in

Pasaportat biometrike. Hapi i parë drejt zgjidhjes së problemit të toponimive

Këshilli i Ministrave vendos të ndryshojë plotësimin e rubrikës “Vendlindje” në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe në certifikata për përdorim nga autoritetet e huaja

Tiranë, 29 gusht 2014 – Vitet e fundit, me pasaportat e reja biometrike, shumë qytetarë, veçanërisht emigrantë në Greqi, kanë hasur një problem të ri që ka të bëjë me mënyrën e të shkruarit të toponimive greke në dokumentin shqiptar. Të shkruara në gjuhën shqipe, edhe kur vendlindja është një komunë greke, e të papërkthyera në anglisht (gjë që bëhet për fusha të tjera të pasaportës, si për shembull: Republika e Shqipërisë/Republic of Albania), këto toponime nuk janë njohur nga autoritetet greke të kufirit që kanë kthyer mbrasht apo penguar me orë të tëra qindra emigrantë. Problemi, veçanërisht i mprehtë në periudha festash e pushimesh, është zgjidhur deri majin e shkuar memarrëveshje greko-shqiptare të përkohshme për lejimin e kalimit të qytetarëve në kufi.

Më në fund, më 12 maj 2014, në një deklaratë të përbashkët të Ministrave të Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe Greqisë thuhej që problemi të zgjidhet njëherë e mirë duke shkruar toponimet e huaja në bazë të “katalogëve zyrtarë që secili vend ka paraqitur tek mekanizmat përkatës në OKB [Kombet e Bashkuara kanë një ent të posaçëm që merret pikërisht me standardizimin e emrave gjeografikë – UNGEGN-United Nations Group of Experts on Geographical Names] dhe organizatat e tjera ndërkombëtare dhe, veçanërisht, standardet ICAO [International civil Aviation Organization]”. Si afat i fundit u vu 1 janari 2015, kur qytetarët do të mund pajisen me dokumente të reja, me shkrimin e toponimive siç u ra dakord në maj.

Duket se një hap konkret në këtë drejtim është hedhur më 27 gusht kur në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave është marrë vendim për “Disa shtesa në vendimin nr. 332 e 17 marsit 2010 të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e formës, elementeve përbërëse, mënyrës së mbajtjes dhe afatit të përdorimit të dokumenteve bazë, që mbahen dhe lëshohen nga shërimi i Gjendjes Civile”, të ndryshuar”, dhe që kanë të bëjnë pikërisht me shkrimin e emërtimeve të vendeve në regjistrin kombëtar të Gjendjes Civile dhe në certifikata për përdorim nga autoritetet e huaja.

vendimin e 27 gushtit të Qeverisë përcaktohet që:
Në të gjitha modelet e certifikatave për përdorim nga autoritetet e huaja, që lëshojnë zyrat e gjendjes civile në njësitë e qeverisjes vendore, informacioni në rubrikën “vendlindja” të plotësohet, i shkruar sipas rasteve: 
a) Për shtetet, të cilat kanë depozituar pranë OKB-së katalogët zyrtarë të emrave gjeografikë të romanizuar (toponimet), sipas listës së vënë në dispozicion nga Ministria e Punëve të Jashtme, si dhe kodin 3-karakterësh të shtetit përkatës, sipas standardit ICAO;
b) Për shtetet, të cilat nuk kanë depozituar pranë OKB-së këta katalogë, sipas shkrimit në dokumentin e hartuar nga vendi i origjinës, por me simbole, germa latine/romane, si dhe kodin 3-karakterësh të shtetit përkatës, sipas standardit ICAO
c) Rubrikat e tjera të certifikatave, për përdorim nga autoritetet e huaja, të plotësohen në gjuhën zyrtare shqipe
”.

Në pikën e dytë të vendimit lexohet se “ngarkohet ministri i Punëve të Brendshme për nxjerrjen e akteve për rregullat e plotësimit të rubrikës “vendlindja”, në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile”.

E pikërisht pas këtij ndryshimi në plotësimin e rubrikës Vendlindja Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, do të korrigjohen edhe pasaportat, gjë që do të zgjidhë përfundimisht problemin edhe me pasaportat biometrike. E me siguri zgjidhjen do ta paguajnë gjithnjë qytetarët, që do t’u duhet të ribëjnë dokumentet “e reja” biometrike. Duke i paguar sërish, ndoshta edhe më shtrenjtë nga ç’i kanë paguar fillimisht.

Vendimi i 27 gushtit “do të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare”, lexohet në fund të tij. Shpresa është që të botohet sa më shpejt, në mënyrë që kujt do t’i duhet të ndërrojë pasaportën shqiptare, ta bëjë këta muajt e fundit të këtij viti. Është e udhës të mbahet parasysh që nga 1 janari 2015 pasaporta do të ketë çmim më të lartë: 7.500 lekë nëse do të merret në Shqipëri e të paktën 130 euro nëse do të kërkohet në konsullata. Sepse kështu vendosi qeveria Berisha vitin e shkuar, kur dy muaj para zgjedhjeve përcaktoi t’i shtyjë me 10 vjet kohëzgjatjen e marrëveshjes për prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve mes Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Grupimit Morpho dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, si edhe rritjen me 25% të çmimit të dokumenteve duke nisur nga 1 janari 2015.

Lexo edhe: Pasaportat biometrike. Nga 1 janari 2015, çmimi do të rritet me 25%

Keti Biçoku

(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Merkel-Barroso: Të përshpejtohet procesi i anëtarësimit të Ballkanit në BE

Roberto Saviano: “Më shumë të drejta për imigrantët. Ata mund të shpëtojnë Italinë”