in

Në Kuvend diskutohet projektligji që i hap rrugën importimit të mbetjeve

“Jo të rrezikshme” thotë nismëtari i projektligjit Shalsi e për të plotësuar nevojat e industrisë, por tre vjet më parë, qeveria kishte mendim krejt tjetër e ishte e prerë kur ndaloi plotësisht importimin e mbetjeve në Shqipëri

Romë, 22 shtator 2016 – Më 15 shtator 2013, qeveria Rama pati mbledhjen e saj të parë. Në mënyrë solemne dhe simbolike mori tre vendime që duhet të shënonin një ndërrim drejtimi nga ai i qeverive të shkuara Berisha. Një nga ato tre vendime të para, që u mirëprit nga shoqëria civile ishte “Ndalimi i importit të plehrave në Republikën e Shqipërisë”.

Më 18 shtator qeveria depoziton në Kuvend projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10.463, datë 22.9.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” të ndryshuar”” që miratohet më 10 tetor 2013 e që në thelb thotë:
1.
Ndalohet në të gjitha rastet importimi i mbetjeve të rrezikshme dhe jo të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë. …
2. Çdo person që importon mbetje të rrezikshme dhe jo të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë, sipas nenit 48 të këtij ligji, dënohet me gjobë në vlerën nga 1.500.000 (një milion e pesëqind mijë) lekë deri në 2.000.000 (dy milionë) lekë
”.

Ç’ka ndryshuar në tre vjet, që mazhoranca ndërroi opinion në mënyrë radikale. Shqipëria ka tashmë kapacitete të nevojshme për përpunimin e mbetjeve? Fakti është që sot Kuvendi i Shqipërisë diskuton e voton mbi një tjetër projektligj “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10.463, datë 22.9.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” të ndryshuar”” që vetëm emrin ka njësoj si ai i tre vjetëve të shkuar. Ky i fundit i depozituar në 30 qershor 2016 nga tre parlamentarë Eduart Shalsi e Ervin Bushati i PS-së dhe Bujar Derveni, LSI, parashikon veçanërisht ndryshimin e dy pikave të sjella në fuqi në vitin 2013 për të lejuar sjelljen në Shqipëri të mbetjeve të parrezikshme, sipas disa rregullave të përcaktuara me ligj:

Shkruhet në projektligjin e ri Shalsi:
“Ndalohet ne te gjitha rastet importimi i mbetjeve te rrezikshme ne Republiken e Shqiperise”.
Madje shtohet shprehimisht: “Ne Republiken e Shqiperise importohen vetem mbetjet jo te rrezikshme apo mbetjet inerte, perveç atyre te percaktuara ne piken 3 te nenit 48 te ketij ligji”.

Edhe përsa i përket dënimeve pika riformulohet: “Çdo person qe importon mbetje te rrezikshme ne Republiken e Shqiperise, sipas nenit 48 te ketij ligji, denohet me gjobe ne vleren nga 1 500 000 (nje milion e peseqind mije) leke deri ne 2 000 000 (dy milione) leke”. E shtohet që për importimin e mbetjeve jo të rrezikshme duhen respektuar rregullat që vijnë në fuqi me këtë ligj: “Çdo person, qe importon mbetje jo te rrezikshme ne territorin e Republikes se Shqiperise pa autorizim apo ne kundershtim me autorizimin dhe jo ne perputhje me nenin 49 te ketij ligji, denohet me gjobe ne vleren nga 1 500 000 (nje milion e peseqind mije) deri ne 2 000 000 (dy milione) leke”.

Sipas nismëtarit Shalsi, tashmë Shqipëria i ka kapacitet e duhura të kontrollit dhe do të përcaktohen vetëm 2-3 pika doganore për futjen e lëndëve të para për riciklim. Dhe se do të importohen “vetëm mbetjet jo të rrezikshme, për të plotësuar nevojat dhe kërkesat e industrisë ricikluese të vendit”.

Siç shkruan ai edhe në relacionin shoqërues të këtij projektligjiInvestimet ne industrinë e riciklimit, zene rreth 120 milion Euro dhe jane te punesuar rreth 35.000 punonjes. Investimet ishin llogaritur, qe perveç riciklimit te mbetjeve qe gjenerohen ne vend, te perfshiheshin edhe nje pjese nga importi. Me miratimin e ligjit nr. 156, date 10.10.2013, “Per disa ndryshime ne ligjin nr. 10463, date 22.09.2011, “per menaxhimin e integruar te mbetjeve u ndalua importi i mbetjeve…” që “solli si pasoje qe industria e riciklimit te punoj me 30 % te kapaciteteve, duke i shkaktuar nje dem te madh ekonomik, si dhe shkurtim te fuqise punetore”.

Gjithnjë sipas relacionit me të cilin Shalsi shoqëron projektligjin, tashmë mund të lejohet importimi sepse “gjate ketyre tre vjeteve jane bere permiresime te dukshme. Kemi nje rinovim te Inspektoriatit te Mjedisit, si ne infrastrukturen perkatese (e cila i mungonte), ashtu edhe ne trajnimin e personelit si brenda dhe jashte shtetit. Agjensia Kombetare e Mjedisit eshte pajisur me nje laborator, i cili kryen analiza te ndryshme, dhe ne rastet kur ai nuk ka mundesi ti kryej ato i ben ne laborator privat te specializuar dhe akredituar per kete qellim. Gjithashtu edhe ne dogane ka permiresime si ne infrastruktur dhe ne personel te trajnuar”.

E mbani mend një nga tri vendimet e para të Qeverisë Rama? Në tre vjet mazhoranca përmbys vendimin e saj për të vendosur të kundërtën.

 

 

 

Importimi i plehrave (italiane?) e shkrimi aktual i Ardian Klosit

Taksa mbi lejeqëndrimet. Për Kuesturën e Milanos është “kontribut solidariteti”