in

Mogherini në Kuvend: “Miratoni reformën në drejtësi, bëjeni për të ardhmen tuaj në BE”

Në fjalën e saj drejtuar Kuvendit, Mogherini theksoi rëndësinë e reformës në drejtësi për hapjen e negociatave, të bashkëpunimit mes palëve, të investimit tek të rinjtë.
Mbi komunitetin shqiptar në Itali: “Shikoni në 25 vjet çfarë ka ndodhur. Ata kanë pasuruar vendin e tyre, vendin tim, Evropën”

Tiranë, 4 mars 2016 – Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, Federica Mogherini, që tashmë është larguar nga Shqipëria, mbërriti mbrëmë në Tiranë e gjatë pak orëve pati takime me kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin, ministrin e Jashtëm, Presidentin dhe mbajti një fjalë në Kuvend. Sot në mëngjes para se të largohej është takuar edhe me kreun e opozitës Lulzim Basha.

“Më lejoni që në emrin tuaj dhe të këtij kuvendi të shpreh mirënjohjen tonë të sinqertë për mbështetjen e vazhdueshme që Shqipëria gëzon nga të gjithë strukturat e BE dhe ta siguroj Znj. Mogherini se vendi ynë do dijë t’i përgjigjet besimit të vendeve anëtare të BE në mënyrë që ta meritojë çeljen e negociatave dhe antarësimin e tij në momentin e duhur”, deklaroi Meta para se t’i jepte fjalën Mogherinit në Kuvend.

“Ndihem shumë e afërt me Shqipërinë, jo vetëm sepse vendi im është shumë afër me vendin nga vij unë por sepse ky vend i përket Evropës. Duhet të gjeni vendin tuaj brenda BE-së, pasi kjo është në interesin tuaj por edhe në interesin tonë”, nisi fjalën përshëndetëse Shefja e BE-së.

“Si ministre e Italisë por edhe si Përfaqësuese e Lartë e BE, kam patur ndjesinë që kjo është në interesin tuaj dhe në interesin tonë. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë në BE”, deklaroi Mogherini.

Para ligjvënësve, Mogherini nënvizoi rëndësinë e një reforme të thellë tërësore dhe gjyqësore ndërsa vijoi se “ka ardhur koha që të kalojmë në një nivel tjetër, ju doni këtë gjë, dhe ne duam një gjë tjetër. Dhe për ta bërë këtë duhet një reformë e thellë në gjyqësor. Mund të jetë fillimi i një kapitulli të ri për historinë e së ardhmes që ne e ndajmë me njëri-tjetrin. Kjo është një nga reformat më të plota dhe tërësore është propozuar në vendet e zgjerimit”, tha Mogherini.

“Nuk duhet të harrojmë se përse është kjo reforma në gjyqësor. Kjo refomë do hapë rrugën për rekomandim nga KE  për të nisur negociatat që vendet anëtarë të marrin një vendim për këtë çështje.  Duke u bazuar tek Venecia bëni gjënë e duhur, miratoni reformën. E di që të gjithë palët duan që Shqipëria të ecë përpara dhe e di fare mirë që qytetarë e Shqipërisë presin që ju të bëni këtë gjë”, apeloi Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së.

“Por ashtu e di që politika juaj vuan nga një mungesë e thellë e besimit dhe dialogut e partive politike. – u kujtoi ajo parlamentarëve shqiptarë mungesën e bashkëpunimit mes palëve – Të pranosh kundërshtarin tënd si aktor legjitim, por jo si armik që duhet luftuar, është e vështirë por kjo duhet arrirë. Për shumë kohë ne në Itali kemi vuajtur të njëjtën sëmundje, debatet shpesh ishin të fokusuar tek ofendimet dhe jo tek argumentet. Ka interesa më jetike se ato të partive, ato janë interesat jetikë të vendit tuaj”.

Ajo nënvizoi se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bëhen bashkë për të ecur përpara.

“Rrugëtimi europian nuk ka të bëjë me formula të gatshme. Unë dëshiroj të flas për këtë gjë, të cilën ne mund dhe duhet ta bëjmë së bashku. Ka shumë sfida që ne ndajmë si europianë, por askush nuk i ka përgjigjet e duhura. Nuk kemi mësues apo nxënës. Ne duhet që së bashku të punojmë për përgjigje të përbashkëta, si siguria, radikalizimi, migrimi, shpëtimi i jetëve të refugjatëve, punësimi, rritja ekonomike, e tashmja dhe e ardhmja”, deklaroi Mogherini.

Duke vënë në dukje se të gjithë gjendemi në të njëjtën varkë, zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, nënvizoi se “së bashku mund të gjejmë zgjidhje. Sfidat që po kalon ky rajon e tregon. Se ne duhet të jemi së bashku në këtë sfidë. Vetëm duke qenë së bashku mund të japim rezultate”.

Më tej, Mogherini theksoi rëndësinë e profesionalizimit dhe punësimit të të rinjve.

“Këto vite, Shqipëria ka lëvizur ka ecur përpara. Shqipëria ka qenë vendi më i izoluar në botë por sot vendi juaj ka ecur përpara. Dëshira dhe shpresa për të ecur përpara krijon një përgjegjësi më të madhe për të gjithë ne. Raporti për 2015 për Shqipërinë ka treguar se në një sërë fushash ka ende shumë për të bërë. Ekonomia po rritet, ndoshta jo aq shpejt sa do e dëshironin shumë shqiptarë, por këto nuk janë të lehta, dhe ekonomitë tona janë të lidhura me njëra-tjetrën”, tha ajo.

Mogherini vuri në dukje se me rëndësi është krijimi një klime sa më të mirë biznesi për të thithur kapital të huaj.

“Investimi në infrastrukturë është shumë i rëndësishëm, por më i mirë padyshim është investimi tek të rinjtë. Rritja e vërtetë ekonomike kërkon njerëz me aftësi, të përkushtuar, dhe e di që këtu në Shqipëri ka të rinj që punojnë shumë, dhe këta duan vetëm një shtysë. Këtë vit BE do t‘i japë Shqipërisë 30 milionë euro për krijimin e vendeve të punës dhe trajnimin profesional. Përdorini këto para si duhet si ky është një investim shumë i rëndësishëm për të ardhmen tuaj, por edhe të Europës”, u shpreh Mogherini.

Duke folur mbi migracionin e sotëm drejt Evropës, ajo u kujtoi parlamentarëve shqiptarë edhe që të mos harrojnë se çfarë ndodhi me vendin çerekshekulli më parë. “Mendoni historinë tuaj të emigrimit. Ne italianët kishim kujtesë shumë të shkurtër dhe u trembën kur erdhën emigrantët shqiptarë. Por shikoni në 25 vjet çfarë ka ndodhur. Ata kanë pasuruar vendin e tyre, vendin tim, Evropën ju i njihni ata më mirë sesa unë”, tha Mogherini mbi komunitetin shqiptar në Itali.

“Lini të shkuarën pas për të ecur përpara”, ishte mesazhi i Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Frederica Mogherini.

 

Primarie del centrosinistra a Roma. L’appello dei migranti

Shkarkimi i konsulles së Milanos. Reagimi i shoqatës “Të gjithë së bashku”