Ndërmarrja për Lëvizjen dhe Transportet e Bashkisë ka futur “Shtetësia italiane ose e BE-së” mes kritereve për rekrutimin e shoferëve. ASGI paraqet ankimim: “Është diskriminim”
Romë, 5 tetor 2011 – Zotësi si shofer, dhunti përqendrimi, durim, përpikëri, mirësjellje me pasagjerët. Janë tashmë të shumta aftësitë e shoferit të përkryer të autobusëve urbanë, por Ndërmarrja për Lëvizjen dhe Transportet (ATM) e Genovas ka shtuar edhe një kriter: të mos jesh jokomunitar.
Gushtin shkuar kanë nisur përzgjedhjet për rekrutimin e shoferëve. “Po kërkojmë kandidatë të motivuar për të kryer një profesion me rëndësi në shërbim të qytetit. Ndërmarrja jonë është historike, dinamike dhe novatore, e aftë t’i bëjë ballë ndryshimit, një pikë referimi për gjenovezët” lexohet në faqet internet të ATM të qytetit.
“Eja bëj pjesë edhe ti në skuadrën tonë! “ lexohet pak më poshtë. Por, duke mos marrë parasysh “ndryshimin” që ka pësuar Genova duke u bërë një qytet me imigracion të fortë, lë jashtë loje të gjithë imigrantët. Për të paraqitur kërkesë si shofer i autobusëve urbanë të Genovas duhet të kesh patjetër “shtetësi italiane ose të BE-së”, dhe në rastin e dytë të dëshmosh një njohje të përshtatshme të gjuhës italiane.
E përse përjashtohen jokomunitarët? Shoqata për Studimet Juridike mbi Imigracionin, përmes avokates Elena Fiorini, ka paraqitur një ankimim pranë seksionit të punës së gjykatës civile të Genovas. Kriteri i shtetësisë italiane ose komunitare, shpjegon Fiorini, “është jo vetëm i paligjshëm sepse shkel normat e tekstit unik mbi imigracionin dhe të Konventës Oil të vitit 1975, por është edhe diskriminuese”.
Në ankimim kërkohet që ATM të pezullojë përzgjedhjen, renditjen dhe punësimet deri në dhënien e sentencës së gjykatësve. Këta duhet të verifikojnë e të deklarojnë karakterin diskriminues të qëndrimit të mbajtur nga ndërmarrja e transporteve duke kërkuar kështu eliminimin shtetësinë nga kriteret e punësimit.
Ekziston një rast i ngjashëm i mëparshëm. Edhe në Milano, ATM nuk punësonte të huaj jokomunitarë, duke u bazuar në një dekret mbretëror të vitit 1931 që parashikonte shtetësinë italiane për makinistët e autobusëve, trenave dhe tramvajit. Në vitin 2009 gjykata e konsideroi “të abroguar në heshtje” atë normë sepse teksti unik mbi imigracionin “u garanton të gjithë punonjësve të huaj me qëndrim të rregullt trajtim të njëjtë e barazi të plotë të drejtash me punonjësit italianë”.
Elvio Pasca