in

Luiza Xhuvani jep dorëheqjen: “Drejtësia të bëjë drejtësi”

Nëna e Kostandin Xhuvanit, aktorja Luiza Xhuvani e veshur me të zeza, e dërrmuar në shpirt e me trupin që i dridhej ka dalë krah kryeministrit në një konferencë për shtyp, për të deklaruar para të gjithëve se jep dorëheqjen pas gjëmës që ka bërë i biri, duke shprehur ngushëllimet për familjet e katër viktimave. E në njëfarë mënyre i ka lehtësuar “barrën” kryeministrit që mori fjalën pas saj duke vlerësuar si etik aktin e deputetes dhe duke deklaruar se drejtësia do të jetë e barabartë për të gjithë pa dallim

Tiranë, 5 nëntor 2014 – Mbrëmë, deputetja e PS-së, Luiza Xhuvani, në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Edi Rama ka njoftuar se i ka dorëzuar kryetarit të partisë së saj  kërkesën për dorëheqje nga mandati i deputetes së qytetit të Sarandës.

Në një gjendje të rënduar emocionale e me zë të dridhur, Luiza Xhuvani ka folur përpara mediave duke shprehur ngushëllimet për familjarët e katër viktimave, e duke dënuar krimin e rëndë të djalit të saj, Kostandinit, e duke kërkuar që drejtësia të veprojë dhe t’i trajtojë të gjithë si të barabartë.

E imja është dhimbja e një nëne që e ka të pamundur të marrë përsipër fajin e së birit. Edhe unë edhe Gjergji përfaqësojmë një familje që nuk ka asnjë lidhje me krimin. Çdo prind dëshiron më të mirën për fëmijën e vet, por me sa duket kemi qenë të pafat në këtë drejtim. Kjo nuk ka lidhje me familjen e Kostandinit, as me prindërit e tij, as me mandatin që nëna e tij përfaqëson. Janë 4 familje që sot vajtojnë, dhe kërkojnë drejtësi, dhe drejtësia duhet të bëjë drejtësi, e duhet t’i trajtojë të gjithë si të barabartë. Kostandini është djali im, e do të jetë djali im, e një nënë duhet të jetë në krah të djalit të saj.  Në pamundësi për t’i shërbyer zonës që përfaqësoj, kam kërkuar dorëheqjen nga kryeministri. Mos i ndodhtë asnjë prindi ajo që më ka ndodhur mua, e mos i ndodhte akujt ajo tragjedi që i ka ndodhur kësaj familje” ka thënë mes të tjerash Xhuvani.

Kryeministri Edi Rama, e ka vlerësuar si etik aktin e deputetes dhe ka deklaruar se drejtësia do të jetë e barabartë për të gjithë pa dallim. Ndërsa të birin e Luiza Xhuvanit, Kostandinin, ai e ka cilësuar si “tragjedia e gjallë e dy prindërve të mrekullueshëm që do ta ketë shumë të gjatë rrugën e kthimit për në shtëpi”.

Duke marrë fjalën pas deputetes Xhuvani, Rama u shpreh se drejtësia do të veprojë ndaj kujtdo që thyen ligjin dhe se të gjithë janë të barabartë. Kryeministri vlerësoi punën e policisë së shtetit për kapjen në kohë reale të autorëve të ngjarjes tragjike, ndërsa shprehu mbështetjen dhe për familjen Xhuvani në këtë moment të vështirë.

Kjo histori papastërtie sociale ka krijuar idenë tek njerëzit se ka një ligj për fëmijët e tyre dhe një tjetër për fëmijët e politikanëve. Një shtet për ata dhe një shtet tjetër me autorë politikanë, zyrtarë, një Shqipëri për fëmijët e njerkës popull dhe një Shqipëri për fëmijët e nënës politikë. Unë di me siguri që koha e dyfytyrësisë ka përfunduar në 23 qershor”, tha Rama.

Kreu i qeverisë tha se Kostandin Xhuvani do ta ketë shumë të gjatë rrugën e kthimit në shtëpi, duke u shprehur se ligji do jetë i barabartë për të gjithë. Kryeministri Rama theksoi se katër familjet kërkojnë tashmë drejtësi, ndaj “duhet të presim me qetësi vendimin e drejtësisë”. Duke folur për të birin e Luiza Xhuvanit, Kostandinin, u shpreh: “Ai nuk është fëmijë por një burrë 26 vjeç, tragjedia e gjallë dhe e pamerituar e dy prindërve të mrekullueshëm. Gurët e mbushura plot të zbrazur ndaj Luiza Xhuvanit i përkasin jetës së ulët, gruaja dhe nëna që i ra fatkeqësia ta jetojë në çdo qelizë të vërtetën e shprehjes “ç’të bën fëmija s’ta bën as perëndia” i përket jetës së lartë prej nga erdhi në politikë. Dy prindër tragjikisht fatkeqë, jeta e tyre familjare është një film tragjik me një vajzë të mrekullueshme dhe një djalë që do ta ketë shumë të gjatë rrugën e kthimit për në shtëpi”.

Tiranë. Vriten me armë 4 persona, një prej të cilëve italian

Lecce. Hyraj u vra nga punëdhënësi që e përdorte atë si shënjestër