Forcimi i marrëdhënieve me sipërmarrësit italianë dhe nxitja e tyre për të investuar në Shqipëri nga njëra anë, dhe formimi profesional e studimi i gjuhës italiane në shkollat shqiptare nga ana tjetër, ishin në qendër të takimit “Lidership dhe bashkëpunim i ndërsjelltë” të mbajtur në Tiranë. Të pranishëm kryeministri Rama, ambasadori italian në Shqipëri Gaiani dhe ministri i Mirëqenies sociale Veliaj
Tiranë, 13 shkurt 2014 – Qeveria shqiptare po përdor të gjitha mundësitë e rrugët për të nxitur sipërmarrësit italianë të investojnë në Shqipëri. Pas takimeve të kryeministrit Rama me sipërmarrës italianë në Bari, Romë e Milano, të cilëve u premtoi lehtësime nëse investonë në Shqipëri, që nga qiraja 1 euro, të mërkurën ai mori pjesë në tryezën “Lidership dhe bashkëpunim i ndërsjelltë”, ku theksoi sërish nevojën e nxitjes së investimeve italiane, forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe rëndësinë e formimit profesional për t’u punësuar në to.
Rama falënderoi ambasadorin italian Massimo Gaiani, për rolin e çmuar për të çuar përpara projektin e përbashkët “të një qasjeje aktive për nxitjen e investimeve italiane dhe për zgjerimin e njohurive rreth Shqipërisë, tregut në Shqipëri, potencialeve të Shqipërisë, mundësive që ofron sot realiteti, për cilindo që dëshiron të vijë dhe të merret me biznes, bashkë me shqiptarët”.
Kryeministri theksoi gjithashtu kontributin e italianëve në formimin profesional shumë vite më parë. “Në vitet ’30, në Shqipëri ka pasur shumë shkolla profesionale, më shumë se sot, të drejtuara nga specialistë italianë dhe me shumë mësues italianë. Ka qenë një rrjet i tërë shkollash, që është zhvilluar si një bashkëpunim midis dy shteteve”, tha Rama. Kryeministri solli gjithashtu në vëmendje se në këto vite, çiklisti i shquar Pasquale Lisoni ka qenë për shumë vite instruktor për edukimin fizik në Prefekturën e Korçës, ku ka kontribuar për të ndërtuar sistemin e edukimit fizik dhe për të organizuar shumë aktivitete lokale të asaj kohe. “Edhe kampionatet kombëtare në Shqipëri fillimisht janë organizuar me asistencën e specialistëve italianë”, shtoi Rama.
Rama u ndal tek grupi Bosch ndër më të famshmit në fushën e prodhimit të elektroshtëpiakëve, me përfaqësues të të cilit u takua edhe gjatë vizitës së fundit në Milano, dhe që në tryezën e të mërkurës ka prezantuar nismën e hapjes në Shqipëri të shkollave profesionale që do të fokusohen në formimin teknologjik e menaxherial. Kryeministri e ka cilësuar praninë e grupit “BOSCH” në Shqipëri si një faktor pozitiv që do të ndikojë në të ardhmen e tregut të punës. Katheksuar se ai “përfaqëson jo vetëm vlera të rëndësishme të sipërmarrjes, por edhe vlera të rëndësishme etike dhe sociale”. “Patëm fatin të takoheshim gjatë vizitës sonë në Itali dhe të njiheshim më nga afër, duke bërë të mundur që kjo vizitë të realizohet në një kohë të shpejtë dhe të jetë shprehja e parë e një mundësie reale që kemi konstatuar vijimësisht për të forcuar lidhjet me botën e sipërmarrjes italiane dhe përmes këtyre lidhjeve për të rritur praninë e investimeve italiane në Shqipëri”, tha Rama.
“Jemi sot për të hapur një faqe të rëndësishme bashkëpunimi me grupin Bosch dhe për të përfituar nga eksperienca e shkëlqyer cilësore që ky grup mund të na ofrojë, pasi kemi marrë angazhimin se do të hapim një bërthamë fillimisht të reduktuar, por cilësore të formimit profesional, për të shkuar më tej me zgjerimin e këtij aktiviteti dhe shpresojmë edhe me diversifikimin e këtij aktiviteti, sigurisht bazuar edhe në suksesin e bashkëpunimit midis nesh”, theksoi Rama, ndërsa vlerësoi këtë grup si një “nga bankat më të fuqishme të kapitalit njerëzor”.
Ambasadori italian në tiranë Massimo Gaiani tha në takim se “Shqipëria është një vend me interes për sipërmarrësit italiane dhe një vend që mund të ketë mjaft befasi. Të gjithë ata që vijnë këtu, kanë një ide të gabuar për këtë vend, por më pas ndryshojnë mendje kur shohin sesi është Shqipëria sot”.
Gaiani tha se vetë sipërmarrësit italianë, në biseda, kanë shprehur rëndësinë që ka formimi profesional. “Në logjikën e sipërmarrjeve, ky formacion profesional duhet të jetë sa më i afërt me nevojat e biznesit, jo gjëra teorike por që lidhen me atë që ndërmarrja bën dhe me figurat profesionale që ka nevojë”, nënvizoi Ambasadori Gaiani, duke vlerësuar se nisma e Bosch përputhet me nevojat e biznesit. Ambasadori vuri theksin gjithashtu edhe tek gjuha italiane si pjesë e formimit profesional. “Ndërmarrjet italiane janë të shumta në Shqipëri, marrëdhëniet ekonomike me Italinë janë intensive, rreth 40% e shkëmbimeve tregtare bëhen me të. Të gjitha këto të çojnë në përfundimin që njohja e gjuhës italiane në botën e punës duhet të jetë element me rëndësi”, tha ai.
“Duke filluar nga simestri tjetër do të rikthejmë italishten si gjuhë e detyruar në të gjitha shkollat profesionale” premtoi Erion Veliaj, ministër i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë.
“Besojmë se kjo nuk është vetëm një çështje kulture për studentët tanë. Në këtë rast, në fakt është një mjet pune. Italishtja si mjet pune do të futet në të gjitha shkollat tona profesionale dhe do të mësohet në të gjitha qendrat e formimit profesional.
Duke shprehur rëndësinë e shkollave profesionale, Veliaj theksoi se tregu i punës në Shqipëri kërkon formim dhe arsim profesional. Sipas një sondazhi, ndër 10 punë të ofruara nga tregu i punës sot në Shqipëri, 9 kërkojnë formim dhe arsim profesional.