të mira që ekzistojnë sot për sot në hapësirën e Bashkimit Europian. Në njëfarë mënyre do të jetë krenari e ligjshme për emigrantët që të paraqesin për identifikimin e tyre dokumentet e identitetit të shtetit shqiptar, me një cilësi dhe siguri të admirueshme”.

Bota shqiptare 208

 

Shqipëri-Itali, gjysmëshekull histori e përbashkët

Legalizimet në konsullata me postë