in

Një park i Torinos për Nënë Terezën

Një park i Torinos do të ketë emrin e Nënë Terezës. Vendimi është marrë më 19 mars nga komisioni i toponomastikës me kërkesë së tre shoqatave, “Nënë Tereza”, “Art@mia”, “Infiniti Mondi Onlus”

Moment i rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët në Torino: një park i qytetit do të marrë emrin e Nënë Terezës, organizohet konferenca-dialog “Nënë Tereza, thesar i Shqipërisë, thesar i Njerëzimit” që mbledh dashamirës italianë dhe shqiptarë në mjediset prestigjioze të Pallatit Madama, ku në këtë periudhë është akoma e hapur edhe ekspozita “Thesaret e pasurisë kulturore shqiptare”.

Gruas më të famshme të shekullit XX do t’i dedikohet një park publik në qendrën më plurietnike të qytetit të Torinos. Vendimi u mor më 19 mars nga komisioni i toponomastikës me kërkesë së tre shoqatave, “Nënë Tereza”, “Art@mia”, “Infiniti Mondi Onlus”, drejtuar bashkisë që emri i të shenjtës shqiptare t’i një prej rrugëve, parqeve apo shesheve të qytetit.

Të njëjtat shoqata, në bashkëpunim të ngushtë me Konsullatën e Nderit në Torino, organizuan konferencën-dialog “Nënë Tereza, thesar i Shqipërisë, thesar i Njerëzimit” në mjediset e Palazzo Madama. Dialogu pati një vlerë të veçantë si për pjesëmarrësit ashtu dhe për publikun.

Dom Lush Gjergji, biografi i të Lumnuarës Nënë Tereza, pasqyroi ambjentin e lindjes dhe rritjes së saj dhe parashtroi, përtej bamirësisë, disa aspekte më pak të njohura si aftësinë e saj për të kërkuar gjithmonë dritën, spiritualitetin e saj sa esencial aq dhe të thellë, ndjenjat e saja më intime për Zotin dhe Njeriun, si edhe gërshetimin e tyre në mënyrë të pazgjidhshme në duart punëtore të Nënë Terezës.

Politikani i ri Stefano lo Russo, anëtar i këshillit bashkiak, ndaloi në përshkrimin e Torinos, në karakteristikat e tij si historike ashtu dhe sociale: një qytet që ka qenë në zemrën e zhvillimit industrial të Italisë por dhe që ka rritur në gjirin e tij shenjtorë socialë si Dom G. Bosco apo Dom G. Cotolengo, të njohur jo vetëm nga Kisha por dhe nga mbarë Bota si persona që kanë shpenzuar të gjitha energjitë e tyre në ndihme të më të varfërve. Si bëri Nënë Tereza një shekull më vonë. Gjithashtu lo Russo vuri theksin te gjithë bashkësia shqiptare me banim në Torino, e gjerë për nga numri, dinamike për nga aktivitetet dhe në zhvillim për nga integrimi me qytetin.

Është për t’u shenuar që gjithë bashkësia shqiptare, nëpërmjet individëve dhe shoqatave të ndryshme që veprojnë në Torino, ka mirëpritur e përkrahur kërkesën për t’i kushtuar Nënë Terezës një pjesëz të qytetit, duke krijuar enkas grupin “Torino per Madre Teresa”. Konferenca e lartpërmendur pati mundësinë e mirë t’i bënte jehonë kësaj kërkese nëpërmjet publikut të shumtë në sallë, nëpërmjet pasqyrimit të konferencës gjatë emisioneve informative televizive lokale në Rai3 e Rete7, si dhe nëpërmjet dokumentarit që së shpejti do shfaqet në rrjetin televiziv Telepace.

Shumë miq të prekur nga mesazhi i Nënë Terezës dhe me dëshirën të ndanin ndjeshmërinë e tyre me shqiptarët me banim në Torino, kishin ardhur edhe nga qytetet e Bergamos, Leccos e Trentos. Përshendetën takimin z. Braccialarghe, përgjegjës për kulturën ne bashkinë e Torinos, konsulli shqiptar i nderit në Torino Artan Doda, Dom Olivero si përgjegjës i baritores së të huajve për arqipeshkvinë e Torinos dhe Dom Ferraro si përgjegjës baritor i konferencës ipeshkvnore italiane për shqiptarë me banim në Itali.

Takimi përfundoi me një interval muzikor, të interpretuar nga violinistja e talentuar shqiptare Diana Subashi si dhe harpistja e njohur italiane Stefania Saglietti,  që sollën në sallë emocionet e muzikës së Pjeter Gacit, apo Bach, Debussy e Faurè.

Shpresa e bashkësisë shqiptare në Torino është që brenda vitit, të gjithë qytetarët e Torinos të kenë mundësinë të pushojnë në parkun “Nënë Tereza”.

Andrea Skanjeti, Geri Zheji Ballo

Studentët e ardhshëm shqiptarë në Itali. Ambasada italiane informon

Shqiptarët në Itali{br}Vetëm 514 vetë në vitin 1980