in

Presidenti italian Napolitano pret presidentin Nishani

Napolitano: “Italia është e interesuar që Shqipëria të ndikojë pozitivisht edhe në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”. Nishani falënderoi Napolitanon “për kontributin që Italia ka dhënë në momentet kyçe të historisë moderne shqiptare e në demokratizimin e Shqipërisë”

Romë, 29 dhjetor 2012 – Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Odeta, dhe anëtarë të Kabinetit gjatë vizitës së tij në Romë, u prit dje në një takim në Pallatin presidencial “Quirinale” nga Presidenti i Italisë, Giorgio Napolitano.

Pasi shprehu kënaqësinë e veçantë për këtë takim të ngrohtë dhe miqësor, Presidenti Nishani e falënderoi Presidentin Napolitano për kontributin që ai ka dhënë personalisht dhe të shtetit italian në momentet më kyçe të historisë moderne shqiptare, në demokratizimin e Shqipërisë dhe shprehu bindjen se marrëdhëniet e gjithanshme historike, politike, ekonomike dhe kulturore midis dy vendeve do të thellohen edhe më tej.

Kreu i Shtetit shqiptar evidentoi mbështetjen dhe mikpritjen që u ofroi qytetarëve shqiptarë shteti italian në momentet e një dëshpërimi të thellë pas rënies së regjimit të diktaturës dhe eksodit të shqiptarëve në Perëndim. Vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme që Italia ka treguar ndaj agjendës evropiane të Shqipërisë, duke nënvizuar se Shqipëria dhe shqiptarët janë të qartë se objektivi i tyre për t’u integruar në Bashkimin Evropian është që të hyjnë në BE si kontribuues dhe jo si konsumatorë. Nishani theksoi se marrja e statusit të vendit kandidat është tashmë përgjegjësi e klasës politike shqiptare dhe shprehu bindjen se marrja e Presidencës së radhës së BE-së nga Italia në vitin 2014 do të ketë një impakt shumë të rëndësishëm në ecurinë e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë. Presidenti Nishani vlerësoi bashkëpunimin e shumanshëm që ekziston ndërmjet dy vendeve në fushën ekonomike, bashkëpunimin ndërmjet policive kufitare dhe të shtetit dhe inkurajoi forcimin e bashkëpunimit bilateral duke ftuar sipërmarrësit italianë të investojnë në Shqipëri në fushën e energjetikës, turizmit, bujqësisë, etj.

Presidenti Italian Giorgio Napolitano nga ana e tij vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet qeverive e institucioneve të tjera, duke çmuar lart edhe punën që diplomacitë e dy vendeve bëjnë për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Napolitano vlerësoi rolin që Shqipëria ka luajtur dhe luan në rajon duke nënvizuar se Italia është e interesuar që Shqipëria të ndikojë pozitivisht edhe në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Dy Krerët e Shteteve ndanë mendimin se rritja e sigurisë dhe stabilitetit në rajon mund të realizohet më shpejt, nëpërmjet një bashkëpunimi më të koordinuar rajonal mes vendeve, bashkëpunimit të ngushtë, fqinjësisë së mirë, të cilat janë rruga e vetme për t’u integruar në Bashkimin Evropian.

Po dje, Presidenti i Shqipërisë, Nishani, dhe Presidenti i Italisë, Napolitano, vizituan ekspozitën “Thesaret e Trashëgimisë Kulturore Shqiptare”, e çelur në Kompleksin “Vittoriano”, në kuadër të veprimtarive kushtuar 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Të shoqëruar nga Drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Prof. Apollon Baçe, Presidenti Nishani dhe Presidenti Napolitano panë nga afër objektet e trashëgimisë kulturore shqiptare të ekspozuara sipas epokave historike, që datojnë nga periudha e Neolitit (viti 6000 para Krishtit deri në shekullin e 18-të pas Krishtit).

Presidentët u njohën me eksponatet e ekspozitës, ku veçojmë stolitë e periudhës së Neolitit, skulpturat e Antikitetit, si Koka e Apollonit e shkollës së Praksitelit, epitafin e Glavenicës dhe pikturat e Onufrit, si dhe peizazhet turistike të Shqipërisë të ekspozuara përmes fotografish dhe videosh.

Presidenti Napolitano, të cilit në fund të vizitës në ekspozitë iu dhurua katalogu i saj, u shpreh se vlerat e veçanta të pasurisë kulturore shqiptare janë vlera dhe pasuri jo vetëm të Shqipërisë, por vlera dhe pasuri ndërkombëtare.

 

Presidenti Nishani në Romë takon homologun italian

Shqipëria gjatë vitit të jubileut të saj