Shoqata dorëzoi në Kuvend peticionin kundër regjistrimit të popullsisë mbi baza fetare dhe etnike
Aleanca Kuq e Zi ka arritur të mbledhë 20 mijë firma, aq sa duhen për të propozuar ligje. Në fakt Kushtetuta e Shqipërisë, në Kreun IV që ka të bëjë me procesin ligjvënës, në nenin 81 parashikon: “Të drejtën për të propozuar ligje e ka Këshilli i Ministrave, çdo deputet, si dhe 20 mijë zgjedhës”. Kjo organizatë propozoi gjithashtu një shtesë në tekstin e ligjit për regjistrimin e popullsisë dhe banesave që sipas saj duhet të jetë : “Me qëllim ruajtjen e laicitetit të shtetit shqiptar, si edhe të frymës së tolerancës dhe të bashkëjetesës, të dhënat e regjistrimit të popullsisë sipas këtij ligji nuk do të përfshijnë përkatësinë etnike dhe fetare”.
Në relacionin e Aleancës Kuq e Zi, e cila po vazhdon fushatën e saj brenda dhe jashtë Shqipërisë, lexohet gjithashtu se regjistrimi i përkatësisë etnike dhe fesë në bazë të vetëdeklarimit, do të mund të krijojë probleme me besueshmërinë dhe saktësinë e të dhënave. Endri Shabani sqaroi se Aleanca kërkon që “Në çdo rast, kur ka mospërputhje mes të dhënave të kryera sipas regjistrimit, me të dhënat e pasqyruara në aktet e gjendjes civile, këto të fundit kanë përparësi. Pra mes vetëdeklarimit dhe regjistrit të gjendjes civile, ka përparësi regjistri i gjendjes civile”.
E pikërisht vetëdeklarimi i përkatësisë etnike dhe fetare, konsiderohet si i paverifikueshëm dhe i pavërtetueshëm. Sipas Aleancës Kombëtare kjo bën që regjistrimi i popullsisë, në program në tetor të këtij viti, të përmbajë elementë të pasaktë.