in

Mbyllet dosja hetimore mbi diplomimin e Bossit te Kristali. Vetëm një sekretare në gjyq

Hetimet e prokurorisë së Tiranës nuk mundën të zbardhin gjithë procesin e dyshimtë të pajisjes me diplomë të shtetasit të huaj që nuk ka ardhur asnjëherë në Shqipëri. Çohet në gjyq vetëm sekretarja Jonida Ajazit për ‘falsifikim të dokumenteve shkollore’

Dosja hetimore e hapur kundër Kristalit me plasjen e skandalit të diplomimit të Renzo Bossit pranë këtij universiteti duket se është mbyllur. Dhe ajo që të çudit është fakti se në gjyq është çuar vetëm një sekretare që paska bërë regjistrimin e Troftës, por asnjë nga ata profesorë që i dhanë notat (e çfarë notash) për 29 provime) e më pas edhe diplomën. Praktikisht Prokuroria e Tiranës më 30 tetor ka hapur çështjen gjyqësore  nr.2195 ndaj Jonida Ajazit për ‘falsifikim të dokumenteve shkollore’, seanca e parë e të cilës mbahet më 13 nëntor.

Sipas gazetës Mapo, dosja hetimore është mbyllur në pritje të letër-porosisë që drejtësia shqiptare i ka nisur asaj italiane me të cilën i kërkon marrjen në pyetje të Bossit. A thua se me aq sa ç’ekziston në Shqipëri deri tani nuk mund të fajësoheshin figura më të larta se një sekretare të universitetit.

Pas hetimeve të kryera, prokuroria ka vendosur të pushojë dosjen hetimore mbi diplomimin e Renzo Bossit në universitetin Kristal në pritje të përgjigjes për letër-porosinë, dërguar autoriteteve italiane, ku kërkohet marrja në pyetje e Troftës. Burimet e konfirmuan se hetimet nuk mundën të zbardhin gjithë procesin e dyshimtë të pajisjes me diplomë të shtetasit të huaj që nuk ka ardhur asnjëherë në Shqipëri. Sipas burimeve të gazetës Mapo, gjatë hetimit të kësaj çështjeje janë marrë në pyetje të gjithë pedagogët e Ekonomikut pranë universitetit “Kristal”, të cilët kanë dhënë mësim gjatë periudhës që përkon me “studimet” e Renzo Bossit në Shqipëri, por askush nuk ka mundur ta identifikojë atë.  Të njëjtin gjë kanë thënë dhe ish-drejtuesit e universitetit “Kristal”, përfshirë edhe ish-rektorin që ka firmosur diplomën e Bossit.

Çështja e Renzo Bossit plasi më 3 maj të këtij viti në Itali (e duke parë si shkojnë gjerat në Shqipëri, mund të thuhet me bindje që po të mos kish plasur këtej, atje gjithçka do të kishte vazhduar njësoj si më parë): në kasafortën e Legës u gjetën dëshmia e diplomës dhe ajo e notave të Renzos: sipas këtyre dokumenteve rezulton se është diplomuar në Kristal për Menaxhim Biznesi, në nivelin e parë. Karriera shkollore e djalit të Umberto Bossit ka qenë vitet e fundit në qendër të vëmendjes së medieve për faktin e thjeshtë që Renzo e ka marrë diplomën e shkollës së mesme në korrik të vitit 2009, në moshën 21 vjeçare, pasi e ka dhënë tre herë provimin e shtetit. Ndaj, diploma universitare me vulë të universitetit Kristal, me firmë të dekanit Skënder Kërçuku dhe atë të rektorit Maringlen Spiro, e marrë një vit më pas, në 2010-tën, për më tepër në shqip, ngriti shumë dyshime mbi vërtetësinë e saj si edhe shkaktoi një sërë barceletash e batutash.

Nëse në Itali çështja pati interes legal veçanërisht sepse dyshohet që paratë e marrjes së diplomës mund të jenë nga ato që Lega merr si rimbursim nga Shteti, në Shqipëri ky rast hapi një diskutim mbi vlerën e diplomave që lëshojnë dhjetëra universitetet private në Shqipëri.

Nga njëra anë universiteti Kristal nxorri menjëherë një deklaratë për të thënë: “Shtetasi italian Renzo Bossi është regjistruar në bazë të dokumentacionit të paraqitur në administratën e Universitetit në vitin akademik 2007-2008 (dy vjet para se të mbaronte të mesmen???), sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë”, nga ana tjetër, pas nja një jave nga sekuestrimi i dokumenteve, vetë Renzo Bossi zgjohet dhe deklaron se nuk ka dijeni për diplomën e tij shqiptare, nuk ka vënë ndonjëherë këmbë në Shqipëri (me një fjalë, edhe Trofta ka ndjekur  traditën e kolauduar mes politikanëve italianë, të mospasjes dijeni të të mirave në emër të tyre).

Më 23 maj, qeveria shqiptare vendos të ndërmarrë një nismë konkrete kundër universitetit Kristal: me anë të një vendimi pezullohet “pjesërisht e përkohësisht” licenca e tij. Por çudirat nuk kanë të sosur, edhe pse në syrin e ciklonit, vetëm një muaj më pas, më 29 qershor 2012 Kristal ankimon në Gjykatën e Tiranës vendimin e Qeverisë për pezullimin e pjesshëm e të përkohshëm të licencës. Ankimimi u hodh poshtë nga gjykata, por njëkohësisht është pranuar kërkesa e palës paditëse për më shumë kohë për të paraqitur prova të tjera  dhe seanca e radhës është lënë për më 14 nëntor 2012, vetëm një ditë pas seancës ku do të gjykohet sekretarja, deri tani “fajtorja” e vetme e këtij skandali.

Si do t’i vejë filli kësaj historie? Si shumë e shumë të tjerave, me kalimin e kohës do të harrohet e askujt me peshë nuk do t’i hyjë gjemb në këmbë.

Shqiptari i Italisë

Lexo edhe:
Bossi junior me diplomë shqiptare

 

Il novembre rossonero di Parma

Ricongiungimento familiare. Posso portare in Italia i miei genitori?