Mark e Marie Gjoni, prindërit e 22 vjeçarit të vrarë nga pensionisti Francesco Sicignano flasin për të përditshmen italiane Repubblica: “Ta arrestonin, por jo ta vrisnin! Nuk duam hakmarrje por drejtësi!”. Sicignano në TV reagon ashpër ndaj kujt i thotë se mund të kish qëlluar në ajër: “Nuk e ftoi njeri në shtëpinë time!”
Repubblica boton sot një intervistë me prindërit e 22-vjeçarit që u vra në Vapprio d’Adda një javë më parë që ka po ndan opinionin publik në Itali mes atyre që justifikojnë të moshuarin që mori pistoletën dhe e qëlloi në zemër me justifikimin se mbrojtja personale nuk është kurrë e tepruar, dhe të tjerëve që me të drejtë janë të mendimit se nuk mund të bëhet drejtësia në këtë mënyrë, se në një vend demokratik normal u takon organeve të drejtësisë, dhe vetëm atyre, të gjykojnë dhe të dënojnë keqbërësit.
Mark e Marie Gjoni, prindërit e Gjergjit, të dërrmuar nga dhimbja thonë për gazetarin e Reppublica-s se tani kërkojnë vetëm dy gjëra t’u kthehet trupi i djalit dhe të dalë në shesh e vërteta: “Është njerëzore që para një vdekjeje të tillë, nuk arrijmë ta besojmë e jemi të nxehur sepse nuk po kuptojmë gjë e duam të dimë të vërtetën. Kërkojmë vetëm dy gjëra: të përqafojmë sërish djalin tonë dhe të të kemi drejtësi. Kemi besim te drejtësia italiane. Jemi të sigurtë që gjykatësit do të dinë të na thonë të vërtetën mbi ç’ka ngjarë. Nuk ushqejmë asnjë ndjenjë hakmarrjeje ndaj burrit që i mori jetën djalit tonë, por nëse ai ka gabuar duhet të paguajë”.
Gjergji ishte i treti ndër gjashtë bijtë e çiftit që jeton në Gojan të Pukës në varfëri të madhe. Të afërmit e familjes kanë treguar se ai ishte i vetmi që siguronte të ardhura për prindërit, dy vëllezërit dhe tre. “Kishim një vit e gjysmë që nuk e shihnim djalin – tregojnë prindërit për gazetarin e Repubblica-s – Ishte larguar fillimisht në vitin 2012. Pastaj u kthye në shtëpi por meqë këtu nuk ka punë, shkoi përsëri në Itali”.
“Deri sa një ditë na thanë se e kishin vrarë. Fillimisht se e kish vrarë pa dashje një polic, në pas na thanë që Gjergji kishte hyrë në një shtëpi e që një burrë e vrau për të mbrojtur veten, që e ka qëlluar drejt e në zemër e që djali vdiq në vend. Tani presim të na thonë si shkuan në të vërtetë gjërat”.
“Kujtonim që djali punonte, këtë na kishte treguar dhe nuk kishim pse të mos i besonim. Djali ynë mund edhe të ketë gabuar, mund të ketë bërë gjëra të këqija, por nuk duhet të vdiste kështu, nuk është e drejtë”.
Për drejtësinë italiane, u kujton gazetari prindërve, ishte një hajdut shtëpish, po për ju? “Ishte djalë gjithnjë i qeshur, bënte shaka me të gjithë, i dashur në familje e zemërgjerë me miqtë: pot ë kishte pak para në xhep, i ndante me ta. Kishte ardhur në Itali – këbëngulin prindërit – sepse puna në bujqësi nuk mjaftonte për të gjithë e tjetër gjë nuk ofron fshati”.
Së fundi dy fjalë për pensionistin që qëlloi e vrau djalin?: “Nuk kam ç’të them. Do të jetë ndërgjegjja e tij që t’i thotë nëse mund të flejë i qetë pa ndier keqardhje për vrasjen e një djali të ri. Vetëm ndërgjegjja e vet do t’i thotë nëse mund të shohë në sy bijtë e nipërat pa u turpëruar”.
“Nëse djali ynë gaboi, ka gabuar shumë më tepër kush e vrau. Ndaj duam drejtësi – thonë prindërit – Drejtësi të drejtë”.
Ndërkaq, ndërsa versioni i treguar nga Francesco Sicignano nuk bind aspak prokurorinë që po heton për zbardhjen e ngjarjes, bën përshtypje mënyra arrogante me të cilën i moshuari flet në televizion (Canale 5) duke justifikuar vrasjen e kryer. Sicignano çudit të gjithë për mënyrën e egër të reagimit ndaj gazetarit që i kujton se mund të kishte qëlluar në ajër: “Ai që thotë se mund të kisha ngritur gishtin lart është një idiot që atë gisht ta vërë ku di vetë!… – e duke folur për Gjonin, nuk tregon ndonjë pendesë për vrasjen, por i bie shkurt – Nuk i ftova unë në shtëpinë time, ta hajë dreqi! … Të bëjnë një ligj “kush dhunon pronën private merr 25 vjet burg”. Këtë nuk kuptoni ju, ta hajë dreqi, po më çani b… mua!”.