in

Ministri i Punës: “Jo flukse të reja, por lejeqëndrim më të gjatë të papunëve”

Ministri i Punës, Elsa Fornero, në Dhomën e Deputetëve: “Do të programojmë vetëm flukse sezonale. Është egërsi të riatdhesojmë ata që kanë të drejtën e çekut për papunësinë”

Romë, 7 mars 2012 – Qeveria konfirmon që tani për tani nuk do të ketë flukse të reja për punë jo sezonale, por ripohon edhe që dëshiron zgjasë deri në të paktën një vit, kundrejt 6 muajve të tanishëm, qëndrimin në Itali të të huajve që kanë humbur vendin e punës, siç është formalizuar në bocën e reformës së lejeve të qëndrimit.

“Qeveria nuk ka aspak ndërmend të ndryshojë me rrënjë politikën sociale aktualisht në fuqi në vendin tonë, dëshirojmë vetëm të përforcojmë elementët e saj pozitivë” kështu është shprehur sot pasdite në Dhomën e Deputetëve ministri i Punës Elsa Fornero, në një seancë dëgjimore të kërkuar nga Lega.

“Nuk është synim i kësaj qeverie, të paktën jo tani, të rishqyrtojë çështjen e flukseve edhe sepse ka një problem më të gjerë siç është papunësia që prek gjithë Vendin e që po përpiqemi të përballojmë” ka shpjeguar Fornero. Qeveria duket se ka pranuar tezën e teknikëve të ministrisë së Punës dhe të asaj të Brendshme, sipas të cilëve numri i lartë i të huajve të mbetur pa punë për shkak të krizës është i papajtueshëm me një fluks të ri ardhjesh.

“Ndryshe është puna për punonjësit sezonalë – ka nënvizuar Fornero – për të cilët duhet të parashikohen ardhje të reja, por kjo varet nga kërkesat që vijnë nga sektorë të ndryshëm produktivë me karakter sezonal”. Pra do të ketë një dekret fluksesh për punonjës sezonalë që do të punësohen në bujqësi dhe në sektorin e hotelerisë dhe restoranteve, që do të autorizojë – sipas zërave të besueshëm – rreth 35 mijë ardhje të reja.

Sa për rritjen e kohëzgjatjes së lejeve të qëndrimit për të papunët, ministri e konsideron “një masë të natyrshme pasi bëhet fjalë për punonjës që sipas ligjit kanë të drejtën e çekut të papunësisë, e drejtë që nuk u humbet në rast riatdhesimi. Do të ishte një egërsi e pastër të riatdhesosh një person që përfiton çekun e papunësisë, për të cilin do të kishte të drejtë edhe po të çohej në vendlindje”.

“Propozimi që do të bëjmë – ka konfirmuar Fornero – është shtrirja për një vit [i lejeqëndrimit në pritje të punësimit sh.r.] ose sa periudha e papunësisë e mbuluar nga çeku nëse kjo është më e gjatë se një vit”. Së fundi, ministri ka vërejtur se sot imigrantët që përfitojnë çekun e papunësisë jo në bujqësi me kriteret e zakonshme janë “rreth 150 mijë”.

Elvio Pasca

 

Shqipëria nxjerr jashtë qarkullimit qeset plastike

‘Greqi? Jo Shqipëri’, ‘Spanjë? Jo Kosovë’