in

Mars 1991: Shënomëni edhe mua

Isha edhe unë

Eksodi i marsit? I paharrueshëm. Sidomos për ata që e përjetuan personalisht.

Një ndër ta isha edhe unë, student në vit të fundit në fakultetin e ekonomikut. Largimi nga porti i Durrësit ishte kënaqësi por, në të njëjtën kohë edhe ankth për atë që na priste. Le pastaj të mendosh që bëje udhëtimin me Panamezen, që nuk ishte anije kroçerash. Është njësoj si të udhëtojnë 80 vetë në një makinë që është menduar për 7.

Por vitet kalojnë dhe tani pas 20 vjetëve ndihet një lloj nostalgjie. Për mënyrën e atij largimi nga vendlindja, për mënyrën e përballjes me të nesërmen në një vend të huaj, të parë vetëm në televizor.

Tim biri 9 vjeç që ka lindur në Itali, herët a vonë do t’ia tregoj me hollësi. Sepse ai eksod sot duket se ka vetëm vlera statistikore, nga ana shpirtërore më duket më i largët, si ngjarje e para dy shekujve.

Eduardi

 

Për të mos harruar

Përshëndetje të gjithëve. Unë jam Blendi dhe atë 6 mars nuk e harroj se unë në anijen panameze theva këmbën. Kam qenë pothuajse 36 orë me këmbë të thyer në anije.

Unë jam ai që ka zbritur nga anija i fundit, duke u ndarë kështu nga shokët e mi. Sapo zbrita më  kanë marrë karabinierët italianë dhe më çuan direkt në spital ku më operuan me urgjencë.

Kam kaluar pothuajse 24 orë në koma dhe nuk kuptoja se çfarë bëhej rreth meje por nuk ndieja as dhimbje. Nejse, desha vetëm të kujtoja që mua 6 marsi më ka lanë një shenjë të madhe.

Zoti t’i bekojë të gjithë ata që marrin guximin për të kaluar detin e Mesdheut sot , tunizianët ose egjiptianët.

Blendi

Lexo edhe: Mars 1991 – Edhe unë isha në anije

Vlora mbërrin në Bari

20 vjet imigracion shqiptar – Ekspozitë në Brindisi

Mars 1991: Historia e 9 peshkatarëve, pionierë të eksodit