in

Lombardi. Pediatri për bijtë e imigrantëve të parregullt. Ja si kërkohet

Tani edhe fëmijët e të huajve që nuk kanë qëndrim të rregullt në Lombardi mund të regjistrohen në Shërbimin Shëndetësor Krahinor dhe të vizitohen falas. Kërkesat në ASL, që do të lëshojnë një dokument të vlefshëm deri në vitin 2016

Romë, 22 janar 2014 – Nis në Lombardi eksperimentimi për regjistrimin e bijve të imigrantëve të parregullt në Shërbimin Shëndetësor Krahinor (SSL). Të gjitha detajet e procedurës përshkruhen në një qarkore që më 21 janar u është nisur të gjitha ASL-eve nga Drejtoria e Shëndetësisë së Krahinës.

Për të regjistruar fëmijët në SSR, prindërit duhet të paraqesin kërkesë në ASL. Kjo do t’u lëshojë një dokument në letër të vlefshëm deri në 31 dhjetor 2016 dhe sidoqoftë jo më tutje se data e mbushjes së 14 vjeçëve së fëmijës.

Nuk do t’u jepet mundësia e zgjedhjes së lirë të një pediatri, por gjithsesi dokumenti i lëshuar nga ASL do të bëjë të mundur që çdo pediatër i Shërbimit Shëndetësor të Krahinës të vizitojë falas fëmijën. Mjeku mund t’i japë recetat për barnat që ka nevojë, dhe t’i parashkruajë shërbimet ambulatore apo shtrimet në spital, njësoj si fëmijëve të tjerë. I njëjti dokument do t’u lejojë të miturve të shkojnë në ambulancat e strukturave shtetërore apo të akredituara edhe pa parashkrimin e pediatrit.

Parashikohet gjithashtu që i mituri të mos paguajë për barnat. Apo më mirë, njësoj si fëmijët e tjerë, do të paguajë diferencën vetëm nëse zgjedh një ilaç me markë kundrejt një tjetri më pak të kushtueshëm, të ashtuquajtur “generico”.

EP

Shkarko Qarkoren e nisur ASL-eve 

(Ndiqni ShqiptariiItalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Shqiptarët të rrezikshëm në timon. Drive in Italy, kurs sigurie duke zbuluar Italinë

Prokurori italian: “Shqipëria në rrugën e duhur ndaj trafikut të qënieve njerëzore”