Reshjet e borës janë ndërprerë, por sot banorët e zonave veriore po përballen me rënien e temperaturave dhe rrugët e bllokuara prej ditësh. Situata më serioze vazhdon të paraqitet në Pukë, Tropojë, Kukës e Dibër, ku banorët e shumë komunave jo vetëm janë të bllokuar nga bora, por po vuajnë mungesën e energjisë elektrike e ujit, ndërsa rezervat ushqimore po shkojnë drejt fundit. Gjithnjë e më problematike gjendja e të sëmurëve dhe e grave shtatzëna. Vdes një 85-vjeçar teksa e çonin me helikopter në spital
Një 85-vjeçar nga Puka ka vdekur pasditen e sotme teksa transportohej me helikopter pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore, shkaqet e të cilës nuk dihen ende. Viktima Zyber Furriku jetonte në fshatin Meçe të komunës Rrape. Pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore është kërkuar ndihma e helikopterëve për të ndërhyrë, por nuk arritën ta çojnë atë të gjallë në spitalin e Pukës. Kryeministri Berisha, sipas të cilit për shkak të motit të keq në Shqipëri ka humbur jetën vetëm Isa Qarri nga Hasi, ka saktësuar në mbledhjen e sotme të Komitetit Ndërministror të Emergjencave, ka saktësuar: “Sot gjatë transportit të tij në spital ka ndërruar jetë një qytetar që vuante nga një sëmundje kardiake kronike. U bë gjithçka për ta ndihmuar, por sëmundja kronike e tij ishte shumë e avancuar”.
Në Tropojë, e vetmja rrugë e kalueshme është ajo që lidh qytetin me Gjakovën. Sipas banorëve, qyteti i ngjan një labirinthi, ku njerëzit lëvizin nëpër tunelet e hapura në trashësinë 2,3 m borë.
Në hidrocentralin e Fierzës punonjësit janë bllokuar prej 5 ditësh në vendin e punës, për shkak të pamundësisë për të lëvizur. Ata janë furnizuar me ushqime nga banorë të zonës.
Në Pukë, trashësia e borës arrin në 2 metër, ndërsa temperatura shënon -10 gradë. Banorët e fshatit Shkozë në Pukë kanë raportuar për shembjen e një banese, që sipas tyre i përket shtetasit Pjetër Jaku, por me të arritur atje 20 banorët mësuan se familjarët ishin në gjende të mirë shëndetësore dhe se ishte shembur një pjesë e stallës së bagëtive, të familjes Jaku.
Bora mbulon edhe Kukësin. Arrin në 1,5 m në qytet, ndërsa në komunat e thella i kalon 2 metër e gjysmë.
Në qarkun e Shkodrës, Dukagjini dhe Vermoshi prej ditësh nuk komunikojnë me zonat e tjera ndërsa në Malësinë e Madhe, reshjet e borës kanë arritur 3 metra.
Policia kufitare dhe ajo e Dibrës kanë bërë të mundur transportimin në Maqedoni të 12-vjeçares Adelina Manaj, e cila qëndroi e bllokuar për disa orë në komunën Trebishtë të Bulqizës, në gjendje të rëndë për jetën. Familjarët e vajzës kërkuan ndihmë për transportimin e saj me helikopter, pasi e kishin të pamundur dërgimin e saj në spital, për shkak të rrugëve të bllokuara nga dëbora që ka arritur deri në 3 metra.
Probleme të shumta hasen edhe në juglindje të vendit, ku janë të bllokuara komunat Frashër e Dardhë. Gjithashtu, të izoluara prej ditësh kanë mbetur fshatrat Novoselë, Lekas, Çlirimi, Velçan, Proptisht e Trebinjë.
120 banorë në fshatin Drenovicë të Komunës Lunik në Librazhd, ndodhen totalisht të izoluar, dhe kanë përfunduar rezervat ushqimore, ndërkohë që të paktën 4 familje vuajnë nga uria prej disa ditësh. Kryeplaku i Drenovicës, në Librazhd Belul Sollaku bën apel në kanalin News24: “Nuk kemi ku të marrim asnjë lloj furnizimi. Ujë të pishëm kemi drita prej 7 ditësh jo”.