Bora shemb çatinë e shkollës në Prevall të Librazhdit
Trashësia e dëborës, e cila ka arritur rreth një metër e gjysmë në fshatrat malore të rrethit të Librazhdit, ka shembur çatinë e shkollës 9-vjeçare të fshatit Prevall, e cila vazhdon të jetë e izoluar nga dëbora.
Burime nga Shtabi i Emergjencave Civile bëjnë të ditur se fatmirësisht nuk ka pasur asnjë të lënduar sepse në çastin që çatia e kësaj shkolle u shemb aty nuk ka pasur nxënës, pasi mësimi në këtë zonë ka mëse dy javë që është ndërprerë si pasojë e motit të keq.
Sipas drejtorit, shenjat e para të shkatërrimit të çatisë së kësaj shkolle të fshatit Prevall kishin ditë që ishin shfaqur. Në fundjavën që lamë pas, pesha e madhe e dëborës ka shkatërruar pjesërisht çatinë e shkollës së Prevallit, ndërsa mbrëmjen e së martës e ka shkatërruar plotësisht.
Për shkak të kohës mjaft të keqe, riparimi i çatisë është i pamundur të bëhet brenda një kohe të shkurtër, kështu që mëse 120 nxënës të shkollës së fshatit Prevall do të jenë të detyruar të mbeten pa mësim për ca kohë. Fshati Prevall ndodhet rreth 40 kilometra larg Librazhdit dhe ndërhyrja në këtë zonë është e papërballueshme për shkak të terrenit malor dhe dëborës.