Prokuroria merr në pyetje shefin e kirurgjisë së spitalit Cairo që nga mesi i tetorit i hoqi veshkën e vetme 45-vjeçarit Meta. Kirurgu nuk pranon të përgjigjet
Romë, 8 nëntor 2011 – Çështja e 45-vjeçarit B. Meta, të operuar nga mesi i tetorit në Savona, kur i hoqën edhe veshkën e vetme duke e detyruar t’i nënshtrohet përjetë dializës, ka nisur rrugëtimin e saj gjyqësor. Sot është thirrur në Prokurori të Savonës, shefi i kirurgjisë së spitalit Cairo, që udhëhoqi ekipin që operoi shqiptarin, Andrea Piccardo, i cili nuk pranoi t’u përgjigjet pyetjeve të prokurorit Chiara Maria Paolucci.
Mjeku, mbi të cilin rëndon akuza e lëndimet e rënda pa dashje, është denoncuar nga familjarët e 45-vjeçarit Meta. Por prokuroria është në pritje të shprehjes së vullnetit të vetë të interesuarit për të vazhduar me mbledhjen e provave të mundshme (për të cilën është i domosdoshëm ankimimi i palës së dëmtuar) përpara nisjes së procesit gjyqësor.
Sipas rrëfimeve të familjarëve të shqiptarit, brenda pak ditëve ai u është nënshtruar tre operacioneve nga dy ekipe të ndryshme kirurgësh. Veshka i është hequr gjatë operacionit të kryer nga ekipi i udhëhequr nga Piccardo që në fund ishte shprehur se operacioni ishte “i nevojshëm për patologjinë që kishte pacienti”. Më pas 45-vjeçari është transferuar në Qendrën e Transplatimeve të Genovas.
Ndërkaq spitali ka hapur një çështje të brendshme për të qartësuar ç’ka ndodhur.