in

Politika kosovare e shqiptare ngushëllimet më të thella për humbjen e poetit Ali Podrimja

Ndarja nga jeta e Ali Podrimjes nuk është humbje vetëm për familjen, të afërmit e miqtë. Është humbje e madhe për të gjithë qytetarët e Kosovës, për kulturën, për artin, për Kosovën në përgjithësi. Poeti e intelektuali i madh Ali Podrimja, me fjalët dhe veprat e tij, kaloi shumë herët kufijtë e Kosovës dhe u bë i njohur në rrethe shumë më të gjera të artit dhe të kulturës, duke e ofruar Kosovën me botën” Shkruan Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga në telegramin e ngushëllimit dërguar familjes Podrimja. Ajo vlerëson se vepra e madhe e Ali Podrimjes do të jetojë ndër mote, duke ruajtur kujtimin për të dhe duke shërbyer si frymëzim e motivim për brezat e rinj të poetëve dhe intelektualëve të Kosovës.

Për Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, “Ali Podrimja ishte lirik i lindur dhe i realizuar në veprën e tij poetike, dhe preku majat e lirikës shqipe, duke u bërë edhe vetë vlerë kulmore”. Në një telegram ngushëllimi drejtuar Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe familjes ai shkruan se “vdekja e poetit Ali Podrimja është humbje e madhe për familjen, për kulturën kombëtare dhe Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës”.

Ai vlerëson se “Ali Podrimja, një talent i rrallë dhe krijues i vlerave të përjetshme  artistike, ka lënë gjurmë të  thella dhe të pashlyeshme  në kulturën tonë kombëtare. Volumi i krijimtarisë së tij artistike është margaritar estetik, letrar dhe eseistik, që më shumë se gjysmë shekulli u ngrit dhe u përpunua vazhdimisht, duke i lënë trashëgimi të pasur shpirtërore letërsisë dhe kulturës shqiptare”, thekson Thaçi.

“Largimi i parakohshëm nga kjo jetë i poetit të shquar nga Gjakova, i artistit me shpirt të ndjeshëm, i cili për dekada me radhë lartësoi me poezinë e tij të mbushur me simbole dhe metafora të pakrahasueshme, ndjenjat më të pastra atdhetare e liridashëse në Kosovë, na ka hidhëruar pamasë të gjithëve. Në kujtesën e të gjithë lexuesve dhe artdashësve shqiptarë, kudo që ndodhen, Ali Podrimja do të mbetet përherë i skalitur me talentin e tij të arrirë artistik, me teknikën e admirueshme poetike si dhe me profilin e veçantë dhe plot virtyte të rralla njerëzore, duke frymëzuar kështu breza të tërë poetësh e shkrimtarësh në të gjitha trojet e banuara prej shqiptarëve”, shprehet Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi në mesazhin e tij drejtuar familjes së poetit.

Kryeministri Sali Berisha, në mesazhin e tij shprehet se “lajmi tragjik dhe shokues i ndarjes nga jeta të njeriut tuaj më të dashur, princit të poezisë së letrave shqipe, personalitetit të shquar e mendjendritur të kombit tonë, atdhetarit të flaktë Ali Podrimja ka sjellë  gjëmë dhe dhimbje në mbarë zemrat e shqiptarëve. Me ndarjen nga jeta të Ali Podrimës shqiptarët humbën poetin e tyre më të madh të kohës së sotme, këngëtarin e dhimbjeve dhe vuajtjeve të tyre të mëdha, por dhe të qëndresës së tyre legjendare. Mendimi dhe bota intelektuale shqiptare humbën intelektualin luftëtar te pamposhtur të lirisë dhe dinjitetit njerëzor dhe kombëtar”.

“Na lënë si trashëgim të pavdekshëm kryeveprat e tij, lirikat e gurta, elegjitë e dhimbjes së madhe njerëzore, apoteozën dhe himnet e qëndresës së pashembullt që do shndrisin përjetë në kurorën e letrave tona” vlerëson Berisha veprën e Podrimës.

“Ali Podrimja i përket një brezi të ndritur shkrimtarësh dhe poetësh, që jetën dhe veprën e tyre ia përkushtuan lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës. Dhe në këtë plejadë të shkëlqyer shkrimtarësh dhe artistësh veçohet poezia e Podrimës, ndriçon arti i tij i rrallë poetik, vetëdija kombëtare prej rilindasi. Vepra e poetit Ali Podrimja  është dhe do të jetë emblemë e shqiptarisë dhe për poetët e sotëm dhe të ardhshëm, model i një arti të lartë, i një poezie të ndershme” shkruan në mesazhin e tij ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi.

Francë Gjendet i vdekur poeti Ali Podrimja

Romë. Zihet me një vendas, e rrahin keqas shokët e këtij të fundit