in

Ministria e Jashtme detyron diplomatët të deklarojnë dyshtetësinë

“Diplomati nuk mund të emërohet në një mision, kur shtetësia e tij apo e bashkëshortes përkojnë me atë të vendit ku ndodhet misioni”. Kështu thotë neni 18 i ligjit “Për shërbimin e jashtëm në Republikën e Shqipërisë”. Por, marrja e informacioneve se një numër i konsiderueshëm diplomatësh shqiptarë kanë edhe një shtetësi tjetër veç asaj shqiptare, ka detyruar Ministrinë e Punëve të Jashtme të fillojë zyrtarisht procedurat administrative për verifikimin e këtij “skandali”.

Sipas Gazetës Shqiptare, më datë 23 Janar 2013, drejtori i Drejtorisë së Burimeve Njerëzore në MPJ, Krenar Mema, me anë të një shkrese drejtuar të gjitha përfaqësive diplomatike të Republikës së Shqipërisë në botë (me numër protokolli 1024/indeksi I, kopje e së cilës është siguruar nga Gazeta Shqiptare) ka urdhëruar “plotësimin me përgjegjësi të plotë nga ju dhe stafi i përfaqësisë tuaj e Formularit 1 dhe 2, për disponimin e shtetësisë dhe lejes së qëndrimit të huaj nga punonjësit e MPJ dhe bashkëshortet/ët e tyre” dhe ka kërkuar që “formularët do të plotësohen individualisht nga secili punonjës i përfaqësisë dhe duhet të dërgohen me shkresë përcjellëse të titullarit nëpërmjet komunikimit qendror në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore, brenda datës 28 Janar 2013”.

Një ditë më pas, Mema iu ka dërguar po në rrugë zyrtare një tjetër shkresë edhe nëpunësve të MPJ, ku mes të tjerash urdhëron “plotësimin me përgjegjësi të plotë të Formularit 3, për disponimin e shtetësisë dhe lejes së qendrimit të huaj nga punonjësit e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe bashkëshortet e tyre. Formularët duhet të plotësohen individualisht nga secili punonjës i MPJ (për veten dhe bashkëshortin/bashkëshorten e tij) dhe duhet të dorëzohen në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore, brenda datës 28 Janar 2013”.

Tri ditë pas përfundimit të afatit, më 31 Janar 2013, Mema me anë të një tjetër korrenspondence, kësaj here në rrugë elektronike, shpreh hapur faktin se “megjithëse afati për dorëzimin e formularit ka qenë data 28.01.2013, konstatojmë se një pjesë e madhe e nëpunësve ende nuk i kanë sjellë formularët pranë DBNJ-së. Duke ju tërhequr vëmendjen për mungesën e korrektesës nga ana Juaj, kërkojmë që brenda orës 12:00 të datës 1.02.2013 të dorëzoni pranë DBNJ-së formularët e plotësuar”.

Prej mëse një muaji nuk dihet nëse ky detyrim është përmbushur nga ambasadorët, nëpunësit e ministrisë apo bashkëshortet e tyre. Por “mungesa e korrektësisë”, siç shprehet Mema, dhe fakti se rezultati i këtij “censimenti” të detyrueshëm me ligj, po ruhet me fanatizëm në zyrat e MPJ, ngre hije dyshimi se diplomacia shqiptare ndodhet në prag të një “skandali”.

“Skandal” që në rast se do të vërtetohej do të përbënte një shkelje flagrante e ligjit, që ndalon në mënyrë të qartë për ambasadorët dhe diplomatët, që të emërohen në shtetin nga i cili kanë shtetësinë e dyfishtë.

Në “Rregulloren për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, të hartuar nga MPJ-ja për zbatimin dhe rregullimin e veprimtarisë së shërbimit të jashtëm sipas përcaktimeve të ligjit të vitit 2003 “Për shërbimin e jashtëm në Republikën e Shqipërisë”, në nenin 18 thuhet se diplomati nuk mund të emërohet në një mision, kur shtetësia e tij apo e bashkëshortes përkojnë me atë të vendit ku ndodhet misioni. Gjithashtu në nenin 27 të të njëjtit ligj, kusht parësor për emërimin e diplomatëve parashikohet të pasurit e banimit të përhershëm në Shqipëri.

 

Assistenza sanitaria agli stranieri ricongiunti con la famiglia in Italia

Shfuqizohet moratoriumi i skafeve