in

Qarkore e re e ministrisë. Sanatore edhe për ata që kanë leje qëndrimi

Nga ministria e Brendshme sqarime të mëtejshme mbi procedurën. Është zyrtare, mund të përfitojnë edhe të gjithë ata të huaj që kanë leje qëndrimi që nuk u lejon të punojnë apo të punojnë vetëm me orar të reduktuar

Romë, 14 shtator 2012 – Nga Ministria e Brendshme mbërrijnë sqarime shumë të rëndësishme mbi procedurën e sanatores që do të nisë nesër e do të zgjasë deri më 15 tetor 2012. por, është mirë të themi që në fillim që fatkeqësisht akoma asnjë sqarim nuk jepet mbi provën e pranisë në Itali nga 31 dhjetori, që është edhe pika më e nxehtë e më e debatueshme e kësaj sanatoreje.

Me qarkoren nr. 400/C/2012 të 12 shtatorit 2012, ministria e Brendshme u jep udhëzime praktike Kuesturave që në kuadrin e procedurës së sanatores (kompetencë e Sportelit Unik për Imigracionin) duhet të vlerësojnë mungesën e motiveve penguese në ngarkim të të huajve dhe të punëdhënësve.

Sqarimi i parë i rëndësishëm është konfirmimi institucional që do të mund të përfitojnë nga sanatoria edhe të gjithë të huajt me qëndrim të rregullt në Itali, titullarë lejeqëndrimi që nuk u lejon të punojnë apo që të punojnë vetëm me orar të reduktuar  (për shembull, mund të përfitojnë nga kjo sanatore të gjithë ata që kanë leje qëndrimi për studime, për kura mjekësore, për motive drejtësie, për pritje të njohjes së statusit të refugjatit politik etj.). Praktikisht kjo qarkore përgënjeshtron një tjetër, atë të 27 korrikut, gjithnjë të ministrisë së Brendshme që parashikonte legalizimin vetëm të punonjësve klandestinë.

Qarkorja e 12 shtatorit jep sqarime edhe për motivet penguese për punonjësit dhe punëdhënësit. Meqë shkaqet e përjashtimit nga e drejta e legalizimit kanë të bëjnë me hipoteza të ndryshme veprash penale dhe rrezikshmërie shoqërore, Kuestura do të jetë e detyruar t’i përcjellë Sportelit Unik të gjitha informacionet që mund të ketë lidhur me shkaqet e përjashtimit.

Nëse punonjësi i huaj ka një dëbim vetëm sepse është kapur pa dokument qëndrimi, Kuestura duhet të heqë vetë masën e dëbimit pa pritur që i interesuari të paraqesë kërkesë formale (siç ka ndodhur në sanatoret e tjera).

Në rast të hedhjes poshtë të kërkesës së legalizimit, punëdhënësi nuk do të përndiqet për përgjegjësitë penale dhe administrative lidhur me marrëdhënien e punës për të cilën kishte kërkuar legalizimin, me kusht që hedhja poshtë e kërkesës të mos varet nga shkaqe që kanë të bëjnë me vetë punëdhënësin. Ndërsa punonjësit do t’i jepet zyrtarisht urdhri i largimit sipas normave të reja mbi dëbimin.

Nëse procedura e legalizimit, në të kundërt, do të përmbyllet me lëshimin e autorizimit të punësimit dhe nënshkrimin e kontratës së qëndrimit, punonjësit duhet t’i lëshohet një lejeqëndrim me kohëzgjatje njëvjeçare apo dyvjeçare, nëse kontrata e punës është me kohëzgjatje të kufizuar apo të pakufizuar, kundrejt pagesës së  80,00 apo 100.00 eurove.

E së fundi, qarkorja saktëson se të huajt që pëfitojnë nga sanatoria nuk duhet të nënshkruajnë marrëveshjen e integrimit pasi kjo është e detyrueshme për të gjithë ata që kanë hyrë në Itali nga 10 marsi 2012, ndërsa të huajt e sanatores kanë përmbushur kriterin e qëndrimit në Itali prej të paktën 31 dhjetorit 2011.

Avv. Mascia Salvatore

Shkarko qarkoren e Ministrisë së Brendshme

Gli artisti kosovari a Roma per Madre Teresa

Sanatoria. Udhëzimet për përpilimin e kërkesave online