in

“Ligji për importin e mbetjeve bie ndesh me Kushtetutën”, Presidenti nuk e dekreton

Presidenti Nishani kthen në Kuvend ligjin për importin e mbetjeve me argumentin se bie ndesh me Kushtetutën dhe konventat ndërkombëtare si dhe rrezikon shëndetin e qytetarëve shqiptarë.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, nuk i jep dritën e gjelbër ligjit polemik të menaxhimit të integruar të mbetjeve, duke e rikthyer atë për diskutim në Kuvendin e Shqipërisë. Përmes një dekreti të publikuar në faqen zyrtare të Presidencës të premten (14 tetor), Presidenti argumenton se ligji bie ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë dhe konventat ndërkombëtare të ratifikuara nga vendi.

arsyetimin prej 9 faqesh, drejtuar deputetëve të parlamentit, presidenti Nishani jep tre motive kryesore për rikthimin për shqyrtim në kuvend të ligjit Nr. 92/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 10463, datë 22.09.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar.

Ai argumentoi se ligji bie në kundërshtim me direktivat e BE-së, Kushtetutën e Shqipërisë dhe konventat ndërkombëtare, që kërkojnë transparencë të plotë dhe mendimin e qytetarëve për vendimmarrje të një rëndësie të tillë; ndërsa nxiti ligjvënësit të mendojnë për riciklimin dhe menaxhimin e mbetjeve të prodhuara në vend.

“Së pari Ligji 92/2016 është në kundërshtim me Direktivën 2008/98/EC , sipas të cilit duhet të zbatohet parimi i ‘vetëmjaftueshmërisë dhe afërsisë’ dhe për më tepër nuk është një detyrim që rrjedh nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit apo ndonjë marrëveshje tjetër ndërkombëtare të ratifikuar nga Republika e Shqipërisë,” shkruhet në dekretin e presidentit.

Presidenti shkruan në dekretin e tij se “importimi i mbetjeve bie ndesh me përparësinë e trajtimit të mbetjeve të prodhuara nga tregu shqiptar dhe ul interesin për mbetjet e prodhuara në territorin tonë”.

Gjithashtu dekreti denoncon mungesën e analizës së besueshme nga ana e Ministrisë së Mjedisit apo Kuvendit për përmbushjen e kushteve të trajtimit të mbetjeve nga jashtë në Shqipëri.

“Është plotësisht e qartë se Shqipëria nuk është në kushtet optimale, që pasi kishte bërë një analizë dhe transparencë në lidhje me menaxhimin e mbetjeve, të merrte vendimin që të importonte dhe mbetje të tjera nga jashtë, gjë e cila në asnjë rast nuk rezulton të jetë e detyruar nga instrumentet ndërkombëtarë” shkruan presidenti.

Së dyti, dekreti i Nishanit argumenton se këto ndryshime ligjore bien ndesh me nenin 59 të Kushtetutës së Shqipërisë për “një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm”.

Presidenti argumenton se “Shqipëria nuk disponon infrastrukturën dhe kapacitetet njerëzore për monitorimin e kontrollin e importit të mbetjeve dhe ekziston rreziku i futjes ilegalisht të mbetjeve me rrezikshmëri të lartë” dhe thekson se procesi kërkon fonde publike shtesë për minimizimin e efektit të dëmshëm të mbetjeve në shëndetin e qytetarëve.

Presidenti Nishani argumenton gjithashtu se procedurat e ndjekura në miratimin e ligjit kanë qenë të përshpejtuara, në mungesë informacioni, transparence dhe pjesëmarrjeje të qytetarëve shqiptarë, në kundërshtim me nenin 56 të Kushtetutës referuar të drejtës së qytetarëve për t’u informuar me gjendjen e mjedisit dhe për mbrojtjen e tij.

“Është e drejta e publikut të përfshihet në një vendimmarrje kaq të rëndësishme sa ç’është ajo e importit të mbetjeve që ndikon direkt në mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve”, shkruhet në dekret.

“Presidenti Nishani i dha një mundësi mazhorancës parlamentare, të cilën ne kërkojmë që deputetët ta pranojnë. Kjo mundësi është tërheqja e ligjit që lejon importin e plehrave,” deklaron në emër të AKIP aktivisti Dorian Matlija.

AKIP kërkon gjithashtu nga qeveria që të mos mjaftohet me tërheqjen e ligjit, por të ndërmarrë masa serioze për krijimin e sistemit të menaxhimit të integruar të mbetjeve, për të pastruar Shqipërinë nga plehrat dhe për të rritur sasinë e plehrave të ricikluara, duke zgjidhur në këtë mënyrë edhe shqetësimet e ricikluesve.

Ivana Dervishi, BIRN, Reporter.al

 

 

 

Tërmet i fuqishëm në jug të Shqipërisë. Epiqendra në Janinë

Kryeministri i Shqipërisë Rama, armiku artificial i Kosovës