Sipas raportit të fundit statistikor të ministrisë së Arsimit numri i bijve të emigrantëve në shkollat italiane ka shkuar në 755.939 persona në vitin shkollor 2011/2012 dhe përbëjnë 8,4% të të gjithë nxënësve. Shifrat rriten nga viti në vit e brezat e dytë – bijtë e emigrantëve të lindur në Itali – janë gjithnjë e më të shumtë. Ndër nxënësit e huaj, 102.719 kanë pasaportë shqiptare. Përbëjnë rreth 14% të të gjithë nxënësve të huaj duke u renditur të dytët pas rumunëve
Romë, 29 tetor 2012 – Numri i nxënësve ‘të huaj’ në bankat e shkollave në vitin 2011/2012 ka shkuar në 755.939, nga 59.389 që ka qenë në vitin shkollor 1996/1997. Sot ndër 100 nxënës, 8-9 kanë pasaportë të huaj edhe pse janë gjithnjë e më të shumtë të lindurit në Itali. Këtë nxjerr në dritë raporti “Alunni con cittadinanza non italiana nel sistema scolastico italiano. A.S. 2011/2012” i sapobotuar nga zyra statistikore e ministrisë së Arsimit.
Bijtë e emigrantëve në bankat e shkollave janë shtuar me 45.676 në krahasim me një vit më parë (+6,4%), ndryshe nga tre vitet pararendëse kur u vërejt një rënie e rritjes së regjistrimeve të nxënësve të huaj në shkolla. Rritja thuajse ishte përgjysmuar: nëse deri në vitin 2009 rritja ishte me 60/70 mijë nxënës më shumë se viti pararendës, në vitin shkollor 2010/2011, nxënësit e huaj kanë qenë vetëm 37.454 më shumë se një vit më parë (+5,4%).
Nga ana tjetër, në brendësi të nxënësve me shtetësi jo italiane, rritet ndjeshëm numri i nxënësve që edhe pse me shtetësi të huaj, kanë lindur e janë rritur në Itali, të ashtuquajturit G2: në vitin shkollor 2011/2012 ata kanë qenë 334.284 persona, rreth 44% e të gjithë nxënësve të huaj, me një rritje prej 11,6% krahasuar me një vit më parë. Kjo kategori nxënësish haset kryesisht në kopsht ku fëmijët e huaj të lindur në Itali përbëjnë mbi 80% të të gjithëve me pasaportë joitalianë.
Në aspektin e shifrave, prania e nxënësve të huaj në shkollat italiane reflekton pak a shumë imigracionin në Itali: kombësitë më të shumta në numër janë rumunët (141.050 nxënës), shqiptarët me 102.719 nxënës, marokenët (95.912), dhe kinezët (34.080). Shqiptarët, të cilët nga viti 2000 deri në vitin 2006, janë renditur të parët për nga numri i nxënësve të pranishëm në shkolla, me fluksin e madh të rumunëve në Itali, kanë zbritur në vend të dytë, dhe në vitin shkollor 2011/2012 përbëjnë 13,59% të të gjithë nxënësve pa pasaportë italiane.
Gjysma e nxënësve shqiptarë përqendrohet në Lombardi (20,9% e të gjithë nxënësve shqiptarë janë në këtë krahinë), Emilia Romagna (12,4%) dhe Toscana (14,4%). Ndërsa po të shihen në krahasim me të huajt e tjerë mund të thuhet se janë më të shumtët në Marche (18,2%e nxënësve të huaj në krahinë janë shqiptarë), në Trentino (17,1% e të gjithë nxënësve të huaj). Ndërsa në nivel province, në Savona apo Pistoia, shqiptarët përbëjnë gjysmën e nxënësve që nuk kanë pasaportë italiane.
Keti Biçoku
Shkarko studimin “Alunni con cittadinanza non italiana nel sistema scolastico italiano. A.S. 2011/2012