in

OSBE për Shqipërinë: “Qeveria e re me program ambicioz dhe sfida të mëdha përpara”

Nga festimet për 100-vjetorin te fushata zgjedhore, nga kalimi i pushtetit relativisht i qetë te sfidat që ka sot qeveria e majtë në pushtet. Rezultatet e raportit të OSBE-së mbi gjendjen në Shqipëri dhe veprimtarinë e Prezencës vitin e fundit

Romë, 31 tetor 2013 – “Në një vit të mbizotëruar nga zgjedhjet parlamentare të 23 Qershorit, zhvillimi paqësor i tyre, si dhe kalimi relativisht i qetë i pushtetit shënuan një përparim domethënës në Shqipëri, me gjithë mjedisin e vështirë politik dhe ekonomik”, deklarohet në raportin për periudhën shtator 2012 – tetor 2013 e paraqitur sot në Vjenë në Këshillin e Përhershëm nga Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri Florian Raunig.

Në raport thesohet se “atmosfera e mosbesimit midis dy forcave politike kryesore njollosi mjedisin zgjedhor dhe vështirësoi administrimin e gjithë procesit zgjedhor”.

Raporti përfundimtar i misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve i Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) doli në përfundimin se zgjedhjet “ishin konkurruese, me pjesëmarrje aktive qytetare gjatë gjithë fushatës dhe respekt të mirëfilltë për liritë themelore”

Në këtë raport kujtohet se viti i kaluar ka qenë një kohë zhvillimesh domethënëse në Shqipëri. Në fund të nëntorit, Shqipëria festoi 100 vjet pavarësi. Festimet ishin, gjithsesi, një çast bashkues. Përparimi në agjendën e reformave ngeci, ndërsa armiqësia dhe polarizimi politik u rritën vazhdimisht me afrimin e zgjedhjeve parlamentare të 23 Qershorit.

Miratimi, në Maj 2013, i dy ligjeve me shumicë të cilësuar, konkretisht i ligjit për Gjykatën e Lartë dhe atij për nëpunësin civil, si dhe i rregullores së Kuvendit, përmes bashkimit të votave të shumicës qeverisëse dhe opozitës, përbëjnë një përjashtim për t’u shënuar, cilësohet në raport.

Zgjedhjet e 23 qershorit nxorën fitues, me një diferencë të madhe, koalicionin e udhëhequr nga Partia Socialiste; koalicioni fitoi 83 vende, por për shkak të kapërcimit të mëvonshëm të një deputeti të opozitës, koalicioni i ri qeverisës tani ka 84 votat e nevojshme për të kaluar legjislacion me shumicë të cilësuar prej tri të pestash.

Kalimi i pushtetit, që pasoi zgjedhjet, ishte relativisht i qetë, ndonëse jo krejtësisht pa akuza për shpërdorim pushteti nga ana e qeverisë në ikje dhe për spastrim të supozuar të administratës publike nga ana e qeverisë në ardhje.

Qeveria e re mori detyrën më 15 Shtator, me një agjendë ambicioze. Megjithë këtë, qeveria e re përballet me sfida të konsiderueshme, të cilat duhen trajtuar në një mënyrë të pjekur dhe gjithëpërfshirëse. Është pozitive që shumica e re ka shfaqur interesin e saj të fortë për të ecur përpara me reformat shumë të nevojshme dhe është zotuar të punojë bashkë me opozitën në këtë drejtim.

Shpresohet që opozita do të përgjigjet në një mënyrë të favorshme për arritjen e përparimit në axhendën e reformave të vendit. Prezenca dhe bashkësia ndërkombëtare më gjerë kanë vijuar t’u theksojnë të gjitha palëve nevojën për t’u angazhuar plotësisht në institucionet demokratike të vendit.

Klasa politike shqiptare ka rastin që të përqafojë një stil të freskët politik për të përballuar sfidat thelbësore dhe për të përmbushur aspiratat e qytetarëve të saj. Këto aspirata dhe vlerat që ato mbartin janë edhe të OSBE-së dhe në Shqipëri ka një rol të spikatur për të luajtur në avancimin e tyre, duke ofruar përkrahje dhe partneritet.

Gjithsesi, atmosfera e mosbesimit midis dy forcave politike kryesore njollosi mjedisin zgjedhor dhe vështirësoi administrimin e gjithë procesit zgjedhor. Pas zgjedhjeve, udhëheqësi historik i Partisë Demokratike dhe kryeministri i atëhershëm, Sali Berisha, pranoi humbjen dhe dha dorëheqjen si kryetar partie, duke u hapur kësisoj rrugë zgjedhjeve për një kryetar të ri partie, të cilat u fituan nga Lulëzim Basha.

Qeveria e re, e udhëhequr nga kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, në koalicion me kryetarin e Kuvendit dhe kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, shpalli synimin e saj për t’u përqendruar te zhvillimi dhe reformat e nevojshme për të përmirësuar situatën politike, ekonomike dhe shoqërore në Shqipëri dhe për të arritur përparim të mëtejshëm në integrimin evropian të Shqipërisë.

Shkarko raportin në gjuhën shqipe

Circa due milioni di immigrati lavorano, solo 26mila prendono una pensione

“Brenga ime shqiptare”. Përtej detit, aty ku lind dielli