Të huajt në Itali fitojnë 973 euro në muaj, 316 më pak se kolegët e tyre italianë. Shqiptarët janë të huajt që fitojnë mesatarisht më shumë, 13.368 euro në vit
Romë, 3 gusht 2012 – Mesatarisht një i huaj në Itali fiton 973 euro në muaj, 316 euro më pak se një italian (ose -24,55). Shifra që përkeqëohen krahasuar me një vit më parë kur mesatarisht fitonin 987 euro në muaj, 294 më pak se kolegët e tyre italianë. Këto janë përfundimet e studimit të fundit të fondacionit Moressa në bazë të të dhënave ISTAT të tremujorit të fundit të vitit 2011.
Shqiptarët janë komuniteti që mesatarisht paguhet më mirë ndër 5 komunitetet më të mëdha të të huajve në Itali, mbi 1 mijë euro në muaj, rrogat e të cilëve duken në rritje krahasuar me një vit më parë. Në fakt, sipas të njëjtit fondacion, në vitin 2010 shqiptarët fitonin mesatarisht 13.047 euro, ndërsa në 2011-tën arrijnë të marrin mesatarisht 13.368 euro në vit. Ajo që shqiptarët fitojnë mesatarisht në Itali mbetet ashtu si vitin e kaluar sa prodhimi i brendshëm bruto i krijuar nga 4,7 shqiptarë në Shqipëri. Këtë përfundim fondacioni e nxjerr duke pasur parasysh që të ardhurat vjetore të një shqiptari, punonjës i varur në Itali, për vitin 2011 ishin 13.368 euro, ndërsa prodhimi i brendshëm bruto për kokë në Shqipëri ishte, sipas fondacionit, 2.868 euro.
Në përgjithësi, në studimin e Moressas vihen në dukje edhe dallimet në rrogë mes grave e burrave emigrantë në Itali. Kështu nëse një imigrant fiton mesatarisht 1,122 euro, një emigrante merr 790 euro në muaj.
Dallime vërehen edhe në sektorë të ndryshëm të ekonomisë apo duke lëvizur nga një zonë në tjetrën.
Fitojnë më shumë se të huajt e tjerë ata që punojnë në transport (mesatarisht 1.257 euro) dhe pas tyre renditen, me mbi 1.000 euro në muaj, ata që punojnë në fabrika (1.170), në ndërtim (1.159), shëndetësi (1.159) dhe tregti (1.074).
Gjithashtu të huajt që punojnë në veri të Italisë fitojnë më shumë se ata që punojnë në Italinë e mesme dhe të jugut. Kanë rrogën më të majme të huajt në Friuli Venecia Giulia (1.113 euro në muaj), Trentino Alto Adige (1.093) dhe Lombardi (1.073) dhe fitojnë shumë pak ata që punojnë në Kalabri (674 euro në muaj), Molise (731) apo Sicili (743).
Gratë e huaja janë ato që fitojnë më pak, mesatarisht 797 euro në muaj, ndërsa meshkujt fitojnë mesatarisht 1.135. Këto janë përfundimet e studimit të fundit të fondacionit Moressa në bazë të të dhënave ISTAT të tremujorit të fundit të vitit 2010.
Keti Biçoku
Shkarko komunikatën e plotë të shtypit të Fondacionit Moressa mbi të ardhurat e imigrantëve