in

Mbërrin në të gjithë Italinë lejeqëndrimi i ri elektronik

Pas një periudhe eksperimentimi, tani të gjitha Kuesturat lëshojnë dokumentin e ri, më të sigurt se i mëparshmi. Fotografia, shenjat e gishtërinjve dhe të dhënat personale janë të fshehura në një chip të padukshëm, por që mund të lexohet nga Policia.

Romë, 12 nëntor 2015 – Në mbarë Italinë të huajve po u lëshohet tashmë lejeqëndrimi i ri. Edhe ky është elektronik, por më modern se ai i tanishmi e, mbi të gjitha, më i sigurt.

Pas eksperimentimit të nisur në fund të vitit 2013, dhe që ka përfshirë dalëngadalë 13 Kuestura, përfshirë ato të Romës dhe të Milanos, nga 10 nëntori, ministria e Brendshme e ka shtrirë në të gjitha Kuesturat e Italisë lëshimin e dokumentit të ri. Me kalimin e kohës do të zëvendësojë dokumentet që u janë lëshuar deri më sot imigrantëve.

Risia kryesore e dokumentit të ri është një mikroprocesor, i fshehur brenda teserës plastike dhe i padukshëm nga jashtë. Në brendësi të mikroprocesorit janë regjistruar të dhënat personale të mbajtësit, fotografia e tij dhe shenjat e gishtërinjve. Të dhënat personale dhe fotografia do të vazhdojnë të shtypen edhe mbi dokument, por me teknikë të re që ofron siguri më të lartë kundër falsifikimit.

Forcat e rendit, italiane dhe evropiane, janë të pajisura me një aparat që mund të lexojë përmbajtjen e microprocesorit. Në këtë mënyrë do të mund të verifikojnë menjëherë, në rast kontrolli, nëse përputhet me atë çka është regjistruar në bankat e tyre të të dhënave.

Dokumenti i ri u lëshohet të gjithë të huajve që kanë kërkuar, nga 10 nëntori, lëshimin ose përtëritjen e një lejeqëndrimi të vlefshëm për më shumë se 90 ditë. Praktikisht do të jenë në formatin e ri lejeqëndrimet më të përhapura si ato për punë apo motive familjare, por edhe lejeqëndrimet BE për qëndruesit afatgjatë, të ashtuquajturat “karta qëndrimi”.

Zyrat e të huajve do të përdorin teknika të reja për të marrë fotografitë dhe shenjat e gishtërinjve, edhe të miturve. Për kërkesat e paraqitura para 10 nëntorit dhe akoma të pambyllura, do të lëshohet modeli i vjetër i lejeqëndrimit, por ministria u ka kërkuar Kuesturave t’i mbyllin “patjetër brenda 6 muajve”.

E kush ka në xhep një leje qëndrimi akoma të vlefshëm ç’të bëjë? Asgjë (nuk jemi në Shqipëri e para pak viteve që, kur qeveria vendosi të ndërrojë pasaportën, nxori jashtë qarkullimit të gjitha pasaportat e modelit të mëparshëm). Lejeqëndrimet akoma të vlefshme mbeten të tilla deri në datën e skadencës. Kur mbajtësi të kërkojë përtëritjen apo përditësimin e dokumentit do të marrë lejeqëndrimin e ri elektronik.

Elvio Pasca

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

 

 

Marrëveshja e integrimit. Deri tani e kanë nënshkruar rreth 230 mijë të huaj

Durrës. Merrte tragetin për në Itali me 130 kg drogë në kamion, arrestohet