in

Liberalizimi i vizave. Ku do të mblidhen familjet shqiptare këtë verë?

Sipas ekspertit të turizmit në Durrës, një pjesë e familjeve bashkohen për të kaluar pushimet edhe në vende të ndryshme të Evropës, ku të afërmit e tyre jetojnë dhe punojnë prej vitesh. Por gjithsesi porti i Durrësit shënon një rritje të ndjeshme të ardhjeve të emigrantëve

Tiranë, 11 korrik 2011 –  Pushimet e familjeve shqiptare kanë ndryshuar pas liberalizimit të vizave në vendet Shengen nga 15  dhjetori i vitit të kaluar. Nëse deri vjet, vera ishte periudha e bashkimit të familjeve në Shqipëri me bijtë që ktheheshin emigracioni për ndonjë javë pushime në gjirin familjar, sot nuk ndodh gjithnjë kështu. Sipas Edmond Bashos, ekspert i turizmit në qytetin e Durrësit, tashmë një pjesë e familjeve bashkohen për të kaluar pushimet edhe në vende të ndryshme të Evropës, ku të afërmit e tyre jetojnë dhe punojnë prej vitesh. 

Ai thotë për ATSh-në se, “në prag të pushimeve të para verore pas ngjarjes së rëndësishme të lëvizjes së lirë të shqiptarëve në vendet e Evropës Perëndimore është vënë re një ndryshim i kahut së udhëtimeve për t’u bashkuar me familjet përkatëse”.
“Grupe familjesh prenotojnë udhëtime drejt destinacioneve të ndryshme turistike në Itali, Spanjë e Greqi, duke shfrytëzuar mundësinë e udhëtimit pa viza në kufirin me vendet përkatëse”, thekson Basho duke shtuar se gjatë këtij viti numri i udhëtarëve, që lëvizin për turizëm është rritur me rreth 10%, duke përfshirë edhe ata që i drejtohen vendit tonë për vizita turistike. Turizmi shqiptar me grupe drejt vendeve të tjera është zhvendosur kryesisht në shtator, kur ofertat turistike drejt plazheve të Turqisë apo në Palma de Majorka (Spanjë) kanë çmime më të ulëta.

E megjithatë, fluksi i emigrantëve në hyrje ka nisur të rritet: mbi 14 mijë udhëtarë me 3.500 automjete kanë mbërritur me 18 tragete dhe katamaranë vetëm në portin detar të Durrësit, të premten, të shtunën e të dielën e shkuar. Sipas ATSh-së, burime zyrtare nga drejtoria e Autoritetit portual, bëjnë të ditur se “fundjava e kaluar ka shënuar rritjen e parë të numrit të udhëtarëve me tragete, çka pritet të vazhdojë deri në mesin e muajit gusht”. Që prej 10 ditësh kompanitë e lundrimit sipas një grafiku të paracaktuar po realizojnë udhëtime shtesë për t’u ardhur në ndihmë udhëtarëve të shumtë, një pjesë e të cilëve i kanë prenotuar biletat vajtje-ardhje në mënyrë elektronike.

Sipas të njëjtave burime, policia kufitare ka hapur 31 sportele gjithsej, ose 7 më shumë se vitin e kaluar. “Kjo masë do të shkurtojë ndjeshëm kohën e përpunimit të udhëtarëve, numri i të cilëve pritet të shtohet shumë në fundin e muajit korrik”, thanë burimet.

Kejdi Jashari, Miss Shqipëria 2011

Luli Bitri, aktorja më e mirë protagoniste e Festivalit Vernon në Francë