in

Lulzim Vulashi: Zamër falas për të gjithë vogëlushët që kthehen në shkolla

Luli, furrtari pronar i Pane Amore e Fantasia në Firence, që u bë i njohur për nismën e tij “Bukë falas për të gjitha nënat e reja”, në këtë periudhë të hapjes së vitit shkollor po mendon për vogëlushët që shkojnë në kopshte e shkolla fillore

Romë, 12 shtator 2014 – Këto ditë, në mbarë Italinë, fillon viti i ri shkollor. E nëse pas pushimeve të gjata verore, rikthimi mund të jetë disi i vështirë, Lulzim Vulashi, furrtari pronar i Pane Amore e Fantasia në Firence, ka menduar t’ua bëjë ditët më të ëmbla (apo të kripura, si të preferojnë ata) më të vegjëlve, atyre që shkojnë në kopshte e shkollat fillore. Për një muaj rresht, nga 15 shtatori deri në 15 tetor, do t’u ofrojë fëmijëve zamër falas: panine, pica, ëmbëlsira të ndryshme.

“Nga ora 16.30, të gjithë fëmijët mund të kalojnë nga ne e të marrin diçka për të ngrënë” – tregon Luli për Shqiptariiitalise.com – “Do të organizojmë një lloj Happy Hour falas për më të vegjlit, duke vënë në dispozicion të tyre ushqime të ëmbla e të kripura, që ata hanë zakonisht pasdite. Natyrisht 100% të gatuara e të përgatitura nga ne, të freskëta e pa konservantë”.

Ky është kontributi i ri që Luli, 36-vjeçari nga Shkodra, zemërbardhë si rrallëkush, ka menduar të japë për familjet me fëmijë të vegjël në këtë periudhë të hapjes së shkollave.

Pas nismës që ndërmori për disa muaj me radhë, nga marsi në gusht, kur u ofronte bukën falas nënave me fëmijë të sapolindur. “Ajo iniciativë pati goxha sukses. – tregon sot – Klientët mbetën shumë të kënaqur, madje edhe u shtuan. Sot vijnë të blejnë bukën e të tjera ushqime te Pane Amore e Fantasia edhe njerëz që dyqanin nuk e njihnin më parë. Nuk e mendoja që do të bëhej gjithë kjo reklamë, për të cilën natyrisht më bëhet qejfi. Por më e rëndësishmja e asaj nisme ishte të jepja një dorë, dhe kjo bashkë me pëlqimin dhe mirënjohjen e njerëzve, edhe të panjohur, më mbush me kënaqësi”.

Siç e mbush me kënaqësi nga viti 2007 darka që gatuan e shtron një herë në javë në kishën e rrugës Boccherini ku mblidhen të pastrehë. Vazhdon ta bësh akoma? “Natyrisht, çdo të premte!” të përgjigjet prerazi si të të thonte gjënë më normale.

Mirënjohja e qytetarëve duket se e vë edhe në mendime si të bëjë diçka të re për ta. Sepse të çajë përpara duke ndihmuar të tjerët duket se është motoja e përhershme e Lulit që siç thotë vetë “ka besim në të ardhmen dhe vepron sot”. Gjë që, veçanërisht me nismën për nënat e reja, është vlerësuar shumë e fama e djalit nga Shkodra që prej vitesh jeton në Firence ka marrë dhenë në Shqipëri e Itali.

Padashje u bëra dëshmitare për dashurinë e respektin që në qytet i shprehnin, kur në prill u gjenda në Firence për dy ditë dhe u takuam. Qoftë rrugëve të qytetit, qoftë në panairin ndërkombëtar të artizanatit që vizituam, qoftë në lokalin ku u ulëm, me Lulin nuk arrije të flisje as pesë minuta rresht pa pasur përqark njerëz që do ta përshëndetnin, do shkëmbenin dy fjalë, do ta uronin për iniciativën. Po ashtu edhe te gastronomia e tij, Pane Amore e Fantasia. Kanë hyrë klientë të shumtë në atë gjysmë ore që qëndrova aty: thuajse të gjithë Luli i thërriste me emër dhe ata nga ana e tyre e pyesnin për nënën që ato ditë nuk dilte në punë, e i tregonin të rejat e tyre. Më shumë se klientë në dyqan, dukeshin miq të mirë që takohen rregullisht.

Nga e hëna, nis nisma e re, që duke e njohur tashmë Lulin, pa asnjë dyshim do të shkojë më së miri e shumë fëmijë do të kënaqen me gatimet e gastronomisë Pane Amore e Fantasia. “Kjo është mënyra që kam zgjedhur për t’u uruar fillim të mbarë të shkollës. Sepse mendje e shëndoshë në trup të shëndoshë, thonë edhe anëve tona, apo jo? E unë ushqimin ua ofroj shumë të mirë” thotë Luli duke qeshur.

In italiano: Lulzim Vulashi, il panettiere dal cuore grande che regala la merenda ai bambini (Stranieriinitalia.it)

Keti Biçoku

Lexo edhe: Pane, amore e fantasia. Dhurata e përditshme e Lulzim Vulashit

PD për arrestimin e Fullanit. Basha: “I shtyrë nga Rama”, Berisha: “Akt stalinist”

Pensioni i invaliditetit në Shqipëri. Edhe emigrantëve që kanë vite pune në atdhe