in

Refugjati sirian hap biznes në Shqipëri. “Do t’ua këshilloja edhe të tjerëve”

Vetëm disa muaj pasi mbërriti në Shqipëri si refugjat, biznesmeni nga Alepo, Samer Darwish drejton një biznes veshjesh dhe ëndërron mundësi më të mëdha të biznesit nëpër Ballkan.
Nga Fatjona Mejdini, BIRN

Një magazinë e madhe e sapolyer me bojë në Babrru, në periferi të kryeqytetit është dyqan rrobash të përdorura. “Darwish” është emri i dyqanit, shkruar me shkronja të mëdha të kuqe në dritare, që është edhe mbiemri i pronarit. Nën të, në shqip është shkruar “rroba të përdorura”.

Pronari i dyqanit, Samer Darwish, është një refugjat nga Siria e shkatërruar prej luftës, që ka shkuar në Shqipëri në nëntor 2015.

Në këta katër muaj ai ka krijuar një firmë fitimprurëse, që përfshin magazinën qendrore dhe tre dyqane të tjera në vende të ndryshme të Tiranës që punësojnë pesë shqiptarë.

“Nuk do ta kisha besuar kurrë që do të përfundoja të jetoja e të punoja në Shqipëri – ka qenë krejtësisht e paparashikuar,” thotë ai për BIRN, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, gazetarja e të cilit ka përgatitur këtë reportazh.

“Por tani jam i lumtur dhe i vendosur ta bëj këtë,” shton Samer, duke rrëfyer se po merr në konsideratë hapjen e mundësive të reja të biznesit në vendin e tij.

Darwish ishte një biznesmen i suksesshëm në Alepo, Siri, importonte makina nga Europa dhe i shiste ato më pas në rajon. Ëndrrat e tij u shkatërruan nga lufta. Në fund të vitit 2014, ai vendosi t’i bashkohet qindra mijëra shtetasve që lanë Sirinë dhe filluan udhëtimin si refugjatë, në kërkim të një jete të re në Europë. Si shumë të tjerë, nga Siria ai shkoi në Turqi dhe hipi në një nga anijet e mbipopulluara që e çuan në brigjet e Greqisë. Nga atje kaloi në Maqedoni dhe mori “itinerarin famëkeq të Ballkanit” që e çoi në Hungari. “Udhëtimi im ndaloi atje sepse kërkova azil në Hungari,” pohon Samer. Falë kapitalit të vogël që kishte nga biznesi i vjetër, Samer mundi të blinte një shtëpi në Hungari dhe u provoi autoriteteve se ishte “një kandidat i mirë për azil”.

Pasi kërkesa e tij u miratua e mori dokumentet që i lejonin udhëtimin, Samer filloi të mendonte se çfarë të bënte me jetën e tij të re në Europë. Shqipëria ishte hapi i radhës sepse familja e motrës së tij kishte ardhur në Tiranë nga Alepo 18 vite më parë, kur kunati i tij, biznesmen, vendosi të provonte mundësitë e biznesit këtu. Në katër vitet e fundit, teksa kriza politike në Siri thellohej dhe zhvillohej në luftë të shkallës së plotë, katër nga motrat dhe vëllezërit e tij u zhvendosën në Shqipëri dhe shtëpia e motrës së tij u bë një strehë e sigurt për familjen.

“Meqë një pjesë e familjes ishte tashmë në Tiranë, mendova përse të mos e provoj të bëj biznes mes Hungarisë dhe Shqipërisë dhe të shoh si do të shkojnë gjërat,” thotë ai.

Ai mbërriti në Shqipëri në nëntor 2015 dhe ngriti një biznes që importonte rroba të dorës së dytë nga Hungaria. “Mora ca këshilla nga familja që jetonte këtu por e bëra gjithçka vetë pasi asnjë prej tyre nuk kishte kohë të vinte të më ndihmonte,” tregon Samer.

Gjuha ishte një nga pengesat më të mëdha në fillim, por edhe vetëm me disa fjalë shqip, ca anglisht dhe shumë shenja me duar, Samer duket se po ia del mjaft mirë. Sot, ai tregon me krenari certifikatën e tij të biznesit lëshuar më 1 dhjetor 2015 nga autoritetet shqiptare, që e lejon atë të bëjë tregti të veshjeve të dorës së dytë. Ai e mban të varur në mur në zyrën e tij në dyqanin kryesor në Babrru.

Ai sapo është kthyer nga Hungaria me 20 ton të tjera veshjesh të përdorura dhe ka mbikëqyrur punën e stafit të tij për përzgjedhjen e artikujve dhe shpërndarjen në dyqane të ndryshme.

“Pëlqej më shumë punonjësit shqiptar sesa ata të kombësive të tjera me të cilët kam punuar në të shkuarën”, thotë ai. “Ata punojnë shumë dhe janë të matur”.

Që pas suksesit në biznesin e veshjeve, Samer po peshon për hapat e radhës, si në aspektin privat dhe në biznes.

Ai dëshiron së pari të sjellë në Shqipëri tre fëmijët e tij, të cilët aktualisht jetojnë me gruan e tij të divorcuar në Turqi dhe t’i arsimojë këtu.

Pastaj ai peshon mundësinë e zgjerimit të perandorisë së tij të biznesit. Ai sheh shumë mundësi investimi në Shqipëri dhe do të krijojë mundësi më të mëdha punësimi për shqiptarët me të cilët punon.

“Mendja ime po funksionon shpejt dhe po mendoj të hap dyqane të tjera në qytete të ndryshme të Shqipërisë, ku kërkesa mund të jetë edhe më e madhe,” thotë ai për BIRN.

Sukseset e tij private dhe në biznes në Shqipëri e kanë nxitur atë të besojë se refugjatë të tjerë sirianë duhet të provojnë mundësinë dhe të kërkojnë azil në Shqipëri.

“Nëse do të më pyesnin, do t’u sugjeroja të kërkonin azil në Shqipëri” thotë ai. “Është më lirë këtu se në çdo vend tjetër të Europës dhe mund të zhvillojnë ide të mira për biznes dhe të ketë një jetë të mirë,” shtoi ai. “Plus që ky vend është i bukur dhe i ngrohtë,” përfundon ai.

 

 

 

Irfan Hysenbelliu gjithnjë e më afër klubit të futbollit të Livornos

Shtetësia për bijtë e imigrantëve. Gjithçka shtyhet pas Pashkëve