in

Ministri Ksera: “Kthimi i shqiptarëve nga emigracioni po rigjallëron tregun shqiptar të punës”

Ministri i Punës, Spiro Ksera, dhe Drejtorja Rajonale i Organizatës ndërkombëtare për migrimet (IOM), Renat Held diskutuan rreth shërbimeve në mbështetje të emigrantëve të kthyer në Atdhe. IOM ofron mbështetje për ngritjen e një sistemi të plotë dhe të besueshëm statistikor të emigracionit shqiptar

Tiranë, 26 prill 2012 – Kujdesi për emigrantët shqiptarë dhe ofrimi i shërbimeve efikase lidhur me informacionin dhe mbështetjen për emigrantët e rikthyer në atdhe, kanë qenë në qendër të takimit mes ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera dhe Drejtores Rajonale të Organizatës ndërkombëtare për migrimet, IOM, Renat Held.

Bashkëbiseduesit ndanë mendimin se zhvillimi i emigrimit qarkullues kohët e fundit, veçanërisht me Italinë, është një nga zhvillimet më pozitive në fushën e migracionit, pasi shoqëria dhe ekonomia shqiptare ka nevojë për kapitalet dhe kapacitetet që ofrojnë emigrantët, veçanërisht ata që vijnë nga një histori suksesi në emigracion.

“Kthimi i shtetasve shqiptarë nga emigrimi pas 20 vjetësh ka sjellë edhe një rigjallërim të tregut të punës në vend, pasi pjesa më e madhe e të kthyerve ofrojnë në tregun e punës aftësi më të mëdha, duke rritur cilësisht dhe në mënyrë sasiore konkurrencën. Kështu, tregu i punës tani ofron krah të lirë më të kualifikuar, por nga ana tjetër, një pjesë e madhe e të kthyerve kanë investuar kursimet e tyre, duke krijuar vende pune”, tha ministri i Punës.

Ministri Ksera informoi Held rreth përpjekjeve të Ministrisë së Punës për realizimin e prioriteteve në fushën e mbrojtjes sociale, punësimit dhe migrimit. Duke u ndalur në këtë të fundit, Ksera theksoi se, së fundi, vëmendja e strukturave të Ministrisë është përqendruar në ndërmarrjen e hapave konkretë për fuqizimin e kapaciteteve institucionale për pritjen dhe asistimin e emigrantëve të kthyer, veçanërisht nga vendet fqinje, Greqi e Itali, si pasojë e krizës ekonomike që ka përfshirë ekonomitë e tyre.

“Fluksi i kthimeve mund të konsiderohet normal”, deklaroi ministri, por “ne jemi përgatitur edhe në rast të rritjes së tij”. Gjithnjë sipas ministrit, “emigrantëve të kthyer u ofrohet menjëherë informacioni i domosdoshëm dhe i plotë rreth legjislacionit dhe situatës në fushën e tregut të punës, shërbimeve shoqërore dhe shëndetësore, arsimit, etj”. “Po ashtu, shtetasve shqiptarë të kthyer, që kanë nevojë për mbështetje të menjëhershme, u ofrohet ndihmë ekonomike, formim profesional dhe shërbime ndërmjetësimi në tregun e punës”.

Held e falënderoi ministrin Ksera për bashkëpunimin e këtij institucioni me Zyrën e IOM në Tiranë dhe u tregua e gatshme të mbështesë iniciativat e institucioneve shqiptare në fushën e migrimit, duke përfshirë edhe ngritjen e një sistemi të plotë dhe të besueshëm statistikor.
 

Lexo edhe: Kur emigracioni nuk është më i frytshëm, njerëzit kthehen në atdhe. Po ndodh me shqiptarët?

Shtetësia për martesë më e shpejtë. Nga 1 qershori vendosin prefektët

Filmat italianë në Durrësin pa një kinema