in

Pasaporta të reja në Romë e Milano. Mbi 5 mijë numri i aplikimeve

Në Konsullatën e përgjithshme të Milanos, mund të tërhiqen pasaportat për të cilat është aplikuar deri më 19 gusht, ndërsa sipas faqes internet të Ambasadës sonë, të përditësuar më 2 shtator, janë mbi 1.900 pasaportat që kanë mbërritur deri tani

Romë, 8 shtator 2011 – Mbi 5 mijë shqiptarë në Itali kanë kërkuar deri tani pasaportën biometrike në një prej dy zyrave të hapura këtu, në konsullatën në Milano apo në zyrën konsullore të Ambasadës në Romë. Vetëm në zyrën e konsullore të Romës kanë mbërritur deri më sot mbi 1.900 pasaporta të gatshme. Duke i shtuar kësaj shifre  ata që kanë aplikuar javët e fundit, pasaportat e të cilëve ende nuk janë gati, dhe duke pasur parasysh që fluksi në Milano është më i lartë se ai i shqiptarëve që aplikojnë në Romë, është e lehtë të thuhet që deri më sot (nga 27 prilli, datë kur nisi procesi) kanë aplikuar për pasaportë biometrike mbi pesë mijë shqiptarë. Mbi 1.300 vetë në muaj. Apo e thënë ndryshe, nga ky proces shoqërisë Aleat, deri tani i kanë hyrë rreth 550 mijë euro.

Konsullata e përgjithshme e Shqipërisë në Milano, në faqen e saj të internetit, lajmëron se të gjithë qytetarët shqiptarë që kanë aplikuar për pasaportat biometrike pranë kësaj konsullate nga 28 prilli deri më 19 gusht, mund të paraqiten pranë saj për t’i tërhequr”. Natyrisht, nëse nuk e kanë bërë deri më sot.

Sipas lajmërimit on-line të Konsullatës, tërheqja bëhet nga ora 12:00 deri në orën 14:00, nga e hëna në të premte, duke paraqitur faturën e aplikimit dhe një dokument identifikimi. Nëse pasaporta mund të tërhiqet edhe nga një familjar (me faturën e aplikimi), kush ka paraqitur kërkesë edhe për letërnjoftimin elektronik, duhet të paraqitet personalisht në konsullatë.

Për informacione të ndryshme mund të kontaktoni përmes numrit të celularit +39.3920686139 apo te konsultoni sitin zyrtar të konsullatës së Milanos.

Ndërsa Zyra konsullore e Ambasadës shqiptare në Romë ka përditësuar listën e pasaporta të gatshme, me të rejat e mbërritura më 2 shtator 2011. Vetëm në këtë zyrë pasaportat e reja të mbërritura, që janë tërhequr apo mund të tërhiqen nga mbajtësit, janë mbi 1.900.

Këtu, nën këtë artikull gjeni listën e plotë të pasaportave të gatshme të arritura në Ambasadë deri më 2 shtator. Kush gjen emrin në listë e nuk e ka tërhequr ende pasaportën biometrike dhe letërnjoftim elektronik, mund të paraqitet pranë Ambasadës së Shqipërisë në Romë për t’i tërhequr ato në oraret 13:00 – 15:00, nga e hëna deri të premten.

Për tërheqjen duhet të paraqiten me një dokument identiteti me foto dhe me faturën e aplikimit.

Tërheqja e letërnjoftimit bëhet vetëm në praninë e personit që ka aplikuar, ndërsa për fëmijët pasaporta mund të tërhiqet edhe nga prindi, pa praninë e fëmijës duke pasur me vete një dokument që vërteton lidhjen familjare me fëmijën.

Para se të shkohet në Ambasadë është mirë të pyetet në numrin e celularit të vënë në dispozicion për informacione (0039)342.364.0798 apo të konsultohen faqet internet ku botohet lista e pasaportave të gatshme.

Lista e plotë e pasaportave të gatshme (përditësimi i fundit është i datës 2 shtator) për t’u tërhequr në zyrën konsullore pranë Ambasadës shqiptare në Romë

 

Manovra ekonomike. Cgil: “Po u mbahet haraç imigrantëve. Duhet një sanatore”

Medalje e argjendtë për vlera qytetare, Blerim Shkrepit