in

“PËR ATË QË DUA(M)…” libri i “19 vjeçarit të përhershëm” Atjon Zhiti

Janë 229 faqe me ese dhe statuse në Facebook, recensa, poezi e përkthime, me një parathënie të gjerë nga i ati i Atjonit, Visari. Libri shoqërohet me një album fotografik, dhe me një kapitull të fundit me thënie për Atjonin, nga shoqet dhe shokët e tij, studentë  e qytetarë, të njohur e të panjohur, profesorë e kritikë arti, artistë, shkrimtarë të shquar

Doli në qarkullim këto ditë në të gjitha libraritë e Shqipërisë libri i Atjonit Zhitit, me një titull të veçantë, të bukur dhe rinor ashtu si dhe vetë autori, “PËR ATË QË DUA(M)”, pra, për atë që ai do, por dhe gjithsecili nga ne dhe të gjithë së bashku.  

I botuar nga shtëpia botuese “EUETPRESS” i Universitetit Europian të Tiranës, libri  shpalos në mënyrën më origjinale ide, mendime dhe një realitet të ninëzuar nga një 19 vjeçar plot freski, ëndrra dhe përkushtim të bukur. Janë 229 faqe me ese dhe statuse në Facebook, recensa, poezi e përkthime, etj, një pjesë të botuara nëpër gazeta të ndryshme në Shqipëri e Kosovë e në shtypin e diasporës deri matanë oqeanit në SHBA, por ka dhe shkrime që dalin për herë të parë, të gjitha të ruajtura nga e ëma e Atjonit, Eda. Libri shoqërohet me një parathënie të gjerë nga i ati i Atjonit, Visari, por dhe me një album fotografik, një udhëtim me imazhe dhe me një kapitull të fundit me thënie për Atjonin, së pari nga shoqet dhe shokët e tij, studentë  e qytetarë, të njohur e të panjohur, profesorë e kritikë arti, artistë, shkrimtarë të shquar, etj, etj, jo vetëm nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, por nga vende të tjera, nga fqinjët ballkanikë, Greqi e Mal i Zi e Serbi, më së shumti nga Italia, ku Atjoni vazhdonte studimet për filozofi në Universitetin “Sacro Cuore” në Milano, nga Franca e Gjermania, Spanja, vendet nordike, SHBA-ja, etj, që i bashkon të gjithë dhimbja dhe dashuria, këtë rradhë të përndezuar nga Atjoni ynë…

Libri, i redaktuar kujdesshëm nga gazetarët e njohur Alfred Lela dhe Valbona Nathanaili, lexohet me ëndje, ka shqetësimet e Atjonit, mënçurinë studentore, ëndrrën për një të ardhme më të mirë, duke e pritur nga vetja, nga askush tjetër, madje me porosinë që jo të presësh, por të veprosh, gjithsecili me përkushtimin e tij, me aftësitë e veta, me mirësinë e bashkarisht, me përvojën kolektive dhe vegimet, sa kombëtare, po aq dhe europiane, për një Shqipëri normale, të bukur sa dhe ata që e duan, lashtësia e së cilës është rrënjë e sigurtë e së ardhmes…

Nga këtej duket i frymëzuar autori, që tani na frymëzon ne me librin e tij të parë. Libri i ngjan një bisede me Atjonin, ka zërin e tij, ka pasionin e tij, ka rrugën e tij dhe dritën e tij si një brerore qiellore…

Ka arkitekturën e duhur estetike, të tërheq nga njëri kapitull në tjetrin, për sinqeritetin mahnitës, nga intimitetet fëminore deri në angazhimet sociale të një të riu, të tërheq po kaq për lëndën dhe frazën tekstuale, për kulturën që përçon dhe mesazhet e hapura e me rëndësi.

“Është testamenti i Atjonit për Shqipërinë, Ungjilli për të rinjtë, fari ndriçues i brezit të tij”, – thotë studiuesi dhe eseisti Eugjen Merlika. “Buzëqeshja e tij, – thotë në libër njëri nga shokët e Atjonit – ishte mjeti me të cilin donte të ndryshonte botën”.

Rrugën e Atjonit e ndërpreu qysh në nisje fati i zi. Ai u nda nga jeta 8 muaj më parë për shkak të një aksidenti rrugor. Motorri, që e ngiste një moshatari i tij me shpejtësi të çmendur, u përplas tragjikisht me blloqet e betonit që bënin ndarjen e autostradës Tiranë-Durrës, në kohën kur ajo riparohej. Dhe ende drejtësia nuk e ka thënë fjalën e saj, nuk ka nxjerrë pergjegjësitë e duhura, teksa shkaktari i tragjedisë i shmanget përballjes, me justifikimin se “nuk mban mend asgjë”, kur ai tashmë ka hyrë në normalitet dhe e ka detyrë, të paktën njerëzore, jo vetëm ligjore, të rrëfejë nga e vërteta fatale. Të harrosh nuk do të thotë se e ke zhbërë atë që ka ndodhur, na lë të nënkuptohet dhe parathënia e librit, ku kërkohet dhe ndërgjegje e lartë shoqërore.

Por realiteti ynë ngjan shpesh anormal, mizor, i prekur me dhimbje dhe në esetë e veprës së Atjon Zhitit “Për atë që dua(m)…”, që ngjajnë sikur gishtat dridhës prekin plagë me gjakimin e shërimit të tyre sa më parë e sa më mirë.

Libri i Atjon Zhitit na trondit jo vetëm për atë që është, për aq sa arriti të thoshte autori, por dhe sepse na jep boshin humneror të asaj që ai do të mund të ngrinte, vegimin e asaj që do të donte të shkrunate e të bënte ky autor i ri e i talentuar, i ndëprerë tragjikisht, kur sapo nisi.

Libri, për koinçidencë, u prezantua më 30 gusht, kur autori do të mbushte 20 vjeç. 

Calderoli: “Lejeqëndrime shumë të shtrenjta? Euro-çmenduri…”

Kopenhagen kuqezi (video)