in

Massimo D’Alema vlerësohet me Dekoratën “Nënë Tereza”

Dekorata e lartë i është akorduar dje në Tiranë nga Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta që gjatë fjalës së tij theksoi rolin e D’Alemës dhe të qeverisë italiane “në momente të vështira të historisë sonë, në kohën e ndërhyrjes së NATO për t’i dhënë fund gjenocidit në Kosovë dhe pastrimit etnik”

Tiranë, 20 prill 2018 – “Duke i shprehur mirënjohjen e thellë, Kryeministrit D’Alema për të gjithë mbështetjen ndaj Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve në tërësi, në rrugëtimin e tyre drejt lirisë dhe Bashkimit Europian, dëshiroj që t’i akordoj sot dekoratën e lartë “Nënë Tereza””. Me këto fjalë presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta i ka dhënë dje Massimo D’Alemës

Dekoratën “Nënë Tereza”, gjatë një ceremonie të veçantë, të mbajtur në Tiranë në prani edhe të Kryeministrit Edi Rama, Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, shumë deputetëve, ish-ministrave, përfaqësuesve të trupit diplomatik.

Në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë, Presidenti Meta i shprehu ish kryeministrit italian mirënjohjen për mbështetjen e tij të vazhdueshme në procesin e integrimit euroatlantik dhe europian të Shqipërisë.

Mes të tjerash Presidenti Meta tha se “të gjithë shqiptarët e kanë të ngulitur mirë në mendje emrin dhe personalitetin e Massimo D’Alemës. Ai është një nga figurat kryesore të politikës italiane, pagëzuar edhe me emrin “lider maximo”, për vizionin, kurajën dhe përpjekjen e palodhur për të reformuar të majtën dhe në tërësi politikën italiane”.

Presidenti vlerësoi mbështetjen historike që qeveria italiane e drejtuar nga D’Alema dha për ndalimin e gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë. “Massimo D’Alema do të mbante pozicione kyçe në politikën dhe qeverinë italiane në momente të vështira të historisë sonë, në kohën e ndërhyrjes së NATO për t’i dhënë fund gjenocidit në Kosovë dhe pastrimit etnik. Ndonëse me kundërshtime të forta brenda koalicionit të së majtës që drejtonte Italinë, Qeveria e tij luajti rol kryesor në mbështetjen e aksionit historik të NATO-s që kontribuoi për lirinë e Kosovës dhe paqen në rajon” u shpreh Ilir Meta.

“Shqipëria ka bërë një përparim të madh që nga ajo kohë, – ka vazhduar Presidenti duke përmendur anëtarësimin në NATO e nisjen së shpejti të negociatave të anëtarësimit në BE – Por arritjet tona na bëjnë gjithmonë të kujtojmë e vlerësojmë veçanërisht miqtë e mirë që na u gjendën në kohë të vështira dhe falë mbështetjes të të cilëve përballuam sfida të jashtëzakonshme”.

“Duke falënderuar edhe një herë z. D’Alema për gjithçka ka bërë për vendin tonë – përfundoi Meta – shpreh bindjen që do të vazhdojë ta bëjë edhe në të ardhmen për forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë e Italisë dhe dy popujve tanë”.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

 

 

Shqiptarët me pasaportë evropiane gjithnjë e më të shumtë

Autorja Irma Kurti e ftuar në ”Një anije me libra për Barcelonë”