in

Ndërpritet sërish linja Vlorë-Brindisi

Jemi në fushatë elektorale, ndaj këtë radhë ngre zërin edhe kandidati Kollozi, i Aleancës për Qytetarin

Tiranë, 12 prill 2011 – Tashmë duket se të marrësh tragetin për apo nga Vlora është kthyer në lotari. Pret biletën, por kjo nuk të siguron nisjen. Nuk i dihet nëse trageti për Brindisi do të vijë apo jo.

Agjencia e lajmeve ATSh bën të ditur që nga dje, asnjë traget nuk është ankoruar në kalatat e portit të Vlorës, duke krijuar një situatë problematike për qytetarët dhe subjektet që operojnë me Italinë.

Mjaft qytetarë kanë pritur  me orë të tëra për të udhëtuar drejt portit të Brindisit, ndërkohë që Drejtoria e Portit ka marrë një njoftim sot në mëngjes nga dy shoqëritë që administrojnë mjetet lundruese, sipas të cilave, tragetet janë nisur për remont. Burime zyrtare të Drejtorisë së Portit bënë të ditur për ATSH-në se, ende nuk ka një njoftim për rikthimin e mundshëm të dy mjeteve lundruese në këtë linjë, ndërkohë që për këtë shqetësim është vënë në dijeni edhe Ministria e Transporteve.

A.Rrokaj, përfaqësues i agjencisë turistike “Hermes”, shpjegon se kjo situatë e përsëritur dëmton rëndë aktivitetin. “Jemi detyruar të ndjekim një linjë tjetër, atë përmes portit të Durrësit, çka rëndon dukshëm koston”, tha ai.

Për këtë problem ka reaguar sot edhe kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për Bashkinë e Vlorës, Ardian Kollozi, i cili në një takim që zhvilloi me drejtorin e portit, kërkoi marrjen e masave të menjëhershme për të normalizuar gjendjen. I shoqëruar edhe nga përfaqësues të disa agjencive, ai i garantoi ata se do të bëhen të gjitha përpjekjet për të zgjidhur këtë shqetësim dhe për të mos lejuar përsëritjen e tij. “Do të kërkojmë të negociohen kushtet e kontratës së kompanive, ose afrimin e subjekteve të tjera në këtë linjë detare”, theksoi  Kollozi.

Mungesa e trageteve në linjën detare Vlorë-Brindisi është një dukuri e përsëritur. Dy mjetet lundruese që operojnë në këtë linjë munguan edhe gjatë muajit shkurt për një periudhë dy javore.

Lega: Për refugjatët punë të detyruar

Castelli: “Nuk mund të qëllojmë mbi imigrantët, të paktën jo tani”