in

Presidenti nuk firmos ligjin për menaxhimin e plehrave

Letër e presidentit Topi drejtuar deputetëve

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi vendosi kthimin për rishqyrtim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë të ligjit nr. 10 463, datë 22. 09. 2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, me motivimin:

“Të nderuar deputetë,

Kushtetuta e Shqipërisë, dokumenti ynë themelor, udhërrëfyes i tërë veprimtarisë sonë shtetërore dhe shoqërore, parashikon si një ndër objektivat socialë të institucioneve shqiptare, synimin për një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm. Krijimi dhe ruajtja e një mjedisi të tillë, garantimi i standardeve të zhvilluara mjedisore, shfrytëzimi i burimeve natyrore mbi bazën e parimit të zhvillimit të qëndrueshëm, janë objektiva socialë kushtetues, por edhe detyrim moral ndaj së tashmes dhe së ardhmes sonë të përbashkët.

Mbi këtë motivim kushtetues, shqyrtova me vëmendje ligjin nr. 10 463, datë 22. 09. 2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”. Ligjin e konsideroj si një përpjekje të rëndësishme dhe të domosdoshme për zgjidhjen e një problemi me pasoja për mjedisin dhe shëndetin e njeriut. Një ligj i tillë, por akoma më shumë, zbatimi me korrektësi i rregullimeve dhe detyrimeve që ai vendos, do të garantonin qëllimin për menaxhimin e mbetjeve dhe mbrojtjen e mjedisit në Shqipëri.

Megjithatë, me qëllim që ligji dhe zgjidhjet e ofruara për menaxhimin e mbetjeve në Republikën e Shqipërisë të garantojnë sa më tepër rezultate pozitive, në bazë të nenit 85, paragrafi 1 të Kushtetutës, vendosa të mos e dekretoj, por ta kthej edhe njëherë për rishqyrtim në Kuvend, pasi gjej në të, mospërputhje dhe dispozita jashtë objektit të vetë ligjit. Më konkretisht:

1 – Qëllimi kryesor i ligjit është marrja e masave të nevojshme dhe të domosdoshme për menaxhimin e mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë. Ky është një proces tejet i rëndësishëm, i domosdoshëm dhe në kohën e duhur, pasi mbetjet në Shqipëri, hapësirat që ato kanë zënë, efektet që ato vazhdojnë të sjellin, shpeshherë edhe të parikuperueshme për mjedisin dhe shëndetin e njeriut, duhet të kalojnë nëpërmjet procesit të menaxhimit të përshtatshëm mjedisor të tyre. Ky qëllim është i shprehur qartë në nenin 1 të ligjit, duke përcaktuar se “ky ligj ka për qëllim mbrojtjen e mjedisit, shëndetit të njeriut dhe menaxhimit të duhur mjedisor të mbetjeve nëpërmjet:

a) parandalimit e minimizimit të mbetjeve ose pakësimit të ndikimeve negative nga krijimi dhe menaxhimi i integruar i mbetjeve;

b) përmirësimit të eficensës së përdorimit të tyre;

c) pakësimit të ndikimeve negative të përgjithshme nga përdorimi i burimeve.”

I tërë ligji, më pas, përshkohet nga rregullat dhe procedurat për kryerjen e këtij procesi menaxhimi; por, parashikimi i nenit 49, për importin e mbetjeve në Republikën e Shqipërisë, vlerësoj se del jashtë qëllimit të ligjit. Në një kohë kur i tërë ligji i është dedikuar marrjes së masave dhe kryerjes së procedurave për menaxhimin mjedisor të mbetjeve në Shqipëri, si një problem i rëndë dhe ende i pazgjidhur i mjedisit shqiptar sot, krijimi i mundësive për import të mbetjeve të vendeve të tjera, duket se bie ndesh me qëllimin e deklaruar për“minimizimin e mbetjeve ose pakësimit të ndikimeve negative nga krijimi dhe menaxhimi i integruar i mbetjeve”, apo “pakësimit të ndikimeve negative të përgjithshme nga përdorimi i burimeve”. 

2 – Gjithashtu, neni 2, pika 1 e ligjit përcakton objektin e ligjit, duke parashikuar se dispozitat e tij zbatohen për menaxhimin e mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë. Gjykoj se kjo dispozitë ka parasysh se në territorin e Republikës së Shqipërisë do të menaxhohen mbetjet që vijnë nga burime brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Meqenëse, neni 49 i ligjit, bën fjalë për importin e mbetjeve në Shqipëri, atëherë, vlerësoj se neni 49 vjen në kundërshtim edhe me objektin e ligjit, të shprehur në dispozitën parimore të tij, neni 2, pika 1.

3 – Po kështu, neni 2, pika 2 e ligjit parashikon se “ligji përcakton rregullat e përgjithshme për menaxhimin e integruar të mbetjeve, përfshirë parandalimin ose pakësimin e ndikimeve negative nga krijimi dhe menaxhimi i tyre, përmes pakësimit të përdorimit të burimeve”. E konsideroj se një dispozitë e tillë është në përputhje me objektivin e krijimit të një mjedisi sa më të shëndetshëm; por, neni 49 i ligjit, duke parashikuar dhe lejuar importin e mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë jo vetëm që nuk ndihmon në arritjen e këtij qëllimi, pra në parandalimin ose pakësimin e ndikimeve negative nga krijimi i mbetjeve, por ai shton edhe përdorimin e burimeve të mbetjeve. Kjo bën që dy dispozitat të bien në kundërshtim me njëra – tjetrën dhe neni 49, gjithashtu, të kufizojë mundësinë e arritjes së objektivit kushtetues për një mjedis të shëndetshëm.

Të nderuar deputetë,

Kthimi i këtij ligji për t’iu nënshtruar edhe njëherë shqyrtimit tuaj, synon realizimin sa më të mirë të qëllimit për të cilin është miratuar nga ana juaj, menaxhimin e mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të njeriut. Mbetem i mendimit se ligji ka nevojë për përmirësime në drejtimet e mësipërme, por gjykoj se çdo variant i ofruar duhet të jetë në pajtim me objektivat socialë që Kushtetuta ka vendosur, që institucionet dhe shoqëria shqiptare duhet të kenë në raport me jetën tonë dhe brezat e ardhshëm.

Duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj,

Me respekt,

Presidenti i Republikës
Bamir Topi
” 

TOB nderon Migjenin me spektaklin “Migjeniana”

Topi: “Ligji mbi mbetjet mund të korrigjohet. Topalli të mësojë të flasë shqip”