Edhe gazeta e njohur amerikane reklamon bregdetin e jugut të Shqipërisë
Romë, 2 korrik 2011 – Gazeta amerikane “New York Times” ka botuar një reportazh të Seth Kugel-it me titull “Riviera shqiptare, një parajsë e lirë”, ku me detaje të shumta përshkruhet bregdeti nga Vlora në Sarandë. Reporteri e fillon udhëtimin e tij në Vlorë, për të cilën thotë se ka shumë kafene dhe shumë muzikë. Më pas shkon në Himarë, ku më shumë se sa plazhet, i kanë bërë përshtypje kafenetë me pamje nga deti dhe sufllaqet me bollëk.
“Të paktën në aspektin buxhetor, në Shqipëri kishe mundësi të kurseje. Për herë të parë, pagova 500 € në javë për gjithçka kam kërkuar, duke filluar me një udhëtim me autobus nga Dubrovniku i Kroacicë, vetëm 300 milje larg”, shkruan Kugel.
Ndër plazhet që Kugel shëtit përmend Jalën dhe Gjipenë, ku e përshkruan këtë të fundit si një plazh miqësor. Seth Kugel përmend gjithashtu agjencitë që të çojnë në bregdetin shqiptar, çmimet e ushqimeve, fjetjes dhe në fund e mbyll me llogarinë e udhëtimit të tij. “Bëra shumë më shumë se ç’doja dhe fatura ishte 459.87 euro…”, shkruan reporteri.
Të tjera aspekte që i bënë përshtypje janë bunkerët e shumtë të kohës së diktaturës, se sa shumë flitej greqishtja në ato zona, Muzeu i Pavarësisë në Vlorë, ushqimi i shijshëm dhe sigurisht mikpritja.
Në artikullin e tij janë bashkangjitur edhe fotografi nga Riviera shqiptare, personazhet që reporteri takoi gjatë udhëtimit të tij dhe gjithçka çfarë i ka bërë përshtypje.
Artikulli në faqet e New York Times