in

Nga Trieste në Brindisi, për një traget drejt Shqipërisë

Për ata që kanë ndër mend të udhëtojnë me traget drejt Shqipërisë, situata po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Pasi linja Vlorë-Brindisi për ditë me radhë u ndërpre dhe vazhdon të punojë vetëm si dhe kur të vendosin drejtuesi a pronarët, problemi tani ka prekur edhe Triesten.

Kompania Agemar, e vetmja e liçensuar për linjën që lidh Triesten me Durrësin, ka ndërprerë pa asnjë paralajmërim të gjitha lundrimet drejt portit shqiptar.
Gjatë një telefonate bërë kompanisë mësuam se prej muajit mars tragetet nuk lidhin më dy qytetet. Punonjësja na informoi se “nuk ka asnjë parashikim se kur linja mund të fillojë të funksionoje sërish, ndoshta në qershor, po megjithatë nuk dihet, nuk mund t’ju jap një kohë të saktë”. Ajo na sinjalizoi se nëse dëshirojmë të gjejmë një zgjidhje alternative, mund të provojmë nga Ancona, “më duket se kanë rifilluar lundrimet” na shpjegon punonjësja e zyrës së informacionit në Trieste.

Udhëtimi ynë virtual, nga Trieste-Durrës, kthehet në Ancona-Durrës, me shpresën që të paktën kështu të “arrijmë” në destinacion.
Nga Ancona është kompania Adriaferries ajo që menaxhon linjën e trageteve Ancona-Durrës-Ancona. Telefonojmë dhe atje: “Udhëtimi është dy herë në javë, me oraret që shihni në faqen tonë të Internetit”. Këtë herë “udhëtimi ynë” e gjeti një zgjidhje, të paktën deri në pezullimin e ardhshëm pa asnjë paralajmërim.

Megjithë afrimin e festave të Pashkëve e sezonin e verës në prag, lundrimi drejt Shqipërisë ka nevojë për një rrugëtim paraprak përgjatë Italisë, me shpresën që ditët e pushimeve të mos shkojnë kot nëpër porte, duke pritur më kot në sheshet e trageteve.

Irida Cami

Hekurat drejtuesve të ndërmarrjes për skllavërim të emigrantëve

Zihen në burg, 22 të plagosur