in

Ratifikohet marrëveshja e huas për financimin e rrugës Tiranë Elbasan

Qeveria miraton projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së huas me Fondin për Zhvillim Abu Dhabi, për financimin e projektit të rrugës Tiranë-Elbasan

Tiranë, 5 janar 2012 – Ndërtimi i aksit të ri rrugor Tiranë–Elbasan, prioritet i qeverisë shqiptare, do të financohet kryesisht nga donatorë të huaj dhe Fondi i Abu Dhabi-t është një nga financuesit e këtij segmenti, me një shumë prej 50 milionë dollarë. Për këtë, Këshilli i Ministrave miratoi të mërkurën  projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit për Zhvillim Abu Dhabi, për financimin e projektit të rrugës Tiranë-Elbasan”.

Ndërtimi i rrugës Tiranë-Elbasan synon të rrisë në mënyrë efikase zhvillimin ekonomik dhe shoqëror në rajonet e Shqipërisë qendrore, jugore dhe më gjerë, në të gjithë zonën juglindore të vendit.

Rruga synon të lehtësojë dhe përmirësojë, gjithashtu, lëvizjen e trafikut dhe veçanërisht trafikut të rëndë në segmentin rrugor Tiranë – Elbasan, që është pjesë e Boshtit të Jugut, duke përmbushur kështu kërkesat e trafikut në këtë aks rrugor dhe përputhjen me kërkesat e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim. Kjo rrugë do t’u vijë në ndihmë jo vetëm banorëve të  Qarkut të Elbasanit, por edhe atyre të jugut të Shqipërisë, duke shkurtuar distancat mjaftueshëm.

Mësohet se deri më tani puna në tunel ka avancuar me rreth 2 kilometra nga të dy kahet dhe në të dy galeritë. Drejtuesit e Kompanisë nënkontraktore shprehen se përfundimi i punës në këtë segment pritet që të përfundojë brenda afateve të premtuar, pavarësisht vështirësive që mund të hasen.

Për ndërtimin e rrugës firma greke po punon me tre turne 24 orë non stop.

Segmenti Elbasan-Tiranë cilësohet si një nga investimet më madhore të qeverisë shqiptare. Autostrada do të stimulojë zhvillimin ekonomik. Shpejtësia në tunel do të jetë 90 km në orë, ndërsa në autostradë mjetet do të lëvizin me 120 kilometra në orë. Punimet pritet të përfundojnë brenda afatit kohor të 18 muajve.

Fondi i Ekselencës. Berisha: “Të përfshihen edhe studentë nga diaspora”

Fillojnë shitjet me zbritje çmimesh