in

New York Times: Ndalni vetë-shkatërrimin e Shqipërisë


Në faqet internet të gazetës së njohur amerikane New York Times më 26 janar  (dhe të nesërmen edhe në gazetën International Herald Tribune) është botuar një editorial nga Daniel Korski, anëtar i lartë i Këshillit Europian për Marrëdhëniet me Jashtë, një institucion me shumë peshë në jetën politike evropiane dhe amerikane që bën thirrje për zgjedhje të parakohshme. Shkrimi mban titullin “Stop Albania’s Self-Destruction” (Ndalni vetë-shkatërrimin e Shqipërisë)

Ndalni vetë-shkatërrimin e Shqipërisë

Nga Daniel Korski

Në një çast Shqipëria është destinacioni që duhet vizituar, i rekomanduar nga Lonely Planet për vitin 2011, një vend anëtar i NATO-s, qytetarët e të cilit shijojnë udhëtimin pa viza në Bashkimin Europian; në çastin tjetër forcat e qeverisë qëllojnë dhe vrasin protestues në rrugë dhe Ministria e Jashtme Britanike po paralajmëron vizitorët që të qëndrojnë larg turmave të njerëzve në Tiranë.

Daniel Korski
Shqipëria, e cila iu arratis në vitin 1990 një diktature të ngjashme me atë të Koresë së Veriut, për t’u rrëzuar dhunshëm në vitin 1997, tani duket se po shkon sërish drejt një tjetër katastrofe.

Europës i intereson fakti nëse vendi do të zhytet në konflikte të brendshme, apo do të arrijë të zmbrapset duke u kacavirrur. Shqipëria ka qenë së fundmi një forcë për paqen në Ballkan, duke ndërtuar lidhje me armiqtë e vjetër si Serbia e duke u bërë thirrje vëllezërve bashkëkombas në Kosovë e Maqedoni për të punuar për paqen. Trupat ushtarakë të këtij vendi punojnë përkrah me ushtarët e NATO-s në Afganistan. Një rikthim tek konflikti do ishte i keq për Ballkanin, i keq për Europën dhe i keq për NATO-n.

Kriza aktuale megjithatë ka rrënjë të thella. Që nga viti 1992, asnjë nga zgjedhjet e organizuara në Shqipëri nuk janë konsideruar të lira e të ndershme nga Organizata për Sigurinë e Bashkëpunimin në Europë, organizmi që monitoron zgjedhjet.

Në zgjedhje luftohet si në beteja me ushtritë që i shpallin besnikëri njëri-tjetrit, por jo ndonjë procesi demokratik. Zgjedhjet janë një mundësi për politikanët për të shkatërruar kundërshtarët e për të pasuruar miqtë.

Zgjedhjet e fundit, në qershor të vitit 2009, nuk ishin ndryshe. Lideri i Partisë Socialiste në opozitë, Edi Rama, protestoi kundër rezultatit duke bojkotuar parlamentin. Bojkoti është ende në fuqi, duke i pamundësuar Shqipërisë një rrugëdalje paqësore të mosmarrëveshjeve.

Ndërkohë, kryeministri Sali Berisha ka qeverisur në një mënyrë që ka bërë që Freedom House ta cilësojë vendin si “pjesërisht të lirë”, i njëjti status i dhënë për Abkazinë, Gambian e Nagorni-Karabakun.

Rivaliteti tejet i personalizuar dhe i mprehtë mes Ramës e Berishës ka vepruar si sharrë me dy krahë që pret në mes institucionet e vendit si trungun e një peme.

Merrni çështjen e Kushtetutës së Shqipërisë së vitit 1998. Tre vite më parë, Berisha dhe Rama në mënyrë cinike ranë dakord për disa reforma gjithëpërfshirëse, duke ndryshuar brenda natës dokumentin, siç thotë ish- presidenti Alfred Moisiu. Të dy liderët duhet të kenë menduar t’i mbështesnin për të përfituar nga ndryshimet. Tani që vetëm njëri po përfiton, tjetri po tërbohet. E njëjta gjë u përsërit me futjen në fuqi të kodit të ri elektoral.

Korrupsioni është ndoshta problemi më i madh. Vendi i 95 nga 180 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International në vitin 2009 ishte një përpjekje në grup. Megjithatë, Berisha ka refuzuar të shkarkojë aleatët kryesore të përballen me paditë. Një shpërthim në depot ushtarake që vrau shumë njerëz, detyroi dorëheqjen e ministrit të Mbrojtjes në atë kohë, Fatmir Mediu. Që nga ajo kohë, ai është rizgjedhur dhe imuniteti parlamentar, që e gëzonte përpara dorëheqjes, i është rikthyer nga Gjykata e Lartë (ai është sot ministër i Mjedisit i Berishës). Janë të panumërta rastet e tjera në gjirin e anëtarëve të klasës politike të të gjitha palëve.

Situata në media gjithashtu është e zymtë, pavarësisht garancive kushtetuese për lirinë e shprehjes. Mediat normalisht cilësohen si partizane politikisht, dhe gazetarët mbeten subjekt padish, kërcënimesh e dhune fizike. Vitin e shkuar një gazetë kritike, Tema, u dëbua nga zyrat e saj pavarësisht një urdhri gjykate që e ndalonte një veprim të tillë. Botuesi i Temës më pas u godit nga truprojat e një manjati nafte, i lidhur me qeverinë.

Prej vitesh në këtë gjendje, nuk është çudi që institucionet shqiptare janë rrëmujë. Madje dhe gjyqësori është rrëmujë, për sa kohë ka një debat politik në lidhje me faktin nëse duhen arrestuar gjashtë komandantë të gardës kombëtare, të kërkuar në lidhje me vrasjen e protestuesve.

Në vend që të ndalojnë dhe të shohin dëmet që kanë shkaktuar, Rama e Berisha kanë mprehur armët. Ata tani po shikojnë të angazhojnë mjete ekstra-institucionale për të fituar ose për të ruajtur pushtetin. Berisha akuzon Ramën se po përpiqet “të fitojë pushtetin me anë të forcës” dhe se ka orkestruar “një tentativë të qartë si kristali” për të rrëzuar qeverinë e ligjshme. Ai synon tani që të nxjerrë në rrugë demonstruesit e tij.

Rama, nga ana tjetër, proteston se shteti i Berishës nuk është demokratik e thotë se vetëm një revolucion i stilit tunizian mund të sjellë ndryshime në vend.

Bashkimi Europian e ka përqendruar vëmendjen vitet e fundit diku tjetër në Ballkan. Tani, megjithatë, BE duhet të bëjë të qartë se politikanët shqiptarë duhet të distancohen nga përdorimi i dhunës dhe t’i japin fund shkatërrimit të institucioneve të shtetit.

Nëse jo, atëherë shqiptarët do të humbin të drejtën për të lëvizur pa viza në Europë dhe vendi do të harrojë çdo shans serioz për një anëtarësim në BE. Madje dhe anëtarësimi i vendit në NATO mund të jetë në rrezik.

Për të treguar shqetësimin e saj, Catherine Ashton, përfaqësuesja më e lartë e BE për politikat e jashtme duhet të dërgojë një negociues të nivelit të lartë në Shqipëri. Një komision i përbërë nga ish-presidentë duhet të ngrihet për të hetuar dhunën e fundit. Komuniteti ndërkombëtar duhet të organizojë dhe të mbajë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare vitin që vjen, duke dërguar një mesazh të qartë se institucionet e Shqipërisë nuk janë më të besueshme ose në gjendje për ta bërë këtë vetë. Një qeveri e re duhet të mbajë një agjendë konkrete për reforma. Kjo mund të ndalojë politikanët shqiptarë që të shkatërrojnë institucionet. Nëse kjo nuk bëhet, pasojat do të ndjehen përtej kufijve të Shqipërisë.

Artikulli në origjinal në faqet internet të New York Times

OSBE: Partitë politike të ulin tonet dhe të rifokusohen në qëllimet strategjike kombëtare

Flukset. Friuli: “Nuk duam më shumë se 300 kuota”